10 Nëntor, 2017

Atalanta Kërçyku: Paragjykimet që më përndjekin si Miss në Shqipëri dhe karriera e re si prezantuese në televizion


Një set fotosh me bikini të realizuara këtë nëntor në plazhin Rana e Hedhun në Shëngjin,janë realizuar në temperaturat e ulëta nga “Miss Ballkani”, Atalanta Kërçyku. Fituesja e pesë kurorave të bukurisë i ka cilësuar këto foto duke sfiduar të ftohtin, momente si në një film, të fiksuara nga fotografi Taulant Haxhinasi. “U zhvesha në të ftohtë me bikini, por shijova rërën e ngrohtë nga rrezet e diellit”, tregoi Atalanta për gazetën “Panorama”.

25- vjeçarja, e cila thotë se e ka realizuar këtë set fotosh artistike thjesht për qejf, rrëfen për gazetën jetën e saj si Miss në Shqipëri. “Të jesh ‘Miss’ në Shqipërinë tonë të vogël është një privilegj që, sa të ngre, aq dhe mund të të ulë. Fati im ishte se munda të cilësohesha e tillë pasi isha regjistruar në Universitet për Arkitekturë. Edhe pse formimi im ishte i plotësuar, ende përndiqesha nga stereotipet e vajzave të bukura, por të paditura. Më e përsosura është se në jetën time ecin paralelisht librat dhe takat. Për mua, të lindësh e bukur është fat, por të formohesh është karakter”.

Duke qenë se Atalanta është shprehur gjithmonë në media se një nga hobet e saj më të mëdha është bota e televizionit, pyetjes se a do ta shohim shpejt pjesë e tij ajo i përgjigjet: “Në fakt, po punoj paralelisht për të hapur studion time të Arkitekturës dhe të nis punë si prezantuese në televizion, varet se ku do të biem dakord, me “News 24”, “Ora News”, apo “Tring”. Kam një skript-ide programi timen, por mund të përshtatem edhe në ndonjë program ekzistues”, tha ajo ndër të tjera.

KUSH ËSHTË VAJZA NGA ELBASANI, QË FITOI 5 KURORA SI MISS

Atalanta Kërçyku është 25-vjeçarja e lindur nga Elbasani, qyteti që e shpalli Miss vitin e kaluar, pikërisht 2016. Ajo jeton në Tiranë, ku ka ndjekur edhe studimet për Arkitekturë. Biondja shtatlartë bie në sy për fizikun e bukur dhe tiparet e gdhendura të fytyrës.

Ajo është e gjatë 1.75m, peshon 55 kg dhe ka përmasat 90-62-90. Si hobet e saj të veçanta ajo veçon: librat, televizionin, prezantimi, udhëtimet dhe modelingu. Veçantia e saj është se deri tani është shpallur fituese e 5 kurorav si; Miss International Automoto Sporta 2014 (Kroaci), Beauty of Albania 2015 (Kosovë), Miss Ballkan NY 2015 (Maqedoni), Miss Grand Sea World 2015 (Bullgari), Miss Elbasani 2016.

Ndër të tjera ajo ka qenë përfaqësuese e Shqipërisë në kompeticione modelesh si “Next Top Model of the World 2014 (Lebanon) e Supermodel International 2015 (Koreja e Jugut). Gjithashtu ka qenë imazh i firmave të mëdha të syzeve dhe produkteve kozmetike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al