Ministrja Balluku: Anulohet koncesioni për aksin Thumanë-Kashar, paratë shkojnë për…

Jan 21, 2019 | 13:21
SHPËRNDAJE

Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës ka njoftuar sot se do të anulohet  koncesioni për aksin Thuman-Kashar.

Belinda Balluku

Ministrja e re, Belinda Balluku, në daljen e parë për mediat bëri me dije se  paratë për këtë koncesion do të shkojnë për “Paktin për Universitetin” dhe për ndërtimin e rrugëve të tjera.

Belinda Balluku

“Kam vendosur ndërprerjen e partneritetit publik privat për aksi Thuman-Kashar, dhe këto fonde do të shkojnë për “Paktin për Universitetin” për ndërtimin e infrastrukturës”, shtoi ndër të tjera Balluku.

FJALA E PLOTË

Kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për Aksin Thumanë – Kashar.

Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve të Paktit për Universitetin, në fushën e infrastrukturës arsimore qoftë asaj fizike e qoftë asaj dixhitale.

Natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati. Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe ne jemi duke studiuar përfshirjen e tij: në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë – Durrës ku bën pjesë edhe rindërtimi i rrugës Tiranë – Ndroq – Plepa në Fazën e pare si dhe ndërtimi i rrugës Kashar – Rrogozhinë në Fazën e dytë.

Ideja është që pikërisht këtij aksi, pra Kashar – Rrogozhinë ti shtohet dhe aksi Thumanë – Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë në Tiranë nga veriu qoftë një lidhje shumë me të shpejtë midis veriut dhe jugut gjatë sezonit turistik.

Pra si përfundim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tërhiqet nga partneriteti Publik Privat për Aksin Thumanë – Kashar dhe fondet e parashikuara i kalojnë Paktit për Universitetin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura