Mësime nga Ukraina: “7 kapacitetet kritike për fatin e luftërave të ardhshme”!

Sep 22, 2023 | 9:48
SHPËRNDAJE

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ PIRO AHMETAJ

Në 22 shkurt 2022, bota u zgjua e shokuar nga riciklimi i luftës neonaziste, të ndërmarrë nga Rusia-Putiniste për të pushtuar tërësinë territoriale të një vendi sovran (Ukrainës).

Që në krye të herës është nënvizuar, por rreth 19 muaj luftime, konfirmuan se agresioni ushtarak i Rusisë-Putiniste, nuk ishte vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe: “Kërcënim serioz ndaj rendit global të sigurisë si dhe ndaj interesave dhe vlerave Trans-atlantike (USA/UN/ NATO/BE)”.

PARAPRAKISHT, po risjell në vëmendje “6 Betejat e Humbura nga Rusia-Putiniste” përgjatë 1 vit e 7 muaj luftime të përgjakshme në Ukrainë:

1. Kurrsesi nuk e pushtoi Ukrainën, por është strukur e rraskapitur në transhetë e Donbaskut, etj.

2. Humbi betejën për të minuar, ndërsa përkundër e forcoi kohezionin mes vendeve të NATO-s dhe marrëdhëniet Transatlantike (USA/BE).

3. Humbi betejën për t’i tronditur rendin dhe mekanizmat e sigurisë globale. Mbas 19 muajsh, vetëm soji i Kim-Jong-ut dhe 3/4 të të ngjashmit e Tij pranojnë t’i japin dorën Putinit!

4. Nuk arriti të tërheq Pekinin në një aventurë gjeostrategjike, për të hapur një fronti të ri lufte jo vetëm ndaj Tajvanit.

5. Gjithsesi dështoi për të ndezur fitilat e luftës në Ballkan duke frymëzuar Beogradin Zyrtar: “deri me agresion ushtarak, jo vetëm sovranitetit të Kosovës, por edhe prezencës së NATO/KFOR?, si dhe

6. Përtej izolimit stalinist, ka humbur betejën për të mbajtur kohezionin dhe krenarinë e kombit Rus.

Në përmbledhje: ”Dështimi në 6 betejat e sipërpërmendura, shënojnë vetëm fillimin e rrokullimës drejt humbjes turpëruese të luftës dhe diskreditimit gjeopolitike, që pret Rusinë – Putiniste.

SË DYTI: në vend të parathënies, kam përzgjedhur mesazhin-epitaf të ish-Presidentit të SHBA, Kennedy, i cili plot 60 vjet më parë (1963) në hapje të Konferencës së parë të Sigurisë së Mynihut (MSC): “T’i hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”.

Parë kështu, ndërsa fundi i luftës në Ukrainë mbetet çështje kohe (KUR?) institucionet, Universitetet/Akademitë/ Kolegjet Ushtarake, institutet, qendrat studimore, strategjistët/kolegët e fushës së sigurisë dhe të mbrojtjes në Uashington, Bruksel dhe 31 kryeqytetet e vendeve të NATO-s etj. janë duke mirëpeshuar mësimet e nxjerra nga fushëbeteja: “Jo vetëm për Ukrainën” në mënyrë që pas/ përtej kësaj lufte t’i miradresojnë ato në transformimin e sistemit të sigurisë dhe më posaçërisht në domosdoshmërinë e modernizimit të kapaciteteve ushtarake [armatimit, infrastrukturave, personelit dhe rregullave të angazhimit].

Më konkretisht, në vijim po paraqes shtatë kapacitetet kritike/ushtarake që do të përcaktojnë fatet e luftërave, ndoshta përtej 50 vitet që vijnë:

1.Kapacitete të Luftës Hibride: Rëndësia e strategjisë, taktikave dhe kapaciteteve të mbrojtjes nga kërcënimet hibride qëndron në aftësinë për të shfrytëzuar dobësitë e kundërshtarit dhe për të prishur proceset e tyre vendimmarrëse, duke lejuar përfundimisht një qasje më të shkathët për arritjen e qëllimeve strategjike, në fund të fundit për të mposhtur atë/kundërshtarin dhe demoralizuar aleat e tij.

Sulmet kibernetike marrin përparësi, pasi mund të paralizojnë infrastrukturën kritike, të prishin komunikimet dhe të depërtojnë në sistemet e armikut. Ndërsa fushatat e dezinformimit mbjellin përçarje, manipulojnë opinionin publik dhe gërryejnë besimin tek institucionet, presionet/sanksionet ekonomike dhe kufizimet tregtare, po ashtu imponojnë vështirësi që minojnë vendosmërinë e kundërshtarit.

2. Kapacitete të luftës së informacionit synojnë mbrojtjen e hapësirës informative dhe përfshin një sërë masash proaktive të domosdoshme për të mbrojtur zhvilluar kapacitet e një vendi të përfshirë në luftë. Lufta e/për Informacionit mbështetet në tri shtylla kryesore:

Së pari, siguria kibernetike përfshin mbrojtjen e të dhënave, të infrastrukturës kritike dhe rrjeteve qeveritare nga hakerat dhe aktorët e tjerë me qëllime armiqësore. Së dyti, masat dhe kapacitetet kundër dezinformimit për të luftuar/ndaluar përhapjen e informacionit të rremë ose mashtrues. Së treti, rritja e qëndrueshmërisë publike për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin që ata hasin/gjejnë në internet. Pra në thelb, Lufta e Informacionit është një qasje proaktive për të mbrojtur sferën tonë dixhitale si dhe besimin te vlerat demokratike.

3. Kapacitete kundër Avionëve pa Pilotë (dronëve ose UAV-në gjuhën e NATO-s): Masat kundër UAV janë strategji dhe teknologji moderne dhe kapacitete thelbësore të domosdoshme për luftën kundër dronëve, të cilat përfshijnë sisteme të avancuara të radarëve, bllokues të frekuencave të radios dhe raketa antidrone.

Për më tepër zhvillimi kapaciteteve efektive kundër UAV-ve kërkon një qasje gjithëpërfshirëse mbrojtëse dhe sulmuese me teknologji të avancuar, bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndërgjegjësim publik.

5. Kapacitete për Luftën Urbane përfshin zhvillimin, e strategjive, kapaciteteve dhe aftësi operacionale të përditësuara për sfidat unike të luftimit në mjediset urbane. Ndërsa kështu, mbetet thelbësore që:

Së pari, trupat duhet t’i nënshtrohen një trajnimi gjithëpërfshirës që përfshin luftime nga afër, pastrimin e ndërtesave dhe kontrollin e popullatës. Kjo përfshin përmirësimin e aftësive të qitjes dhe përdorimin e teknologjisë si p.sh syzet e shikimit natën, etj.

Së dyti, lufta urbane kërkon taktika të adaptueshme ndaj forcave armiqësore të fshehura midis civilëve. Armët jovdekjeprurëse si gaz lotsjellës dhe plumba gome duhet të përdoren me preçizion dhe maturi për të ruajtur jetën e kalimtarëve të pafajshëm.

3. Kapacitete të Mbledhjes së Inteligjencës. Këto kapacitete përfshijnë investimin në kapacitetet e avancuara të grumbullimit të informacionit në fusha të shumta, duke përfshirë imazhet satelitore, inteligjencën e sinjaleve (SIGINT) dhe inteligjencën me burim të hapur (OSINT).

4. Kapacitete të Lëvizshmërisë Strategjike: mbetet një koncept kritik në strategjitë ushtarake dhe të menaxhimit të krizave, që synon të sigurojë një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj kërcënimeve dhe emergjencave të paparashikuara. Ajo përfshin investimin në aftësinë për të lëvizur me shpejtësi trupat, pajisjet dhe burimet e mbrojtjes.

Nga ana tjetër, këto kapacitete luftimi “imponojnë” zhvillimin e forcave të reagimit të shpejtë, të cilat kanë si mision për t’iu përgjigjur “në kohë reale” krizave. Këto forca mund të vendosen për të menaxhuar situata të ndryshme, nga fatkeqësitë natyrore deri te kërcënimet e integritetit territorial dhe interesave kombëtare. Për të arritur lëvizshmërinë strategjike, bëhen investime në infrastrukturën e transportit, si avionë me dislokim të shpejtë, anije dhe personel të trajnuar mirë.

5. Kapacitete të Mbrojtjes Civile: Mbrojtja e civilëve në konfliktet moderne po merr një fokus vendimtar. Kjo është e rëndësishme veçanërisht sot kur bota bëhet gjithmonë e më e lidhur, dhe media ka një vëmendje të shtuar se çfarë ndodh me njerëzit e zakonshëm në konfliktet e armatosura.

Kjo mbrojtje përfshin masa si krijimi i zonave të sigurta për civilët, ofrimi i ndihmës humanitare dhe ndëshkimi i atyre që dëmtojnë qëllimisht jo-luftëtarët. Ideja është të kufizohen dëmet e shkaktuara nga konfliktet dhe të parandalohet humbjen e jetëve të pafajshme.

Konkluzione: Mësimet e nxjerra nga lufta “jo vetëm për Ukrainën” demonstrojnë domosdoshmërinë për zhvillimin e “shtatë kapacitetet thelbësore që nevojiten për të luftërat e ardhshme”, krahas atyre konvencionale. Këto kapacitete mund të shërbejnë gjithashtu edhe si “shportë/paketë kapacitetesh” për t’u përzgjedhur me prioritet nga NATO. Kjo këto kapacitete duhet t’i ketë NATO në tërësi, që merr nga vendet anët (ose force goals) siç i quan ajo, dhe që të gjitha së bashku mund të përbëjnë një fuqinë ushtarake të planizuar në Konceptin Strategjik të Aleancës, që u miratua në Samitin e Letonisë, në Korrik 2023.

SË TRETI, si edhe në disa dhjetëra vlerësimet strategjike, nga kapaciteti i Expertit për çështjet e SK, Rajonit & NATOs, do t’i këshilloja faktorët me peshë politike të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që: “humbja e luftës, kolapsi ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar që e pret Rusinë-Putiniste si dhe mësimet e nxjerra nga Lufta “jo vetëm për Ukrainën”, mbeten rrethana (por jo dhurata) të favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit së RSh në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/NATO) si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në Rajon, Mesdhe, etj”!

Po ashtu do këshilloja aktorët shtetërore të RSH dhe të Kosovës (Dy Shtete sovrane të një Kombi të vetëm) që, përtej kësaj lufte të konfirmojnë angazhimin afatgjatë dhe vendosmërinë konstante për: “transformimi e sistemit të mbrojtjes mbarëkombëtare; modernizimi e kapaciteteve; përmirësimin e aftësive operacionale dhe kulturës së bashkëpunimit mes strukturave shtetërore, në interes të sigurisë së jetës, pronës dhe mirëqenies së qytetarëve; forcimin e besimit në vlerat euro-atlantike; mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe përmbushjen e detyrimeve në NATO”!

Me këtë rast, do doja të përcillja publikisht edhe një mesazh për politikëbërësit: “Përkushtimi, përulësia fisnike, sakrificat sublime dhe përgjegjshmëria e spikatur e ushtarakëve, policisë, inteligjencës, mjekëve, infermierëve, personelit të emergjencave civile, etj, meritojnë të trajtohen me dinjitet”.

* Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n, Zv/President i Këshillit të Atlantikut; si dhe: Ish-Këshilltar i Presidentit, Zv/ ShShP; Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/ NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura