Nënkryetari i LDK: Do të punojmë bashkë që kufirin Kosovë-Serbi ta vendosim në Ristovc

Aug 19, 2020 | 21:00
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka këmbëngulur që kufiri me Serbinë në juglindje të Kosovës duhet të jetë në Ristovc.

haziri-1-780x439

Haziri ka thënë se me këtë rast nuk bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, por për realizim të vullnetit të qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të jetojnë në Kosovë.

“120 mijë banorë të kësaj pjese të Kosovës duhet të fitojnë, sikur që kanë fituar 2 milionë banorë më 17 shkurt të vitit 2008. Ata janë gëzuar dhe kanë festuar me neve bashkë, përkundër që e kanë ditur saktë se që kufiri do të jetë në Dheun e Bardhë. Tash e tutje do të punojmë bashkë që ta qesim në Ristovc dhe ta përmbyllim atë problem. Të tjerët le t’ia bajnë gajlen për mënyrën, por ky është vullnet politik që mund të realizohet”, ka thënë Haziri, transmeton Mediafokus.info.

Këto komente, kreu i Gjilanit i ka bërë në pas takimit me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi.

Ai ka theksuar se disa në Prishtinë po e frikësojnë popullatën, duke e përkthyer këtë me shkëmbim mes veriut dhe juglindjes, të cilën e ka mohuar kategorikisht.

“Kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë shumë lehtë mund të definohet. Nuk ka nevojë me pas frikë. Disa në Prishtinë, koluareve, që po mundohen ta frikësojnë popullatën, po e shesin si shkëmbim mes veriut dhe juglindjes. Nuk ka të bëjë as me Mitrovicën, as me Trepçën, as me Bujanocin e Preshevën apo me autostradën e hekurudhën. Ka të bëjë me njerëzit. Këta janë kosovarë autoktonë dhe duhet të gjendet mënyra t’i rikthejmë në atdheun e tyre”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Ndryshe, kryesia e LDK-së është deklaruar në vazhdimësi që të mos preket Kosova e 17 Shkurtit, por që Lutfi Haziri ka thënë se ata e kanë mirëkuptuar në vazhdimësi rreth qëndrimit të tij, që është personal, i proklamuar në vitin 2011.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura