Muzaka: Favoritë ishim vetëm ndaj Sant Hulias, aktivizimi në qendër i diskutueshëm

Sep 15, 2017 | 9:24
SHPËRNDAJE

Mesfushori i Skënderbeut, Gjergji Muzaka, ishte autori i golit të vetëm që korçarët realizuan në ndeshjen e mbrëmshme në Kiev përballë Dinamos. Në një intervistë të dhënë gjatë orëve të mbrëmjes për “Supersport”, ai foli për humbjen e skuadrës, rolin e tij në qendër të mesfushës, si dhe pikën më të fortë të bardhekuqve.

muzaka

Përmbysja e rezultatit

“E dinim që kundërshtari do të administronte rezultatin në momentin që pësuam dy gola. Goli i parë që pësuam ishte i pashmangshëm, nga një distancë e largët. Më pas erdhi edhe goli i dytë dhe loja mori një rrjedhë tjetër.”

Goli i shënuar

“Iu afrova portës dhe mendova ta gjuaja, pasi pashë hapësirën. Ndoshta u krijua pak hapësirë nga fakti se mbrojtësi kundërshtar mendoi se do të pasoja. Pikërisht për të shmangur ndërhyrjen e mbrojtësit që kishte mundësi për të më zënë rrezen e portës, godita me teknikë dhe jo fort.”

Roli në qendër të mesfushës

“I diskutueshëm është edhe ky pozicioni im në fushë. Por, ky rol që më ka caktuar trajneri ka të bëjë edhe me eksperiencën që unë kam në futboll. Mendoj se trajneri e ka menduar drejt këtë vendim për të më luajtur në qendër të mesfushës.”

Minutat në dispozicion

“Pavarësisht minutave që aktivizohesh, si për 90 minuta apo për 1 minutë, mjafton të japësh maksimumin.”

Pika më e fortë e Skënderbeut

“Arma kryesore e Skënderbeut ka qenë fryma e grupit. Përveç raundit të parë që kishim një ekip të dobët, ndaj çdo kundërshtari në eliminatore të Ligës së Europës ne nuk ishim favoritë. Por, ka ndikuar fryma e grupit dhe eksperienca e lojtarëve që ka Skënderbeu.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura