28 Qershor, 2018

Alba Bajrami: Kurora e Miss Shqipërisë më rriti vetëvlerësimin, pse jam kundër operacioneve plastike


KLOTILDA HARKA/ Alba Bajrami është 16-vjeçarja që rrëmbeu kurorën e “Miss Shqipëria 2018”, në spektaklin që këtë vit u organizua në Kalanë e Tiranës. Për ethet e garës që do e çojë në “Miss Globe”, familja nga vjen, pasionet, dhe sekretet e një Miss-i me ambicie të mëdha, ajo flet në këtë intervistë të parë për “Panorama Plus”.

Je 16 vjeçe dhe shpallesh “Miss Shqipëria 2018”. Si përjetove momentin kur të vendosën kurorën e më të bukurës në kokë?

Ishte një moment shumë special për mua dhe t’ju them të drejtën, nuk e prisja të dëgjoja emrin tim. Emocionet ishin shumë të forta gjatë kohës që po pritej emri i fitueses dhe kur u tha emri im, unë nuk u përmbajta dot dhe fillova të qaj.

Ishte për ty konkurrencë e fortë dhe kujt prej rivaleve ua kishe frikën?

Konkurrenca ishte shumë e fortë pasi të gjitha vajzat ishin shumë të bukura. Dhe për aq kohë sa jemi zgjedhur të ishim pjesë e kombëtares së “Miss Shqipëria” nga shumë pjesëmarrëse në audicion, mendoj, se secila nga ne kishte një shans për ta marrë kurorën… Kështu që, të gjithave ua ndieja rrezikun.

Brenda një nate fitove dhe çmimin “Miss Interneti”. Ishte i rëndësishëm për ty, duke qenë se jetojmë në epokën e internetit?

Votimi i publikut në internet ishte një tjetër emocion i madh për mua dhe të jem e sinqertë, më ka bërë të rris vlerësimin për veten e të jem me konfidente.

Çfarë do të kesh parasysh kur të konkurrosh në garën e të bukurave të globit?

Te “Miss Globe” do të jem më e kujdesshme, pasi u mësova pak me kompeticionet e bukurisë nga “Miss Shqipëria” dhe besoj se do jem gati. Në radhë të parë, kurora që mbaj në kokë më përfaqëson mua dhe është një vlerë e shtuar e vendit tonë. Them se do ta përfaqë-oj me dinjitet vendin tim në këtë kompeticion dhe kjo nënkupton një punë të palodhur nga ana ime si; kujdesi për veten, të marr më shumë njohuri rreth shteteve pjesëmarrëse, të perfeksionoj ecjen në pasarelë, qëndrimin përpara kamerave, aparatit fotografik, etj..

Pikat e tua të forta cilat janë, me çfarë krenohesh në pamjen tënde?

Unë krenohem me veten time për çdo gjë dhe nuk do të doja të ndryshoja gjë, pasi Zoti ka menduar për mua të më krijojë në këtë mënyrë, kështu që s’kam pse të ndryshoj asgjë.

Bukuria origjinale sa vjen dhe shihet më rrallë. Ti do tundohesh ndonjëherë për ndërhyrje estetike?

Nuk besoj që do të bëj ndonjë ndërhyrje estetike, siç thashë dhe më sipër, Zoti ka menduar të më krijojë të tillë… Në këtë mënyrë dhe derisa u vlerësova nga një juri aq prestigjioze dhe profesioniste do të thotë që unë i përmbushja kriteret e duhura për të mbajtur kurorën unike të “Miss Shqipëria”.

Në këtë realitet ku tërheqin vëmendjen vajzat me format e rrumbullakosura, sa mundet një Miss ta bëjë për vete botën me buzëqeshjen e saj?

Buzëqeshja duhet të jetë patjetër pjesë e pandarë e fytyrës jo vetëm te një Miss, por në fytyrën e çdokujt, pasi ajo është reflektim i energjisë së mirë… dhe lumturia më e madhe që dikush mund t’i përcjellë dikujt. Format e rrumbullakosura nuk janë tipare të një Miss-i, mendoj sharmi dhe eleganca janë ato që e bëjnë një Miss të shkëlqejë.

Pyetjet që të bëri producenti Petri Bozdo, për të të zbërthyer personalitetin apo për të vërtetuar inteligjencën tënde, cilat ishin?

Në ditën kur u paraqita në audicion, pyetjet që na drejtuan jo vetëm nga regjisori dhe producenti Petri Bozdo, por edhe pjesëtarë të tjerë të stafit, ishin disa, madje dukej si një test shkolle. Dy mendoj se kanë qenë ato pyetje që më kanë mbetur në memorie, një që kishte të bënte me bamirësinë dhe tjetra që kishte të bënte me famën. Përgjigja ime ishte se do të isha e gatshme që nëse një ditë bëhesha e famshme, ta përdorja famën time për të ndihmuar sado pak ata që janë në nevojë. Dhe nuk do të bëja kompromise që prekin karakterin dhe familjen për t’u bërë e famshme.

Meqë je shprehur se të pëlqen arkitektura, të sfiloje në Kalanë e Tiranës ishte skena e duhur?

Mua me pëlqen të vazhdoj studimet për arkitekturë, më pëlqen të pikturoj. Kam shumë dëshira, por meqë po më pyesni për skenën, mund t’ju them me bindje se absolutisht ishte një skenë e denjë për një event bukurie, pra, ishte skena e duhur… Edhe pse ishte një terren shumë i vështirë, u arrit të ndërtohej një skenë madhështore dhe u jepte mundësinë të gjitha vajzave të shiheshin me kujdes dhe imtësi si nga juria, por dhe nga publiku dhe teleshikuesit. Në atë skenë, përveçse u shfaq bukuria e vajzave shqiptare, u rizgjuan dhe shumë histori të rrënjëve të qytetit të Tiranës e të Kalasë së Toptanasve, ajo kala kishte shumë vite e lënë në harresë dhe ky spektakël bëri që të sillej sërish në vëmendjen e të gjithëve.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al