9 Nëntor, 2019

“Bastarduan dhe shkatërruan krijimtarinë time”, Adelina Ismaili paralajmëron: Do fitoj, gjyq kundër…

Problemi i të drejtave të autorit për një material muzikor, me sa duket mbetet akoma i pazgjidhur, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kënga këndohet pa leje ose transmetohet gjithashtu pa leje. Këtë problem e ka ngritur edhe një këngëtare shumë e famshme e skenës shqiptare. 

Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili, ndër vite ka publikuar këngë që janë pritur shumë mirë nga publiku. Së fundmi, një ndër këngët e saj është kënduar pa leje dhe Adelina ka reaguar përmes një postimi të bërë në “Instagram”.

Ajo ka parë në rrjete sociale një pjesë të shkëputur të një potpurie të kënduar për festat e fundvitit dhe aty po këndohej një pjesë e këngës së saj “Shko n’rrs”. Vargjet janë kënduar nga Albina Kelmendi dhe Adelinës nuk i ka pëlqyer ky fakt.

“Nëse ka një arsye pse po i gëzohem krijimit të qeverisjes së re në Kosovë, është besimi im që vërtet do të fitoj gjyqet kundër hajnave, që me dekada vjedhin, bastardojnë dhe shkatërrojnë idetë dhe krijimtarinë time”, ka shkruar Adelina.