Një “Kuartet” kritik për letërsinë, si mund të thuhet e vërteta për librat

Oct 26, 2018 | 10:50
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Sa herë që del një libër i ri, është bërë zakon që të thuhen vetëm fjalë të mira. Në Shqipëri dalin vetëm libra të mirë. Në Shqipëri gëlon letërsia…

Nga “Kuarteti Letrar”, gjatë aktivitetit “Tirana lexon”
Nga “Kuarteti Letrar”, gjatë aktivitetit “Tirana lexon”

Veçse në rrethe të ngushta e tavolina janë shënuar me ngjyrë të kuqe pasazhet e dobëta, keqkuptimet, “gafat” me vitet, etj., etj. Kjo, sepse nervi i kritikës, jo se është mpirë, por është ndrydhur, që të mos shpërthejë publikisht. Mos e dhëntë Zoti të na mërzitet aksh shkrimtar apo poet… Sepse Tirana-metropol, duam apo nuk duam, është një fshat i madh, ku të gjithë njohin të gjithë.

kuartet

“Tirana lexon”, maratona e përvitshme e aktiviteteve të librit, ndoshta me pak ndrojtje po guxon të hedhë një hap drejt hapjes kah kritikës. Krahas aktiviteteve të ndryshme, takimeve me autorë e lexues, përkthyes, të mbijetuar të diktaturës, etj., në ditët e këtij aktiviteti që u zhvillua nga 22-24 tetor, u zhvillua edhe një “Kuartet letrar”.

Katër njohës së letërsisë, studiues, përkthyes, gazetarë…. prezantojnë një vepër, ndërsa “kolegët” e tjerë të panelit duhet të sjellin argumente të kundërt apo dyshues përballë atyre të prezantuesit. Ky është formati i këtij aktiviteti, ideuar nga Jonila Godole, përkthyese, shkrimtare, pedagoge dhe organizatore e “Tirana lexon”, e cila synon që të nxisë jo thjesht kërshërinë kah një libri, por të nxisë edhe debat, të ngrejë edhe pikëpyetje.

Kësaj here, veprat e marra në diskutim ishin “Kohë e pamjaftueshme” nga Helena Kadare, “Valsi i Lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka, “A është, vallë, njeri” nga i mbijetuari i Holokaustit, shkrimtari italian, Primo Levi dhe “Më kujtohet” nga Ylli Demneri. Katër prezantuesit dhe debatuesit e këtij “Kuarteti” ishin gazetarja Beti Njuma, poetja Ledia Dushi, kritiku Agim Baçi dhe Jonila Godole.

“Kohë e pamjaftueshme”, e prezantuar nga Agim Baçi, është një vepër e Helena Kadaresë, si një dëshirë e kësaj të fundit për t’u vetërrëfyer e për të treguar jetën e saj në krah të shkrimtarit Ismail Kadare apo është një vepër për Ismail Kadarenë, e cila në të vërtetë është parë nga vetë ai dhe madje siç e pranon vetë autorja, i ka hequr rreth 100 faqe…

Këto dy ide shoqëruan debatin mbi veprën e Helena Kadaresë, e cila sigurisht do të mund të kishte ngjallur edhe shumë më shumë debat se aq, për këndvështrimin e ngjarjeve, personazhet që qarkullojnë në të, etj.. Ledia Dushi prezantoi veprën e Levit, një të mbijetuari të Holokaustit, i cili sjell jo thjesht një dëshmi të tmerreve që kanë parë me sy të përndjekurit e nazizmit, por e veshur me një humanizëm të rrallë dhe një letërsi e pastër.

Ç’mund të thuash për Levin? Përveçse mund të kishte ardhur më mirë në shqip?! Levi shkroi dhe ka lënë dy vepra të jashtëzakonshme, të cilat i kemi edhe në shqip. Por a u vetëvra Levi sepse letërsia dhe dëshmia nuk mund ta shpëtojnë nga tmerri i së kaluarës apo si pasojë e indiferentizmit të njerëzve karshi së kaluarës? Ndoshta vdekja e Levit është e parëndësishme për letërsinë, por nuk mund të mos jetë për kujtesën, për njohjen e së shkuarës. Jonila Godole kishte zgjedhur një histori nga ato “bittersweet”, sa e dhimbshme, zhgënjyese, aq edhe ironike e komike.

Është “Valsi i lumturisë” i Ylljet Aliçkës, që rrëfen historinë e familjes Popa, të ikurve të parë me ambasadat, në vitin 1985. Historia e Popajve është në vetvete historia e gjithë atyre shqiptarëve që nuk e gjetën dot parajsën në emigracion. Godole u ndal te grotesku mbi të cilin e ka ngritur autori këtë vepër, që nga qarjet masive për vdekjen e diktatorit Hoxha, te historitë e vogla brenda ambasadës italiane deri te pritja në Itali. Për Baçin, ai është një libër që na flet për tri burgje, ai i diktaturës, ai brenda ambasadës dhe ai në mërgim, ku më shpresëdhënësi ishte ai në ambasadë.

Por nëse libri që ajo prezantoi nuk arriti të merrte dot kundërshtime e të gjithë gati ishin në një mendje, Godole nuk mund ta linte të “shpëtonte” librin e prezantuar nga Beti Njuma, “Më kujtohet” nga Ylli Demneri. Një rrëfim për Tiranën e para ’90- s, atë Tiranë, një tironse e vjetër si Njuma nuk arrin ta gjejë dot më. Ndërsa Godole e ka lexuar tërësisht ndryshe. Sipas saj, autori futet në detaje, për të cilat nuk është i interesuar veçse autori, që e shpreh qartë qëllimin përse e shkroi këtë libër: që të kujtohet përmes tij pas vdekjes.

Libri i Demnerit mes nostalgjisë, kujtimeve dhe letërsisë, ngjalli një valë debati mes katër bashkëdrejtuesve, që do të ishte dashur edhe për tri veprat e tjera. Publiku i pranishëm, nxënës shkollash, çuditërisht u tregua i vëmendshëm. Sikur t’i njihnin veprat, do kishte qenë edhe më mirë. Madje edhe më mirë do kishte qenë që ky debat të zhvillohej para një publiku më të kualifikuar, për të pasur një eko, edhe pas mbylljes së debatit, që tek e fundit mund të jetë edhe i nxitur, edhe spektakolar, por me synim vëmendjen te libri dhe kritika, që i mungon kaq shumë letërsisë shqipe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura