Liceu Francez, historia e shkollës së famshme dhe fati i ish-nxënësve

Oct 26, 2017 | 13:56
SHPËRNDAJE

Liceu Francez i Korçës, një nga institucionet më të rëndësishme arsimore të paraçlirimit, u kujtua dje në 100-vjetorin e tij. Merrnin pjesë në këtë aktivitet ish-liceistë e pasardhës të tyre, të cilët ndanë kujtime nga vitet e shkollimit në këtë institucion. U kujtuan me këtë rast edhe ata ish-liceistë e profesorë që kanë dhënë mësim aty, figura të shquara të arsimit, politikës, shkencës e kulturës, që nuk jetojnë më, madje disa prej tyre kanë përfunduar tragjikisht gjatë viteve të diktaturës, regjimit të mbajtur për 45 vjet nga një ish-nxënës dhe profesor i kësaj shkolle.

Me këtë rast u vlerësuan me titullin “Emblema e artë e qytetit” 35 intelektualë që kanë studiuar apo kanë dhënë mësim në këtë lice. Po ashtu u zbulua edhe një pllakë përkujtimore pranë shkollës dygjuhëshe “Raqi Qirinxhi”, që konsiderohet si vazhduesja e Liceut Francez.

liceu francez

NIKO KOTHERJA

Njëqind vjet më parë, më 25 tetor 1917, në kohën kur funksiononte Republika Shqiptare e Korçës, hapi dyert shkolla e parë e kulturës së përgjithshme në Shqipëri. Jemi në vitet e vështira të Luftës I Botërore, kur Korça, përveç një administrate shtetërore model, kishte edhe kartëmonedhat e saj, edhe pullat e saj postare, edhe flamurin e saj: këto tri elemente të rëndësishme identitare. Liceu Francez u hap në shtëpinë e rilindasve Dhimitër dhe Nuçi Emanoil Mborja, të cilët e lëshuan banesën e tyre pa qira në favor të Liceut të Korçës.

Më pas, Liceu vazhdoi rrugëtimin e tij në godinën e ish-gjimnazit grek të Korçës, aty ku sot ngrihet shtatorja dhe varri monumental i heroit Themistokli Gërmenji. Viti shkollor 1921 do ta gjente Liceun në godinën e dhuruar nga mirëbërësit drenovarë Kostandin dhe Erakli Duro. Me dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e arsimit kombëtar, filantropi Thoma Turtulli dhe bashkëshortja e tij, Athina Frashëri Adamidi, financuan më 1934 ndërtimin e një godine të re, ku vijoi rrugëtimin e tij Liceu Kombëtar. Kjo shkollë u ngrit mbi bazën e programeve mësimore franceze, një stafi pedagogjik shqiptaro-francez, në bashkëpunim me intelektualët arsimdashës korçarë. Programi përmbante lëndë mësimore, themel të arsimimit të përgjithshëm, si dhe gjuhët klasike, si latinishtja dhe greqishtja e vjetër.

Gjuha e përdorur ishte frëngjishtja, me përjashtim të gjuhës shqipe, që jepej si gjuhë e veçantë. Në mesvitet ’20, në programet mësimore u vendos dhe gjuha gjermane. Liceu i Korçës ishte një shkollë e mesme laike, me karakter kombëtar, ku mësonin bashkërisht djem e vajza, pa dallim shtrese shoqërore apo besimi fetar. Periudha e studimeve ishte 9 vjet. Në tri vitet e para zhvilloheshin lëndët e formimit të përgjithshëm, në vitin e katërt bëhej ndarja e nxënësve në dy degë: – Dega Klasike, që përfshinte shkencat humane. – Dega Reale, ku përfshiheshin shkencat e natyrës.

Drejtor i parë u caktua Vital Gerson, ndërsa në vitin 1920- 1921 u caktua drejtor veterani i arsimit Thoma Avrami. Deri më 1921, kjo shkollë njihej me emërtimin “Lisea franko-shqiptare” dhe prej këtij viti u njoh me statusin e Liceut Kombëtar. Në historinë e Liceut mbeten të paharruar emrat e profesorëve francezë Leo Monbanyrant, Viktor Coutan, Leon Perret, Xavier de Caurville, Andre Bregault, Jean Meyer, Jacques Vincler dhe Baylle – Comte. Respekt dhe përulje të veçantë meritojnë figurat e ndritura që vunë themelet e Liceut, si Mihal Ballkameni, dr. Haki Mborja, Nikuca Ballamaçi, Sotir Papahristo, Kostaq Cipo, Kostandin Zega etj.

Me punën e tyre të vyer e me pasion ata rrënjosën në zemrën e liceistëve dashurinë për dijen, dashurinë për vendin dhe popullin. Në Liceun e Korçës regjistroheshin nxënës nga e gjithë Shqipëria, madje dhe nga Kosova. Prej vitit 1917 e deri më 1943, në Liceun Kombëtar morën mësimet 1115 studentë që vinin nga Shkodra, Mirdita, Dibra, Lezha, Mati, Kruja, Durrësi, Kavaja, Tirana, Elbasani, Lushnja, Gramshi, Pogradeci, Fieri, Berati, Skrapari, Vlora, Himara, Delvina, Tepelena, Kolonja, Bilishti, Përmeti, Gjirokastra, Saranda dhe Konispoli.

Jeta jashtëshkollore e liceistëve ishte e admirueshme. Liceistët themeluan më 5 nëntor 1922 shoqërinë “Shpresa”, e cila zhvilloi një veprimtari të gjerë kulturore, artistike dhe sportive, si dhe botoi revistën e saj me të njëjtin emër. Në korrik të vitit 1936, studentët e viteve të larta dhe mësuesit e tyre botuan numrin e vetëm të revistës “Lyceum”. Liceistët organizonin shfaqje teatrale, shfaqje konceptore, si dhe merrnin pjesë në të gjitha festat tradicionale. Liceistët, idealistë të pastër, i gjejmë prezentë në momente me rëndësi historike.

Ata ishin prezentë në Luftën e Vlorës më 1920, gjatë ditëve të Kryengritjes së Qershorit më 1924, në demonstratat e fuqishme kundër pushtimit të vendit nga fashistët italianë dhe në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në radhët e çetave partizane u rreshtuan rreth 380 nxënës të Liceut të Korçës, rreth 60 prej tyre dhanë jetën për çlirimin e vendit. Pas vitit 1944, pedagogët dhe nxënësit e kësaj shkolle kapërcyen vështirësi të shumta, në një vend të shkatërruar nga lufta dhe me ngadhënjimtarë ata që nuk e kursyen dorën mizore mbi elitën e vendit. Profesorët e Liceut Kombëtar, si Sotir Kuneshka, Kristo Fundo, Niko Stralla, Gjergj Canco e shumë të tjerë dhanë kontributin e tyre të çmuar në ngritjen e nivelit arsimor të vendit.

Nuk janë të paktë studentët ekselentë, të cilët ishin figura të shquara të botës akademike dhe jetës shoqërore në vend, si Llazar Treska, Petraq Fundo, Selahudin Mborja, Aleko Tashko, Gaqo Tashko, Aleks Buda, Behar Shtylla, Koço Lubonja, Mahir Domi, Koço Gliozheni, Misto Treska, Medar Shtylla, Nonda Bulka, Sokrat Mio, Thoma Kacori, Vedat Kokona, Zija Xholi, Stiliano Nosi, Shemsi Totozani, Viktor Stratobërdha, Anton Mazreku, Dhimitër Shuteriqi e shumë të tjerë Në vitet e pasçlirimit, shumë mësues dhe liceistë u përndoqën dhe u persekutuan nga regjimi totalitar.

U burgosën dhe u internuan për vite të tëra duke i damkosur si antikombëtarë, ata që renditeshin mes personaliteteve të kombit. Një homazh sot vjen për martirët e Liceut Kombëtar, për Sabiha Kasimatin, për Safet Butkën, për Foto Balën, për Abdullah Ramin, për Gani Berberin, për Mihal Ballkamenin, për Andon Frashërin, për Qani Panaritin, për Xhevat Korçën, për Vangjush Tushin, për Kristaq Venetikun, për Fahredin Angonin e shumë e shumë të tjerë. Nderim dhe respekt për Liceun Kombëtar të Korçës, një nga vatrat arsimore më të rëndësishme të emancipimit tonë shoqëror; përulje ndaj figurave të arta që e themeluan këtë institucion, ndaj profesorëve shqiptarë dhe francezë, ndaj dëshmorëve të luftës, ndaj martirëve e të persekutuarve, idealet e të cilëve sot më shumë se kurrë duhet të jenë busull orientimi e përparimit tonë shoqëror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura