27 Shtator, 2019

Adela Lami: Ç’fshihet pas miqësisë në të mirë dhe në të keq me Lei Krajën, gjithçka ndodh në jetën tonë, nga zënkat te qejfet


KLOTILDA HARKA/ Balerinë klasike me stil modern, që e konsideron jetën një event të gëzueshëm që vetëm duhet festuar. Adela Lami këto vitet e fundit ka lënë Shqipërinë për karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe zbuloi se si një balerinë vlen vërtet shumë. Pasi ka kaluar një verë pushimesh plot udhëtime nga një shtet në tjetrin, për “Panorama Plus” Adela zbulon gjithçka, nga miqësia speciale me Lei Krajën, dashurinë që ende s’e ka gjetur e deri tek e vërteta e jetës luksoze.

Një set fotosh ku shfaqesh e kuruar në çdo detaj. Si ia del të jesh gjithmonë si e sapodalë nga kutia?

I kushtoj shumë rëndësi mirëqenies së “Adelës shpirtërore, mendore dhe fizike”. Ndoshta gërshetimi i të triave bën që unë të dukem mirë. Më pëlqen të kujdesem për veten në çdo situatë, pasi çdo ditë jetë që jetojmë është një event që duhet festuar.

Luksi në të cilin jeton, po ashtu bie në sy në stilin tënd. Nga kush burojnë paratë dhe sa ke arritur ta kthesh profesionin e balerinës në fitimprurës?

Nuk e konsideroj jetën që unë bëj luksoze, por një jetë shumë të mirë, të cilën ia mundësoj vetes. Se sa fitimprurës ishte profesioni im, nuk e kisha kuptuar deri sa fillova të punoja në SHBA. Profesionin e balerinës nuk e kam bërë kurrë për frutet materiale, por gjithmonë për lumturinë e pafundme që më jep. Sigurisht, tani më pëlqen që arrij t’i marr të dyja, pasi janë të dyja po njësoj të rëndësishme.

Postimet në një ishull të Greqisë bënë përshtypje. Festove diçka private apo jeta jote ashtu është, e gjitha një festë, siç the më sipër?

Kalova një verë shumë të bukur dhe ndër udhëtimet e shumta që bëra ishte dhe Greqia, që e shijova pamasë. Ishte një feste private, por qëndron dhe pjesa e dytë e pyetjes, që unë e shijoj jetën si një festë sepse e tillë është. Jeta është një festë e madhe.

Miqësia me prezantuesen e emisioneve sportive, Lei Krajën, u bën përshtypje të gjithëve. Si jeni afruar aq shumë dhe ndodh që të keni përplasje?

Shpresoj të bëjë përshtypje për mirë, miqësia e fortë që kemi. Kemi qëndruar pranë njëra-tjetrës në të mirë dhe në të keq, në kuptimin e plotë të fjalës dhe sigurisht kjo na ka afruar shumë. Patjetër, kemi zënka, por asgjë të cilën miqësia jonë nuk e superon dot. Jemi një pjesë tepër e rëndësishme e jetës të njëra-tjetrës.

Ajo është kthyer nga Amerika, ndërsa ti ke shkuar atje, po kush është më mendjehapur nga ju të dyja?

Unë linda në Shqipëri, e shijova shumë dhe e mbarova ciklin e saj. Ndërsa Lei lindi në SHBA dhe erdhi të rigjejë rrënjët e saj, gjë e cila është shumë e bukur. Unë rrënjët e mia i mora me vete. Ne jemi kaq të ndryshme nga njëra-tjetra, sa nuk e keni idenë. Mendoj se unë jam më mendjehapur dhe besoj se edhe ajo do ishte dakord me këtë mendim. Jam tepër mendjehapur dhe aspak paragjykuese. Çdo situate përpiqem t’i gjej një sqarim dhe asnjëherë ta gjykoj.

Si e sheh të ardhmen tënde, do jesh në vazhdim pjesë e spektakleve shqiptare dhe ç’shije të kanë lënë?

Momentalisht nuk e shoh veten në Shqipëri, edhe pse m’u ofruan disa mundësi pune këto ditë që isha në Shqipëri. Globalizmi na ka afruar kaq shumë me njëritjetrin, prandaj, edhe pse unë bazat i kam në SHBA tashmë, prapë do të merrja në konsideratë një produksion shqiptar, i cili do të më tërhiqte vëmendjen.

Je aq e lumtur me trupin tënd sa të mos e kërkosh me ngulm gjysmën tjetër, pra, hyn te vajzat që ndihen të plotësuara pa dikë në krah?

Unë jam e plotë dhe uroj të zgjedh një njeri të plotë për veten po ashtu. Nuk jam në ngulm, sepse dashuria nuk është një audicion, apo një program televiziv, të cilin e dua patjetër.

Duke qenë se balerinat e lënë shpejt profesionin, e ke menduar një opsion B?

Ky është një mit. Ashtu siç jetëgjatësia e njeriut tashmë është zgjatur, po ashtu dhe jetëgjatësia e profesioneve. Aspak nuk e shoh si një profesion afatshkurtër. Jo vetëm opsion B, por të gjitha shkronjat e alfabetit i kam në planet e mia, pasi siç dihet, unë kam mbaruar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike, një profesion të cilin do ta ushtroj në të ardhmen.

Po dashurinë e ke gjetur, je në një lidhje që të përmbush apo jo?

Dashurinë nuk e kam gjetur. Shpirtin e kam të plotësuar me forma të tjera të dashurisë, por jo atë mashkullore. Ndoshta është fakti që energjinë më të madhe ia kushtoj karrierës, nuk lë aspak energji në univers për dashurinë. Faji im.

Je aq koherente me modën sa ta konsiderosh veten influencuese?

Unë nuk e kam parë veten kurrë si influencuese, por personat me të cilët punoj, për sa i përket estetikës apo look-ut, më kanë bërë të ditur që jam influencuese pasi ka vajza që kërkojnë të marrin një fustan që kam veshur unë apo një ngjyrë flokësh që kam bërë. Më bën të ndihem mirë ky fakt, shumë mirë në fakt.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al