Një përkujtimore për rebelët e kampit famëkeq, ish-të dënuarit rikthehen në Spaç, tregojnë rrathët e ferrit komunist

May 30, 2019 | 22:13
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Shoferi thotë se rruga ka qenë më e keqe se kaq. Mendoni ç’mund të ketë qenë 30 vjet më parë.

Në imagjinatë të vjen një makinë e gjelbër, e mbuluar, ku pas lëkundeshin të burgosur me pranga në duar ose ndonjë makinë e rastit, ku pas në rimorkio rrinin ngjeshur familjarë të të dënuarve. Rruga është me dredha, duket sikur nuk do të mbarojë asnjëherë. Poshtë, hone. Nuk e kishin menduar kot aq larg… në fund të botës. Pikërisht atje, në burgunkamp pune të Spaçit vuajtën dënimin qindra të burgosur: intelektualë, klerikë, kundërshtarë politikë, të dënuar ordinerë.. Nga errësira e qelisë kalonin në errësirën e galerive të minierave. Duke treguar një të rrëpirë që bie thikë mbi kamp, gazetari Gjergj Marku të thotë se të dënuarit i ngjisnin atje dyshe-dyshe në varg, të lidhur për dore. Me veshjet e tyre të murrme hynin në gojën e galerisë, shponin malin për mineral apo shtynin vagonët e rëndë…

spac

PËRKUJTIMORJA

Pavarësisht kohës së keqe, ishin të shumtë ata që ishin nisur nga Tirana e nga zonat përreth për tu ngjitur në ishburgun e tmerrshëm, ku Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe me mbështetje të ambasadës së Republikës së Austrisë organizuan një përkujtimore, në përkujtim të 40-vjetorit të pushkatimit rebelëve të Spaçit, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Dy të fundit ishin gazetarë dhe përmes një letre të gjatë drejtuar Hysni Kapos guxuan t’i thoshin ca të vërteta, të cilat udhëheqja komuniste nuk donte që t’i shihte më. Dhe kaq ishte e mjaftueshme që ata të ekzekutoheshin me dënimin kapital: pushkatim.

Të dënuarit e dikurshëm janë shpërndarë mes godinash, tregojnë ku ishte mensa, fjetorja, si i ngjiteshin rrëpirës… Duket si një kohë tjetër, si një botë tjetër.. Për shkak të shiut, takimi u zhvillua në një nga godinat më të sigurta dhe më të mbrojtura të burgut, ani pse edhe aty muret janë gjithë lagështirë dhe suvaja shkërmoqet me një të prekur. Godinat e tjera janë më të brishta. Pavarësisht ndërhyrjes për konsolidimin e tyre, nuk janë gati për të pritur vizitorë. Prej strukturës së ndërtimit, është e qartë se ishin ndërtuar me kast të tilla. Aty do të kalonin dënimin “armiqtë e popullit dhe partisë” dhe nuk kishte pse të ishin të sigurta. Të vendosura në atë shteg mali, ato duket sikur do të përmbysen nga momenti në moment.

spacci

AKTIVITETI

Organizatorja e takimit, Jonila Godole, drejtore e Institutit për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC), ka ndërtuar një program me muzikë dhe rrëfime. Dyshja Bertin Christelbauer (violonçel) dhe Zamir Kabo, (piano) shoqëroi gjatë gjithë kohës takimin me një muzikë të zgjedhur nga Franz Schubert, Alexander Glasunov, Johann Sebastian Bach, Ernest Bloch dhe Dmitri Shostakovitch. Përpara se vetë ata që kishin jetuar ferrin të lexonin pjesë nga kujtimet e tyre, të cilat lidheshin me të pushkatuarit e 40 viteve më parë, ambasadori i Republikës së Austrisë, Johann Sattler, do të përshëndeste të ftuarit në shqip.

Duke iu referuar një thënieje të Konicës, sipas së cilës “e vërteta nuk ka nevojë për stile gjarpëruese të akademikëve; e vërteta ulëret”, ai u tha se “ne jemi këtu, pikërisht për të mos harruar këtë të vërtetë, por për ta parë drejt në sy”. Sipas tij, Spaçi është “një dëshmi e gjallë e depersonalizimit të individit përmes frikës dhe terrorit, duke i zhveshur ata nga gjithçka, nga liria e mendimit dhe të drejtat themelore”. Sattler tha se e shkuara që ne kujtojmë sot ishte e tashmja e atyre njerëzve, që vuajtën në këtë burg dhe ajo duhet shkruar në histori, i duhet transmetuar brezit të ri dhe Spaçi të kthehet në një qendër kombëtare përkujtimore. E pranishme në këtë përkujtimore ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila po ashtu theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre qendrave të memories dhe kthimi i tyre në hapësira dialogu.

spaci

“Ne sot jemi këtu, jo për të ngritur mure, por hapësira dialogu; për t’i dhënë kuptim këtij vendi kujtese, i cili është i lidhur me të shkuarën, por më së shumti i flet së ardhmes; që më shumë se prindërve, u përket bijve. Por, çfarë duhet të bëjmë me vende të tilla? Për të gjithë ata që e kanë jetuar, ky vend është ende një copë jete, një dhimbje e përhershme, e pashëruar, një varr i hapur. Por pikërisht neve na takon që ta ruajmë dhe ta kthejmë në një nyjë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes; Në një vend, ku përmes memories, të ndërtohet një lidhje e re me brezat e rinj”, pohoi Margariti. Ndërsa Agron Tufa, kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, u shpreh se në këta 30 vjet ka munguar vullneti politik për ta ruajtur Spaçin, për të ndalur rrënimin e tij, edhe pse premtimet e ish-ministrave kanë qenë tepër entuziaste. Më tej, pas një prezantimi që Godole u bëri tre rebelëve të Spaçit, për të cilët ishte mbledhur ai takim, Fatos Lubonja lexoi një pjesë nga libri i tij “Ridënimi”, me kujtime personale nga burgu komunist, por edhe mbi Fadil Kokomanin e Vangjel Lezhon.

Më pas ishte Bedri Çoku që lexoi nga libri i tij “Zërat e kujtesës”, për t’u mbyllur me rrëfimin e Shkëlqim Abazit, i cili është autori i një libri voluminoz me titullin “Spaçi”, ku përshkruhen me hollësi ditët e të burgosurve në këtë kamp tmerri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura