Lojërat Europiane 2023/ Shqipëria lë pas Greqinë, ja kush ka fituar medalje ari për Shqipërinë

Jun 26, 2023 | 8:45
SHPËRNDAJE

Në Poloni vijojnë garat e edicionit të tretë të Lojërave Europiane, aktivitet në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria. Pas medaljes së artë historike të fituar të premten nga karateisti Alvin Karaqi, fundjava ka parë konfirmimin e Luiza Gegës si kohën më të shpejtë në Europianin Ekipor në garën e 3000 metrave me pengesa, duke i çuar në dy numrin e medaljeve të arta të Shqipërisë në aktivitetin që po mbahet në Poloni.

gega

Kështu kombëtarja shqiptare lë pas shtete si Greqia, Suedia, Belgjika, Sllovenia etj., të cilat deri më tani nuk kanë mundur që të fitojnë më shumë se një medalje ari. Ndërkohë ka vijuar konkurrimi i sportistëve të kombëtares kuqezi. Boksieri Alban Beqiri i ka nisur me këmbë të mbarë Lojërat Europiane, teksa ka debutuar dje me fitore në kategorinë e peshave 71 kg. Beqiri mposhti në ndeshjen për 1/32-at e finaleve sllovenin Dejan Leburic me rezultatin 4-1. Një duel i dominuar tërësisht nga boksieri kuqezi, i cili siç dihet mban edhe rezultatin më të lart në historinë e boksit shqiptar, si i pari dhe i vetmi medalist në një kampionat botëror.

Kështu Beqiri është kualifikuar për në 1/16-at, aty ku do të përballet me lituanezin Aleksandr Trofimcuk, duel që do të zhvillohet nesër në orën 20:00. Beqirin e pret një sfidë e fortë ndaj një rivali me eksperiencë të madhe në boksin olimpik (lituanezi regjistron 16 fitore dhe 9 humbje). Të shtunën janë ngjitur në ring edhe dy boksierë të tjerë kuqezi, por që janë eliminuar që në sfidat e para. Kështu Redis Karaj u mund 5- 0 nga italiani Salvatore Cavallaro për peshat 80 kg. Me të njëjtin rezultat u mposht edhe Gelian Rojku nga gjermani Alexander Chris Okafor për peshat 92 kg. Ndërsa Ardit Murja siç dihet është kualifikuar për në raundin e dytë, teksa mundi moldavin Victor Vacula me rezultatin 3-2, duel për peshat 57 kg i zhvilluar më 23 qershor. Jurido Cani e përfundoi në vend të pestë konkurrimin e tij në kategorinë e peshave deri në 63 kg në taekuondo. 24- vjeçari ka zhvilluar paraqitje të mira në Krakovë, duke qenë deri në fund në garë për medalje.

Cani e nisi rrugëtimin e tij në raundin e 1/16-ave, teksa u mund 2-1 nga italiani Bareta. Me italianin që shkoi në finale, Cani kaloi në ripeshkim, duke mundur polakun Uscimiuk me rezultatin 2-1, për të fituar të drejtën për duelin e final për bronzin. Por më pas u mposht nga francezi Alafilip në shifrat 2-0, duke mos arritur që të ngjitet në podium. Ndërkohë qitësja Manjola Konini u klasifikua në vend të fundit mes 35 konkurrenteve në disiplinën 25 metra pistoletë, me 271 pikë të grumbulluara.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura