Nga xhaketat e vjetra, te patronazhistët e rinj

Feb 8, 2024 | 7:53
SHPËRNDAJE

NGA QEMAL ÇEJKU Qemal Cejku

Mesa duket, thembra e Akilit në arsim u gjet… Pas 1001 problemesh që arsimi ka sot në vendin tonë, Ministria e Arsimit dhe zysha e Kimisë Mjedisore ka ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e arsimit. Ndryshimi ishte shumë pranë e shumë i thjeshtë; emërimi dhe shkarkimi i drejtuesve të shkollave duke ndryshuar udhëzimin për përcaktimin e procedurave për emërimin apo shkarkimin e drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shollave publike të arsimit parauniversitar.

Drejtuesit kishin fajin për rezultatet e ulëta në PISA 2022. Kjo mund të jetë masa kryesore për negociatat me maturantët për notat e tyre në provime. Tani nuk ka nevojë të kopjoni, të nderuar maturantë, por kryeni detyrimet politike bashkë me prindërit dhe suksesi do të jetë i garantuar.

Drejtuesit do të hartojnë politika dhe strategji për korrigjimet e mësimit të munguar si shkak i pandemisë, siç bëri e gjithë bota; drejtorët do të kenë njohuri të rralla, sepse vijnë nga shkolla e partisë (shkolla e drejtorëve). Drejtuesi është problemi i munguar i arsimit sot, sepse këta që ishin nuk luajtën rolin vendimtar për ndalimin e gjithë mësuesve që të mos merreshin me politikë tjetër veç asaj të Partisë Socialiste, sepse ajo është rruga e drejtë. Por mesa duket, kjo maskaradë administrative ndodh për dy arsye: E para që çdo drejtor duhet luajë rol në menaxhimin e personit duke shtrirë vijën e partisë te secili mësues e familjar i tij, si dhe te secili nxënës dhe prindërit e tij. E dyta, për të mbushur mediat e ambienteve shkollore me propagandën e madhe “kemi bërë arsimin ndryshe”.

Por çfarëdo që të bëni me të tilla manovra të shpëlarjes së trurit të nxënësve, mësuesve, prindërve, por edhe publikut, ju vetëm se e shkatërroni atë në themele. Po ta shohim më afër problemin… Çfarë ndryshoi?! Asgjë, përveç pikëve që ka në dorë komisioni me “intervistën e strukturuar”. E pse ky ndryshim? Apo keni frikë se rezultatet dalin jashtë parashikimit tuaj dhe do t’ju dështojë “shkolla e partisë”? Po centralizoni gjithçka në çdo sektor. Ku është zëri i masës? Apo keni frikë nga ai?! E pastaj flitet për meritokraci.

Kush e vlerëson në fund të fundit meritokracinë? Drejtuesit tuaj që i zgjidhni mbi bazën e “meritokracisë”, që i shërben mbytjes së zërit të masës. Dhe ta mendosh që kjo në arsim, në vendin që duhet të edukohen vlerat, është shkatërruese. Ne nuk mësojmë nga gabimet, por i përsëritim ato deri në dështim, nën udhëheqjen tuaj të ndritur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura