Ligji mbi Universitetin e së Ardhmes

Jul 20, 2015 | 12:53
SHPËRNDAJE

PROF. DR. ROMEO GURAKUQI
romeo-gurakuqi
Analiza e gjendjes në të cilën është arsimi universitar shqiptar aktualisht, realizmi në vlerësim dhe paraqitja e strategjisë për daljen nga situata e prapambetur ku ndodhemi, besoj se do të duhej të ishte mision i konstruktivistëve, filozofëve të arsimimit dhe dijes dhe kujtdo nga profesorati shqiptar që dëshiron një universitet shqiptar të ndryshëm, të paktën të krahasueshëm me vendet ballkanike. Përndryshe, konstruktiviteti duhet të udhëheqë vendimmarrjen  politike, pozitare dhe opozitare, në këto ditë shumë të rëndësishme, kur pozicionimi ndaj reformës universitare është shtruar në rendin e ditës, kur pak ditë na ndajnë nga fillimi i një epoke të re për arsimin universitar.

Shoqëria jonë po tregohet më e ndjeshme, më e kthjellët për gjendjen e mjeruar ku ka degraduar sistemi arsimor dhe ai universitar në këto dy dekada, sesa opinioni brenda sistemit në tërësi, i cili ndodhet rob i Kastave Universitare të Kafeneve. Është pikërisht ky opinion, janë prindërit shqiptarë dhe brezi i ri i Shqipërisë së etur për progres mbi dije, që kanë vënë para politikën për të bërë një analizë tërësore. Për së dyti (rasti i parë ka qenë i reformës së viteve 2007-2008 drejtuar nga ministri reformator Genc Pollo), shoqëria dhe politika kanë rastin të vendosin reformimin pa ndalje të universiteteve shqiptare, të ndajnë Universitetin nga Magazinat diplomuese, pa regjistra, pa biblioteka, pa profesorë, pa studentë dhe pa shtëpi botuese universitare. Të martën Parlamenti shqiptar ka rastin të vulosë me njëzëshmëri historike, të ardhmen e segmentit të epërm të sistemit arsimor dhe të hapë rrugën për reformimin, me kambë në tokë, të trupit dhe fillesës së sistemit arsimor (arsimit parauniversitar).
* * *
Për të kujtuar: projektligji aktual është projekti i dytë i vërtetë i ndryshimit të sistemit universitar shqiptar, që nuk do të duhet të lejohet të ndalet nuk do të duhet t’i shtrembërohet “bisturia” operacionale e prerjes së kalbësirës universitare, sikurse ndodhi me reformën shumë të rëndësishme të viteve 2007-2008, nga ndërhyrjet në politikë, të kastave universitare, shtetërore dhe private, që s’kishin asnjë lidhje me arsimin e shkencën.

Më duhet të ripërsëris se, në qoftë se reforma e viteve 2007-2008 do të zbatohej siç u projektua, në kornizën e vet maksimale të parashikuar në legjislacion dhe aktet nënligjore, sikur akte të caktuara të ishin shtuar për të ndëshkuar moszbatuesit e atij ligji, projekti aktual do të konsiderohej rrjedhë logjike e rritjes së sistemit tonë universitar, do të përthithej më me lehtësi dhe nuk do të recensohej me mungesë ekspertize dhe pasione. Mbasi sot nuk do të kishim më në sistem një pjesë të universiteteve dhe fakulteteve të kalbura shtetërore që bëjnë rezistencë, kurse magazinat private, pa rekorde jetësore, nuk do të ishin futur në punën e tyre të pandershme të dëmtimit të rinisë.

Liria akademike dhe hapja e tregut për nismën private në arsim, nuk duhet të ngatërrohet me shfrenim në sistemin privat dhe me ngurtësim të pashallarëve universitarë shtetërorë, që kanë monopolizuar jetën, po i shterojnë buxhetet e varfra të familjeve shqiptarë me korrupsionin e tyre të neveritshëm, që i kanë prerë rrugën konkurrencës dhe frymës universitare perëndimore.
Profesorët e nderuar, që i bëjnë oponencë të paepur projektit, duhet të kujtohen se Shqipëria universitare nuk është vetëm Katedra e Vogël e tyre shembullore dhe krenare (edhe për ne që i kemi pjesë të botës nga marrim shembull), që ata kanë krijuar në këndin e tyre të respektuar të dijes, por janë edhe me dhjetëra e dhjetëra kurse ineficiente që i ofrohen brezit të ri universitar në cepat e Shqipërisë, ku ka emërtime universitare, por Universiteti ka vdekur pa lindur, ose është fishkur nga marrëzia dhe etja për pasurim me gjakun e djersen e prindërve shqiptarë të robëruar në arat dhe kantieret e punës së pasigurt në këtë vend të varfër. E drejtë kërkesa e tyre për fshirjen e bordeve të tepërta dhe të pambrojtura nga kontrollimi politik, por e pashpjegueshme heshtja e tyre ndaj kastave të ngurtësueme që i kanë marrë frymën gjithshkaje në sistemin universitar shqiptar, përfshirë edhe rrugës së tyre të drejtë dhe të sinqertë.

Që një vit më parë në këtë kohë, MAS, përmes Raportit Programatik dhe më pas Raportit të Verifikimit të Kritereve të Ligjshmërisë së IAL-ve private dhe publike dhe Përfundimet e këtyre dy dokumenteve, bënë skanimin e parë në terren, me një procedurë tërësisht demokratike, transparente, verifikuese dhe me opsion apelimi, të universiteteve shqiptare. Këto dy raporte u ndanë me publikun, i cili, për hir të së vërtetës, i mirëpriti. Sot, publiku dhe universitetet kanë para projektligjin në të cilin kanë dhënë kontributin e tyre themeltar, së paku, katër intelektualë, te të cilët unë besoj, për shkak të shkollës nga vijnë, ndershmërisë, staturës intelektuale, shembujve universitarë që ata kanë krijuar dhe vullnetit ideal për t’i shërbyer vendit, në një moment shumë të vështirë të tij.
* * *
Kuadri i gjërave, ku kemi arritur sot, është njohja e parë që një ekzekutiv shqiptar i bën qartazi një sistemi, do ta quaja, të degraduar, të korruptuar dhe antidije, të cilin të gjithë e shihnim, por sa herë dikush tentoi ta korrigjonte më të vërtetë dhe në thelb, ia ndërprenë vullnetin me udhëzim politik e klientelist. Nga përvoja personale mund të them se, përpjekjes dhe vendosmërisë për shëndoshje iu shmangën dje, qoftë faktorët ekzekutivë të brendshëm, ashtu edhe ato të konsulencës ndërkombëtare të financuar nga Banka Botërore.

Reforma që po kryhet aktualisht, e impostuar në kuadrin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit dhe “Shqipëria drejt Europa 20120”, është rasti tipik i parë, i dëgjesës dhe i përgjigjes, që një prej dikastereve të ekzekutivit aktual i bën thirrjes së Komisionit Europian për udhëheqjen e zhvillimit socio-ekonomik, “për rritje të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”; është një përgjigje që i bën opinionit publik përparimtar, opinioneve të shprehura në media, nga disa prej specialistëve të sistemit universitar dhe të botës akademike. Unë mendoj se, kushdo që ka ndërgjegje për këtë vend dhe të ardhmen e fëmijëve të tij, do të duhet ta përshëndesë, mbështesë dhe ta inkurajojë zbatimin e përshpejtuar të ligjit.
Projektligjin e shndërruar në ligj, gjithsesi, unë do ta konsideroja vetëm hapin e parë të një udhe të gjatë reformuese, që hap mundësinë për shpolitizimin e ekipeve implementuese të parimeve të reformës. Ligji do të jetë një hap i parë, që ka nevojë të përforcohet dhe t’i jepet qëndrueshmëri, pavarësisht presioneve që do t’i nënshtrohet nga pjesa e kalbur e arsimit universitar, e mpleksur me politiken e vjetër dekonstruktiviste.

Si është arritur deri këtu? Unë mendoj se kemi të bëjmë me kombinimin e disa faktorëve: presioni i forcave të pavarura intelektuale që tërhoqën vëmendjen mbi pikën fundore të degradimit; qenia e një faktori subjektiv progresist, vullnetmirë ndaj dëgjesës publike në krye të MAS; përbashkimi dhe konvergimi i zerave mbi tipin e terapisë që duhej ndërmarrë dhe puna në grup dhe me transparencë e një pjese të ekipit të ekspertëve; të gjitha këto kanë bërë që sot të kemi një pikë të dytë nisjeje, pas asaj të vitit 2007. Unë mendoj se nga pasnesër, publiku do të ketë një udhëzim për nga do të duhet të këshillojë brezin e ri, vitet e reja shkollore në universitetet shqiptare do të fillojnë më të pastra dhe jo aq i rrëmujshëm, abuzuesit sistematikë me edukimin e brezit të ri, tashmë në një rreth edhe më të ngushtuar të manovrimit, i cili pritet që t’ia shtrëngojë rrethin e veprimit përkundrejt rregullave dhe t’i nxjerrë jashtë prej bërjes biznes dhe karrierë, me të ardhmen e vendit.

Ligji i ri do të veçojë, etiketojë dhe amortizojë pjesën më të madhe të së keqes në sferën private të sistemit universitar, duke mbrojtur lirinë e sipërmarrjes private nën respektimin rigoroz të rregullave, dhe do të fillojë të depërtojë në hullinë e errët të sistemit universitar dhe hermetik shtetëror, që përbën 85% të sistemit. Fatkeqësisht, ndonjë prej universiteteve shtetërore e private do të vazhdojnë të jenë, edhe për pak, të ngatërruar me 6 ose 7 universitete të rëndësishme dhe serioze private dhe publike, që tashmë bashkërisht do t’i shërbejnë PUBLIKUT. Sistemi aktual shtetëror, për mënyrën se si është krijuar dhe madhësinë gjigante që ka, ka bërë dëme kolosale mbi të ardhmen e vendit në dije, përparim e konkurrencë. Dhe mendoj se, pavarësisht kostos politike, ai nuk do të duhet t’i peshojë më shoqërisë, në qoftë se nuk përballon standardet, konkurrencën dhe nuk promovon karrierë të mirëfilltë të profesorëve dhe rinovim stafesh.
* * *
Veçimi i universiteteve serioze do t’i hapë mundësinë sektorit privat të përparojë më tej, tashmë në përfitim të publikut, i pandotur nga pjesa informale që u ka bërë dëm atyre, shoqërisë, familjes, administratës publike, shtetit ligjor dhe të ardhmes së vendit.
Parlamentarët shqiptarë kanë para një reformë liberale, modernizuese, të së ardhmes, që është vërtet rrënjësore në prerjen e saj dhe ndoshta e pakapshme për rendin e gjërave që ato janë mësuar deri më tash, por ajo reformë krijon një tërësi mekanizmash makro, nxit konkurrencën e lirë dhe promovon cilësinë e performancën e IAL-ve, i jep një stimul përforcues dhe perfeksionues Procesit të Bolonjës drejt Europa 2020 në Shqipëri.

I gjithë ky proces është i shoqëruar me një kontroll central të gjithanshëm, të disa organizmave indipendentë governativë (që duhet të garantohen ligjërisht të mbeten të tillë jashtë ndikimit politik), që do ndjekin nivelin e arsimit të lartë, do të sigurojnë cilësinë, ndërtojnë kapacitete e nevojshme institucionale për pjesëmarrjen në skemat europiane, përforcimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, reformimin, financimin, zhvillimin e stabilizimin e sistemit universitar shqiptar në dekadat e ardhshme. Në pikëpamje të impostimit teorik, ky projektligj, pa droje, mund të konsiderohet një reformë neoliberale, por që është prekur nga një ndërhyrje e lehtë shformuese nga interesa të caktuara të universiteteve publike kryesisht, që, prapëseprapë, janë të pakënaqura nga prishja e domenit fillestar të “trashëguar”.

Sot publiku ka një projekt-arkitekturë të universiteteve mbijetuese të Republikës së Shqipërisë, në planin publik dhe atë privat, pavarësisht cedimeve të kritikueshme që ndodhen pas shtatorit 2014. MAS në harkun kohor tetor 2013 deri në gusht 2014, arriti të “kontrollojë territorin” në arsim me ligjin aktual, nga shtator 2014 deri në korrik 2015 janë përgatitur rrethanat për akreditim dhe kalim provash të pjesës së mbetur, ndërsa me shndërrimin në ligj të projektit të ri, sistemi universitar është para sfidës së udhëheqjes së transformimit rrënjësor, që do t’i lejojë të jetojnë me shërbim cilësor, të ndershëm, të drejtë dhe pa abuzime ndaj publikut, vetëm atyre universiteteve, që do kenë profesorat të mirëfilltë, departamente të plotësuara me kuadro nga universitete perëndimore, me tri cikle të artikuluara qartësisht, shkolla doktorale efektive të standardizuara, biblioteka të mirëfillta ku mund të aksesohet çdo botim i ri nga këndet e ndryshme të globit dhe shtëpi botuese universitare etj.

Tri vërejtje kryesore:
1. Reforma ka kosto dhe qeveria duhet të ketë parasysh se, me pjesën e ndarë aktualisht në buxhetin e arsimit nuk mund ta realizojë dot këtë reformë. Emergjente bëhet nevoja e rritjes së pjesës së buxhetit të shtetit për arsimin universitar, ndoshta edhe me dyfishim të menjëhershëm, duke prerë shpenzimet për lustër e propagandë. Duhet të kujtoj, se nga viti 2001 pagat e profesorëve universitarë shtetërorë nuk janë rritur dhe ato gjenden në nivelin 40% të pagës së profesorit në Universitetin e Prishtinës. Pa rritjen e pagave të profesorit universitar dhe PhD të ardhur nga universitete e vendeve të OECD-së, nuk ka reformë të qenësishme. Unë i përmbahem pikëpamjes se reforma do të duhet të përfshijë gjithë sistemin nën një kontroll, garanci financiare, rregullim të rreptë dhe nën një programim makro të shpërndarjes ndërtimore, por shteti nuk do të duhet të financojë dhe mbështesë materialisht të gjithë bashkësinë e IAL-ve në Shqipëri, por, veç nuklin e mbijetesës së profesoratit të afirmuar të cekur më lart, studentin ekselent dhe studentin në nevojë, brenda kriterit; së dyti, vetëm ato institucione në shërbim të publikut, që do të përputhen me parametrat bashkëkohorë të ekzistencës, që pranojnë procesin e konkurrencës dhe rinovimit të brendshëm të kuadrit me staf të ri të shkolluar vetëm nga një rrjet universitetesh perëndimore të listuara nga MAS, që pranojnë një skemë financiare administrimi që mban paranë publike dhe private brenda procesit universitar, mësimor dhe shkencor, bazuar në një skemë përdoruese të përgatitur nga ekspertët financiarë shtetërorë të MAS; ato universitete që mbrojnë profesoratin e afirmuar me sistemin e tenureship. Me sistemin aktual të pagave të pedagogëve të universiteteve shtetërore, asnjë perspektivë nuk mendohet të ketë në këtë vend në aspektin universitar dhe ligji mund të mos implementohet me sukses.

2. Ligji nuk parashikon tenureship-in, pra nuk ka të parashikuar ligjërisht statusin e profesorëve që kanë një përvojë të veçantë në mësimdhënien universitare prej së paku 15 vitesh. Përzgjedhja e profesorëve në këtë status është e përcaktuar nga aftësitë e mësimdhënies, progresi i kërkimit shkencor, të dhënat e botimeve, niveli i shërbimeve departamentale dhe cilësia e këshillimit ndaj studentëve. Tenurship është garantimi i lirisë akademike dhe i veprimtarisë në të mirë të publikut në një vend të lirë; është pacenueshmëri politike dhe individuale, është një e drejtë e patjetërsueshme në një vend demokratik për intelektualin, është palëvizshmëri ndaj tekave të individëve dhe kastave.

3. Ndërhyrja e tretë do të duhet t’i përkasë sferës institucionale në universitetet shtetërore: Pyetja që shtrohet është kjo: A mundet dhe a ka shpresë publiku, por edhe maxhoranca që ka prezantuar këtë projektligj, që me strukturat aktuale direktive të universiteteve, kështu të ndërtuara, me sistemin e tarafit, nepotizmit dhe shkëmbimit të interesave, reforma e projektuar nga MAS dhe strategjia Shqipëria drejt Europa 2020, do të ketë sukses? Mendimi dhe gjetja e një mekanizmi zhbllokues nga ana e MAS, për zgjerimin e profesoratit me të doktoruarit në Perëndim, ridemokratizimi dhe rikthimi i autonomisë është një prej elementeve të munguar në projektin që do të duhet të parashikohet në orët në vijim. E gjithë kjo do të duhet të bëhet në emër të çlirimit të universiteteve shtetërore nga kastat e amortizueme aktuale, që kanë deformuar autonominë, kontrollin akademik të sistemit dhe kanë bllokuar qarkullimin e elitave. Rikthimi i trurit të brezit të ri të shqiptarëve që janë shkolluar në Perëndim dhe vendosja e tyre në universitetet shtetërore në mënyrë të programuar dhe kontrolluar nga Qeveria përmes MAS, mbetet një prioritet ende i pazgjidhur, që, në qoftë se nuk zgjidhet, rrezikon të përmbysë gjithshka. Qeveria duhet të marrë përsipër së paku rithemelimin e një universiteti të vetëm model shtetëror në interes të publikut, nga e para, që të shërbejë si stekë e re e zhvillimit të arsimit e shkencës bashkëkohore shqiptare.

Pra, të mendohet një projekt-pilot në një prej universiteteve të degraduara aktuale, që të vendoset nën kontrollin e MAS dhe të rithemelohet mbi kornizën e frymën e ligjit. Kur individë me vullnet dhe idealizëm kanë arritur ta bëjnë realitet këtë në Shqipëri, në një ose më shumë universitete private, unë mendoj se shteti e ka edhe më të lehtë sesa e kanë pasur ata profesorë vullnetmirë, vite më parë e deri më sot, realizimin e ëndrrës së një universiteti cilësor në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura