“Më vdiq vajza”, biznesmenit i zhvatin 12 milionë lekë. Zbardhen bisedat telefonike

Dec 31, 2017 | 10:20
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Një biznesmen nga Durrësi ka rënë pre e një mashtruesi, i cili ka mundur t’i zhvatë plot 12 milionë lekë të vjetra. Historia nis që në vitin 2016, kur biznesmeni me inicialet A.B., merr një telefonatë anonime nga mashtruesi.

Gjykata-e-Tiranes_9_14

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që disponohet nga “Panorama”, i pandehuri ka marrë një telefonatë në janar të vitit 2016, nga i pandehuri, i cili ishte prezantuar me emrin Olsi. Ky person i ka thënë biznesmenit se kishte ngatërruar numër, ndërsa në bisedë e sipër, biznesmeni i ka sqaruar se ai kishte disa kamionë që i jepte me qira. Atë ditë, ata kanë lënë një takim në Tiranë, ku i pandehuri, me inicialet E.H., i ka kërkuar më shumë informacion për biznesin që ai kryente.

Për tri ditë me radhë, ata kanë biseduar sërish në telefon. Sipas dëshmisë së biznesmenit A.B., më datë 15 janar, i pandehuri e ka telefonuar rreth orës 3:00 të mëngjesit, duke i thënë se i kishte vdekur vajza në një aksident në Prizren dhe se atij i duheshin para për të tërhequr trupin nga morgu. Biznesmeni ka pranuar dhe i ka dhënë të pandehurit 380 euro dhe 20 mijë lekë të reja. I pandehuri i ka premtuar se do t’ia kthente paratë pas varrimit dhe se këto nuk i mjaftonin.

Biznesmeni, një ditë më pas, ka shkuar te banka dhe ka tërhequr 6200 euro dhe ia ka dhënë të pandehurit. Më pas, i pandehuri i ka kërkuar edhe 315 mijë lekë të reja për drekën e varrimit. Biznesmeni ka insistuar që të marrë pjesë në varrimin e supozuar, por i pandehuri i ka thënë se nuk kishte pse të vinte, pasi edhe ai ishte i tronditur nga ngjarja.

Më pas, ai e ka telefonuar disa herë për paratë, por i pandehuri gjithmonë e ka shmangur. Pas shumë insistimeve, i pandehuri i ka thënë biznesmenit se paratë mund t’i merrte te një argjendari, e cila i kishte borxh të pandehurit.

Po atë ditë, më 25 janar 2016, një person i panjohur ka telefonuar biznesmenin, duke i thënë se i pandehuri kishte një sasi ari në argjendari dhe se atë mund ta merrte në vend të parave. Telefonuesi është prezantuar si djali i pronarit të argjendarisë. Pas këtij komunikimi, biznesmeni nuk ka mundur më të gjejë mashtruesin dhe ka gjurmuar numrin, me të cilin ai e kishte telefonuar më parë. Ai ka zbuluar se numri ishte i një miku të tij. Pasi ka takuar mikun e tij, ai ka zbuluar edhe identitetin e vërtetë të Olsit.

Pas kësaj, biznesmeni ka bërë kallëzim në Polici dhe është bërë i mundur arrestimi i mashtruesit. Në përfundim, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 vjet burgim. Vendimi është dhënë në tetor të këtij viti. Vetë i pandehuri ka kërkuar pafajësi dhe nuk ka pranuar gjykim të shkurtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura