Nënë Zylja rrëfehet: Ja e vërteta e emrit tjetër në gjobën e Bashkisë

Mar 13, 2016 | 17:20

Është e thjeshtë të kthehesh në personazh në rrjetet sociale, nëse historia jote, siç do të thoshin korçarët, është me dhembka. Neuronet e keqardhjes duhet të jenë ata që aktivizohen më shpejt.

zyleKa shumë raste ku keqardhja ka vepruar, ka bërë reagime konkrete për të përmirësuar situatën, nga e cila është shkaktuar. Të paktën, kështu besohet nga ajo që shohim o dëgjojmë në media, për raste njerëzish të sëmurë që kërkojnë ndihma financiare. Nëna më e famshme e këtyre dy ditëve të fundit, Zylja, nuk kërkoi ndihmë.

Mjaftoi portreti i saj i kërrusur e i munduar, që njerëzit t’i ofroheshin vetë. Ndërkaq, ajo vetë as që ishte në dijeni për çfarë po ndodhte. “Djali ka internet po vetëm në darkë e pa se çfarë ishte bërë në ‘Facebook’”, thotë Zylja, ndërsa prej 4 orësh dje gjendej te “City Park” në pritje të një gazetareje që e kishte telefonuar, por nuk po mbërrinte kurrë. Në fakt, pas publikimit të numrit të telefonit të të birit në “Facebook”, nënë Zylen mund ta ketë telefonuar kushdo.

Të vetmit që nuk e kishin telefonuar, ishin ata që ishin ofruar për ta ndihmuar me shuma të ndryshme parash. Dikush ofronte 2, dikush tjetër 5 mijë lekë të rinj, për t’ia bërë nënës jetën ca më të lehtë.

E gjitha kjo ndodhi pas publikimit të fotografisë së saj të parë, ku një polic bashkiak po i vinte gjobë, ndërsa shiste qepë e presh, të gjitha prodhime të shtëpisë së saj. “Edhe nga ato nuk kam përditë, varet. Kur është shumë shi e baltë, nuk dal fare se nuk arrij dot t’i mbledh”. Nënë Zylja jeton në fshatin Mazrek, pranë Kasharit, ndërsa për të shitur ka qoshen e saj në rrugën “Myslym Shyri”.

Dje, lajmi i kushedi se satë rreth saj ishte që kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i kishte ofruar një vend të sajin në një treg prej vërteti.

Deri këtu, gjithçka OK, vetëm se ajo që nuk u tha është se Zylja e kishte refuzuar. Jo për t’iu kundërvënë, por, sepse, ajo nuk ka aq mall sa t’i duhet një vend në treg dhe ka shumë mundësi që aty të humbasë mes të tjerëve me ato pak jeshillëqe që del të shesë.

“E falënderova kryetarin, por i thashë jo, tani për tani, nuk më duhet vendi te tregu. Do të vazhdoj të dal atje te vendi im. Këto ditë jo njëherë se nuk kam as mall, por kur të dal”. Një fotografi që qarkulloi dje në rrjetet sociale ku nënë Zyleja dilte duke puthur Veliajn, e bëri atë të dukej si nëna më e lumtur në botë, por në fakt, nga e gjithë kjo, ajo ende nuk ka kuptuar mirë se çfarë po ndodh. Vazhdon të dojë vendin e saj në rrugën “Myslym Shyri” dhe të mos gjobitet.

Deri tani, e vetmja e vërtetë nga gjithë sa është dëgjuar, është që po, gjoba i është paguar prej Veliajt. Para të tjera, JO, nuk ka marrë nga askush.

“Djali e pa që donin të na jepnin lekë, por deri tani nuk na ka dhënë askush. Nuk e di. Jam këtu po pres atë gazetaren ka 4 orë, nuk e di pse gënjejnë. Do të iki në shtëpi tani. Kam vajzën 45 vjeçe të sëmurë, është e paralizuar.

Asnjë nuk na ka dhënë lekë, pse thonë”. Nëse, pas kësaj do të mendoni se tashmë nënë Zylja nuk është më aq e besueshme për shkak të gjobave që mbante me vete e të cilat nuk mbanin emrin e saj, mos nxitoni.

Gjoba, vërtet mbante emrin e Xhevrijes, komshies së saj, por edhe kjo e ka një shpjegim. “Kam frikë moj nënë, prandaj kisha marrë edhe gjobat e Xhevrijes që kur të vinte policia për të më gjobitur, t’i tregoja gjobat demek më kishin gjobitur të tjerë më parë. Gjobën time e kisha paguar kur ma vunë 6 ditë më parë dhe tani mbaj edhe të sajat. Me vete i kam edhe tani”.

Sigurisht, tani nuk kanë më rëndësi ato që mban me vete sepse është nëna më e famshme e Tiranës, por, ajo vazhdon të mendojë se nëse do t’i afrohet një polic, Xhevrija do t’i zgjidhë përsëri punë. As që e di se ç’bëhet këtu me ne që nuk lëmë mendim pa dhënë e zgjidhje pa gjetur.

Di mirë vetëm se ç’bëhet në shtëpinë e saj, ku ato paratë që u tha se do t’i dhuroheshin, do të ndryshonin ndonjë tullë. Nga e gjithë kjo, ajo ka shpresuar pikërisht këtë, por në fakt u kthye e gjitha në një zhurmë ‘të mençurish’ që e bënë barsoletë. Mbrëmë në darkë, pas gjithë aktivitetit ‘zyrtar’, bashkë me të birin, me telefonin e të cilit komunikonte me ‘botën’ (dje, përgjigjej menjëherë ajo), u kthye në shtëpi duarbosh.

OK, pa gjoba për të shlyer, por pa marrë asgjë nga ato që u thanë. Më kot priti edhe gazetaren t’i shkonte. Këtë e ka bërë vetëm sepse çdo takim e përkthente në ndihmë konkrete financiare, por vetëm ajo që pati nevojë, nuk i ndodhi, ndërsa komentet në “Facebook” vazhdojnë.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura