13 Gusht, 2019

Dikush i tha Bebe Rexhës se është e plakur për të qenë seksi, Taylor Swift dhe Rita Ora kanë 2 fjalë për të (FOTO)


Kantautorja e famshme, Bebe Rexha, ka bërë së fundmi një reagim epik për t’i kthyer përgjigje një proucenti muzike që mendon se ajo është shumë e plakur për foto seksi.

Bebe ka postuar mbrëmë në profilin e saj në “Instagram” një foto ku shfaqet me të brendshme. Krahas saj, ajo shprehet se ndihet e lumtur që së shpejti mbush 30 vjeç dhe se tani është më e mençur, më e fortë dhe një e dashur më e mirë sesa 10 vite më parë.

Fotos ku shfaqet me të brendshme, Rexha i ka bashkëngjitur edhe një reagim që ka hapur sërish debat për paragjykimin e grave dhe vajzave në industrinë e muzikës.

Këngëtarja me origjinë shqiptare tregon se si një burrë i botës së muzikës në SHBA e ka konsideruar të plakur për shkak se po i afrohet të 30-ave dhe e ka kritikuar për fotot provokuese që publikon në rrjetet sociale.

“Së fundmi një burrë, përfaqësues në muzikë, më tha se po plakesha dhe se stili im është “konfuz”. Sepse… unë jam kantautore që publikoj foto seksi në Instagram dhe kjo nuk është ajo se çfarë duhet të bëjnë kantautoret, sidomos ato në moshën time. Jam 29 vjeç”, shkruan Bebe.

Bebe vë gjithashtu në dukje faktin se gratë dhe meshkujt nuk trajtohen njësoj me kalimin e moshës, por ajo ka vendosur që të mos bëjë asnjë përpjekje për t’u dukur më e re, pasi është e kënaqur me vitet që ka.

“Unë i bëj vetë rregullat. Jam e lodhur me faktin që gratë etiketohen si plaka kur rriten në moshë dhe djemtë etiketohen si seksi me kalimin e moshës. Gjithsesi, unë do të bëj 30 vjeç në 30 gusht dhe e dini çfarë, nuk do t’i largohem kësaj. Nuk do të gënjej për moshën apo të këndoj këngë që mendoj se do të shesin më shumë sepse ngjasojnë “më të reja”. Do ta festoj moshën time sepse jam më e mençur, më e fortë dhe më besoni, jam më e dashur se 10 vite më parë”, shkruan këngëtarja fituese e shumë çmimeve në muzikë.

Ndërkohë ky reagim i Bebes është mbështetur nga shumë këngëtare të tjera, me ndikim në muzikën ndërkombëtare.

“Tërhiqi zvarrë ata. 29-vjeçaret bashkohen”, i shkruan Taylor Swift, gjithashtu 29 vjeçare.

Mbështetje për Beben ka ardhur edhe nga bashkëkombësja e saj, Rita Ora, e cila i shkruan: “Kantautorja ime seksi. Ti je e bukur, po bëhesh më seksi dhe talenti yt ‘këndon vetë’. Vazhdo bëji ato rregulla”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al