Kristiano Ronaldo, “Topi i Artë” 2013

Jan 14, 2014 | 12:04
SHPËRNDAJE

Kristiano Ronaldo, Frenk Riberi dhe Lionel Mesi. Kjo është renditja finale e podiumit të “Topit të Artë 2013”. Ronaldo e fiton për herë të dytë këtë çmim prestigjioz, teksa e kishte bërë të vetin edhe në vitin 2008, kur luante për Mançester Junajtid. Nëse shumica mendonin se sivjet duhet të ishte viti i Frenk Riberisë (nuk e ka fituar asnjëherë këtë trofe), i cili fitoi gjithçka me Bajernin, deri në nëntor u përfol se do të ishte sërish Mesi “mbreti” i botës (e ka fituar 4 herë radhazi (2009-2012). Por, pas “play-off”-eve të Botërorit 2014, ku Kristiano Ronaldo shkëlqeu, FIFA mendoi të rihapte votimin, duke krijuar jo pak polemikë. Ronaldo shkoi për të marrë çmimin, i cili i është dorëzuar nga Pele, i shoqëruar nga djali i tij, pasi puthi të dashurën e tij, Irina Shaik. “Jam shumë i lumtur, falënderoj të gjithë shokët e mi te Reali, familjen time, që është këtu sonte. Është një nder i jashtëzakonshëm. Mund ta dini sa e vështirë është të fitosh këtë trofe. Falënderoj njerëzit e mi, presidentin. Dua të kujtoj dhe Eusebion, dua të falënderoj Irinën, djalin tim”, tha Ronaldo. Kristiano ka tejkaluar me votë sulmuesin e Barcelonës, Leo Mesi, dhe anësorin e Bajernit të Mynihut, Frenk Riberi. Portugezi fitoi me 27,99 % të votave, duke u pozicionuar përpara argjentinasit (24.72 % të votave) dhe francezit (23.36 % të votave). Ndërkaq, duhet thënë se në vitet e fundit, për fitoren e yllit të Barcelonës, Lionel Mesi, mund të vije bast. Por, këtë vit konkurrenca ekzistonte realisht, kjo nisur nga një sërë faktorësh. Së pari, sepse kapiteni i Argjentinës ka fituar vetëm titullin në Spanjë, ndërsa në Champions, Barcelona e tij u keqtrajtua nga Bajerni i Frenk Riberisë. Madje, edhe në planin individual, “pleshti” nuk ka qenë në nivelet e tij të përhershme, kjo edhe për shkak të dëmtimeve që kanë nisur ta shqetësojnë së fundmi. Kujtojmë që ai u rikthye në fushën e lojës, pas dy muajsh vetëm para pak ditësh. Ndërsa Riberi ishte kandidati më i përfolur, sepse atë që ka bërë të vetën skuadra e tij sezonin e shkuar, nuk e ka arritur asnjë ekip tjetër gjerman: Bundesliga, Champions dhe Kupa e Gjermanisë, por edhe një Botëror për klube. Edhe pse vetë Riberi e di që ai s’ka klasin e Mesit apo Ronaldos, gjithsesi kandidatura e tij për “Topin e Artë 2013? ishte më bindëse se kurrë. Sa u përket të tjerave, Nadine Argener fiton “Topin e Artë” për femra, ndrysa skuadra fituese e “fair play”-it është Afganistani. “Topin e Artë” të nderit e mori braziliani Pele, teksa trajnerja më e mirë për vitin që shkoi, u shpall Silvia Neid.

Jup Hejnkes, trajneri i vitit 2013
Pas suksesit të trefishtë me Bajernin e Mynihut, trajneri Jup Hejnkes shpallet trajneri më i mirë. FIFA kishte shpallur 3 kandidatura finaliste për trajnerin më të mirë për vitin 2013. Ata ishin Jup Hejnkes (Bajern Mynih), Jurgen Klop (Borusia Dortmund) dhe Aleks Ferguson (Mançester Junajtid). Hejnkes bëri historinë me Bajernin, duke fituar gjithçka të mundshme në një sezon. Por s’kishte si të mungonte as trajneri që e dërgoi Dortmundin në finalen e Champions-it në “Uembli”. Klop është i vetmi trajner aktiv, sepse Hejnkes është tërhequr, ashtu si Ferguson, pasi shpalli kampion Junajtid për herë të 20-të në histori.

Skuadra 2013
Ky është formacioni më i mirë i vitit, sipas FIFA-s, ku bien në sy lojtarë nga Bajerni i Mynihut, kampion i Europës në fuqi, nga Barcelona, kampione e Spanjës, dhe Real Madridi. Nuk mungojnë edhe dy futbollistë nga francezët e PSG-së. 11-shja e përzgjedhur është kjo: Në portë, Nojer (Bajern); në mbrojtje, Dani Alves (Barcelona), Silva (PSG), S.Ramos (Real Madrid), Lahm ((Bajern); në mesfushë, Riberi (Bajern), Ksavi (Barcelona), Iniesta (Barcelona); në sulm, Mesi (Barcelona), Ibrahimoviç (PSG) dhe Ronaldo (Real Madrid).

Riberi hesht, Mesi: Ronaldo e meritoi
I zhgënjyeri i madh i mbrëmjes ishte pa dyshim Frenk Riberi. Ndërsa Leo Mesi e kishte nuhatur se ai nuk do të ishte për herë të pestë radhazi në piedestalin e futbollit, për francezin nuk është kështu: Ai vite me pesë trofe mbi supe, favorit absolut përpara rihapjes së votimit në nëntor, dhe në fund e pa veten në vend të tretë me 1127 pikë. Për të mos u tradhtuar nga emocionet, fantazisti i Bajernit nuk pranoi të flasë në përfundim të ceremonisë. Ai u largua nga zona miks i heshtur dhe iu drejtua hotelit për të përgatitur valixhet përpara se t’u bashkohej shokëve të skuadrës së Bajernit. Për argjentinasin, i cili nuk i dha asnjë votë Ronaldos duke zgjedhur respektivisht tre shokët e skuadrës Ksavi, Iniesta dhe Nejmar, nuk ka vend për polemika. Ai e pranon se rivali i tij ishte fituesi i merituar i trofeut që ai e ka rrëmbyer më shumë se kushdo tjetër. “Dua ta uroj Kristianon, sepse ai është fituesi i merituar dhe unë nuk kam çfarë të them tjetër. Ishte një vit shumë i mirë për të tre ne, kështu që nuk kam asnjë arsye për t’u ankuar apo justifikuar”, – tha ylli i Barcelonës në zonën miks. Në fakt, Blater ia ka dorëzuar 4 herë radhazi “Topin e Artë” dhe 26-vjeçari nuk ka derdhur lot.

“Pushkash”, fiton goli i Ibrahimoviçit
Për sa i përket golit më të bukur të sezonit, tifozët kishin mundësinë të votojnë mes tri kandidaturave: golin e Ibrahimoviçit, roveshatën e paharrueshme në miqësoren me Anglinë më 13 nëntor 2012; golin e Nejmarit kundër Japonisë në Kupën e Konfederatave më 15 qershor 2013, dhe atë të Nemanja Matiç, në sfidën mes Benfikës dhe Portos më 13 janar 2013. Ka triumfuar gjigandi suedez i PSG-së, duke marrë kështu përqindjen më të madhe të votave. Kujtojmë se çmimi “Ferenc Pushkash”, ndryshe nga çmimet e tjera ku vendosin trajnerët, kapitenët dhe gazetarët, është përcaktuar nga votimi i tifozëve.

Ja si votuan De Biazi, Cana dhe Dizdari
Shtyrja e votimit nga FIFA, pas kualifikimit të Portugalisë në Botëror, ka sjellë dhe ndryshimin e votës nga Xhani de Biazi. Kështu, vota e teknikut italian, zbardhur nga mediat më 5 dhjetor, ishte për Ronaldon, Mesin dhe Ibrahimoviçin. Por pas bërjes publike të votës nga FIFA, rezultoi se 57-vjeçari në vend të parë ka votuar Ibrahimoviçin, të dytin Ronaldon dhe në vend të fundit Mesin. Ndërsa Cana pikët maksimale ia ka dhënë Frenk Riberisë. Njësoj si në votimin e parë qëndroi edhe gazetari i FIFA-s, Besnik Dizdari. Pikët maksimale Dizdari ia dha Riberisë, në vend të dytë Mesi dhe Nejmari.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura