4 Dhjetor, 2018

69-vjeçari bën kërkesën e pazakontë për ndryshimin e datës së lindjes me 20 vite më i ri, por gjykata…


Një holandez ka humbur betejën e tij ligjore për të ndryshuar datën e lindjes.

69-vjeçari Emile Ratelband dëshironte që të ulte datën e lindjes me 20 vite për të shmangur atë që e konsideroi diskriminim. Ai ka thënë se këtë ndryshim e donte pasi haste probleme për të lënë takim me femrat që njihte në “Tinder”.

“Ne jetojmë në një kohë kur mund të ndryshosh emrin dhe gjininë. Pse unë nuk mund të vendos për moshën time?”, u shpreh 69-vjeçari.

BBC shkruan se një gjykatë në Holandë nuk e miratoi vendimin e tij, duke theksuar se shumë të drejta në ligj bazohen në moshën e një personi dhe ndryshimi i saj mund të shkaktojë shumë probleme.

Njëkohësisht në vendimin e gjykatës thuhet se nuk ka asnjë bazë ligjore për të bërë një ndryshim të tillë.

“Zoti Ratelband është i lirë të ndihet 20 vite më i ri se mosha e tij e vërtetë dhe të veprojë në përputhje me rrethanat”, u shprehën gjykatësi i cili shtoi: “Por ndryshimi i dokumenteve të tij ligjore do të kishte implikime të padëshirueshme ligjore dhe shoqërore”.

Ndërkohë me këtë kërkesë të pazakontë, Ratelband pushtoi titujt e mediave në mbarë botën.

Sipas BBC-së, para seancës gjyqësore 69-vjeçari u shpreh se ndihej i diskriminuar kur kërkonte pune dhe në aplikacionin popullor “Tinder”, pasi ishte shumë i madh për tu lidhur me femra.

Ai rrëfeu gjithashtu se mjekët i kishin thënë se kishte trupin e një personi 40-vjeçar. “Nëse do isha 49 vjeç, atëherë do të mund të blija një shtëpi të re, të drejtoja një makinë tjetër. Do punoja më shumë. Kur u them femrave në “Tinder” se jam 69 vjeç, nuk më kthejnë përgjigje”, ka përfunduar Emile Ratelband.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al