“Me kë talleni ju, mër langaraqë?!”/ Me gafa dhe mallkime, ja lamtumira e djeshme e deputetëve të fundlistës

Jul 8, 2021 | 12:48
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Deputetët e opozitës parlamentare i dhanë fund dje një aventure të cilën katër vjet më parë nuk e kishin imagjinuar.

Në seancën e fundit të kësaj legjislature nuk munguan gafat dhe mallkimet e tyre në çdo adresë, si ndaj Brukselit që nuk dha një datë për konferencën e parë ndërqeveritare, ashtu dhe ndaj vetë kolegëve në Kuvend, për votën e përdorur në ligje të veçanta.

Deputeti Selami Jenisheri është shprehur i sigurt se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të përsëriten. Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit në ditën e fundit të tij si deputet, ai tha se zgjedhjet janë të kundërligjshme pasi është thyer neni 24 i Kodit Zgjedhor për votën e emigrantëve.

“Unë ndihem me turp që nuk kam arritur të bind këta deputetë ligjvënës që të miratojnë marrjen e 150 milionë eurove nga një organizatë humanitare e Kombeve të Bashkuara, me këtë shumë prej 180 miliardë lekësh, mendoni se sa shumë punë të mira do të ishin bërë, sa fshatra turistike do të ishin bërë. Këta deputetë janë deputetët më të poshtër që ka pasur historia e Parlamentit shqiptar. Nuk kanë pranuar të votojnë ligjin që kanë propozuar për detektivin privat, sepse është ky detektiv që të çon direkt në burg. Karriera ime është ditën e premte në orën 09:30 te Gjykata Zgjedhore Gjyqësore, pasi kam gjyq për përsëritjen e zgjedhjeve”, tha Jenisheri.

INTEGRIMI

Deputeti i opozitës Besnik Troplini habiti dje me fjalimin e tij në Kuvend ku ka përdorur shumë ofendime në drejtim të Brukseli, pse nuk hap negociatat dhe nuk vendos një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

“Dëgjuam Avokaten e Popullit dhe raportin e Kryetarit të Kuvendit që bëri një pasqyrë të plotë të kësaj legjislature. Të gjithë shqiptarët e kishin mendjen te takimi i Luksemburgut ku do të caktohej data për takimin e parë ndërqeveritar për hapjen e negociatave. Kjo nuk ndodhi. Pse ne do t’i zgjidhim mosmarrëveshjet që ka Maqedonia me Bullgarinë?! Brukseli ka qeveri me dy fytyra. Nuk e njohin fare realitetin e Shqipërisë, por merren me telefonata. Durimi e ka njëfarë kufiri. Mos ta marrin më Shqipërinë nëpër gojë. Me kë talleni ju, më mër langaraqë. Kush keni qenë ju. Më çdo 9 maj mblidheni. Para disa vitesh ishit në mes të rrugëve pa brekë ishit. Kur Berlusconi propozoi që për vendet postkomuniste në Ballkan duhej një ‘plan marshall’, kancelaritë mbyllën dyert. Në BE janë ca zagarë. Vetë thanë që kemi plotësuar kushtet. Nëse nuk doni, ne në punën tonë, ju në punën tuaj. Shqipëria ka Amerikën dhe Italinë. Më vjen keq se prisnim një datë për hapjen e negociatave, por kjo nuk ndodhi”, tha Troplini.

PLAGJIATURA

Deputetja e opozitës Majlinda Halilaj, e cila do të mbahet mend si “deputetja e kërpëratave”, për shkak të leximit të fjalimit të saj plot gafa dhe gabime në një nga seancat plenare, nuk do të jetë më në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën e ardhshme.

Deputetja që zuri vendin e Lulzim Bashës në Parlament lexoi fjalimin e mbajtur nga ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku. Ajo u pyet dje nga gazetarët nëse i vinte keq që nuk do të ishte më deputete në Kuvend. Pyetjes se për çfarë do të mbaheni mend, Halili iu përgjigj:

“Besoj se kam punuar shumë!”. Ndërsa e pyetur se kush është ligji më i rëndësishëm që keni votuar, ajo u përgjigj: “Ato që duheshin votuar!”.

MANDATET

Emrat e tyre mbushën formalisht listat e partive të tyre, PD dhe LSI, në pozicione ku asnjë kalkulim nuk i bënte ata deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Por ata kapën fatin që u erdhi nga kryetarët e partive të tyre, të cilët më 20 shkurt 2019 vendosën të djegin mandatet e deputetëve dhe të braktisin Parlamentin.

Edhe pse dogjën mandatet, nuk munguan që në ditët e para anatemimet ndaj tyre nga partitë që i kishin vendosur të pashpresë në fund të listës, madje duke i akuzuar si të shitur te Kryeministri Rama. Si një shpagim ndaj këtij qëndrimi, edhe pse kritikë herë-herë ndaj qeverisë, deputetët e opozitës së re bashkuan votën e tyre me maxhorancën.

Madje ky bashkëpunim arriti kulmin, kur disa prej tyre u rreshtuan edhe kësaj radhe në fundlistat e kandidatëve për deputetë të PS-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Nimet Musai, Halit Valteri, Klajdi Qamo, Ediola Braha, Ylli Shehu ishin pjesë e listave të deputetëve të PS-së. Më aktivi ndër deputetët e opozitës, nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, i cili do të mbahet mend për denoncimin e vazhdueshëm nga ana e tij të një pakti mes Kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, i zhveshur nga çdo ngarkesë partiake apo interes politik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura