20 Shtator, 2018

Dorian Ramaliu: Çakuli, si babai që ka gjithmonë të drejtë edhe kur na dhunon


KLOTILDA HARKA/ Një dyshe djemsh morën drejtimin e programit investigativ “Fiks Fare” para tre vitesh. Dorian Ramaliu dhe Devis Muka rikthehen të pandarë këtë sezon të ri televiziv si aktorët që zbritën me këmbë në tokë për të zgjidhur problemet e popullit në ekran. Doriani rrëfen për “Panorama Plus” marrëdhënien jashtë kamerave me kolegun e martuar, momentet e punës me Filip Çakulin, pushtetin e medias, si e sheh konkurrencën me rivalët, Saimir Kodra e Gentian Zenelaj, velinat e reja etj…

 

Rikthehet “Fiks Fare”. Si e nisët këtë sezon të ri, me pesimizëm, optimizëm apo eufori?

Sigurisht që me optimizëm sepse më kishte munguar “Fiks”-i. Nisëm një sezon të ri, me tema të rëndësishme dhe investigime të mëdha.

Me Devisin dukeni dyshja e pandashme që identifikoheni me njëri-tjetrin. Sa kohë punoni jashtë kamerave?

Gjithçka është e natyrshme. Ne na ndan vetëm mesnata. Arsyeja është Nerti, gruaja e tij. Madje edhe financat i kemi 50 me 50. (Qesh)

Në jetën jashtë punës, jeni aleatë apo kundërshtarë në duele idesh të kundërta?

Jemi si dy pika uji me njëri-tjetrin. Tani jemi edhe një masë… Medium të dy. Kam problem vetëm me pantallonat, se Devi është më i gjatë.

Përballeni me hallet dhe problemet e popullit përditë. Cila mund të ishte një histori e mbërritur në redaksi që ju lë me gojë hapur?

Për sa kohë janë problemet e përditshme të qytetarëve, janë shqetësime edhe tonat, prandaj na bëjnë gjithmonë përshtypje. Nëse arrihet në atë pikë që s’të bëjnë më përshtypje problemet e të tjerëve, nuk do të kishte kuptim “Fiks”-i.

Politikanët, biznesmenët, drejtuesit e institucioneve etj., janë protagonistët kryesorë të kronikave tuaja. Keni bërë armiq?

Drejtpërdrejt, jo. Indirekt, edhe ndoshta, por nuk e kam ndierë këtë gjë. Ne nuk bëjmë padrejtësi. Kushdo që del aty, del për një arsye. Ne thjesht bëjmë detyrën tonë.

Po pushtet ju jep kjo punë, nëse nisemi nga fakti që media konsiderohet pushteti i katërt?

Ne kemi fuqinë të ngremë zërin për problemet e qytetarëve dhe të përpiqemi t’u japim zgjidhje. Kjo është fuqia dhe e bukura e punës sonë.

Dy aktorë që nga përjetimi i roleve në skenë apo kinema zbresin me këmbët në tokë. Ishte kjo një zbritje tronditëse për ju?

Ne nuk jemi ndarë nga teatri dhe filmi. Kjo është një eksperiencë ndryshe dhe jemi gjendur shumë mirë.

Marrëdhënia juaj me Filip Çakulin, në ç’pikë ka arritur?

Vitin e parë na tërhiqte vërejtje, të dytin na bërtiste, tani ka filluar të na dhunojë. Pra, jemi kthyer në një familje, ku babi ka gjithmonë të drejtë dhe e vërteta është që Filipi ka gjithmonë të drejtë.

I njëjti program, por velina të reja. Fytyrat dhe lëvizjet e tyre janë një frymëzim i ri për ju të dy?

Nuk janë frymëzim për ne, por shpërqendrim dhe vështirësi pune. (qesh)

Atëherë, cila është e preferuara jote dhe ajo e Devisit?

Ndarja akoma nuk është bërë. Jemi në negociata, por jam i bindur që do i ndajmë si çdo gjë tjetër që bëjmë bashkë.

Në konkurrencën me Saimir Kodrën e Gentian Zenelaj sheh ndryshime apo ngjashmëri, mes dyshes suaj dhe atyre?

Jemi të ndryshëm, mendoj unë, por jemi të gjithë kolegë dhe e rëndësishme është që secili të bëjë mirë punën e vet.

Në intervistën e fundit u shprehe se ishe i dashuruar, por pa zbuluar identitetin e asaj. Po tani?

Ou?! S’e mbaj mend, ndoshta e kam pasur fjalën që jam i dashuruar me punën që bëj. Unë nuk i përjetoj historitë, thjesht jam pjesë e tyre.

Si duhet të jetë ajo vajza “fiks fare” që mund të të bindë për t’u martuar?

E rëndësishme është që kur ta njoh vajzën “fiks fare” të shkoj në altar me të pa dilema.

I ke vendosur vetes një afat se kur mund të shkosh në altar?

Ndërsa afatin se kur, e vendos shefja ime Denisa Haxhiaj.

Pas humbjes në peshë mbi 10 kilogramë, vazhdon të ruash të njëjtin fizik. Çfarë bën për të mbajtur peshë dhe fizik konstant?

Stresi është sekreti im, por jo këngëtari. (Qesh) Dhe pak palestër.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al