Pas marrjes së detyrës, kryeministri i ri britanik Andy Burnham zhvillon një telefonatë me Trump! Presidenti i SHBA zbardh diskutimet

Jul 21, 2026 | 8:40

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi përmes një postimi në Truth Social se ka zhvilluar një bisedë “shumë të mirë” telefonike me kryeministrin e ri britanik, Andy Burnham, i cili mori detyrën të hënën.

trump burnham

Trump tha se në fokus të bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, nafta në Detin e Veriut, tregtia, aleanca ushtarake si edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, përfshirë çështjen e Ngushticës së Hormuzit.

“Pata një bisedë shumë të mirë me Kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham. Diskutuam shumë tema, përfshirë marrëdhënien e shkëlqyer që kemi pasur me Mbretërinë e Bashkuar. Do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët për tema me interes të ndërsjellë. Kryeministri ka një punë të madhe përpara, por ai do të jetë në gjendje ta bëjë atë dhe, sigurisht, SHBA-të do të jenë aty për të ndihmuar!

Diskutuam për naftën e Detit të Veriut, Tregtinë, Aleancën Ushtarake, Çminimin e Ngushticës së Hormuzit dhe shumë tema të tjera. Biseda ishte interesante dhe shkoi shumë mirë. I urova Kryeministrit Burnham fat të mirë dhe shpejtësi”, shkroi presidenti amerikan.

Andy Burnham mori detyrën si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar një ditë më parë, pasi Keir Starmer paraqiti zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kreut të qeverisë britanike.

© Panorama.al

Te lidhura