Krisen marrëdhëniet, Muzaka dhe Vucaj të larguar nga Tirana

Jan 7, 2017 | 12:56
SHPËRNDAJE

Albert Xhanit dhe ti fozëve të kuq iu pikoi në zemër kur Gjergji Muzaka u prezantua në qershor të vitit 2015 te Tirana dhe deklaroi se ishte tifoz bardheblu. Ndërkohë, mijëra tifozëve të Tiranës iu bë qejfi pa masë për atë deklaratë dashurie në publik.

muzaka vucaj

Por sot kanë ndryshuar shumë gjëra që nga ajo ditë dhe situata mes futbollistit dhe klubit kryeqytetas ka precipituar deri në atë pikë sa e kanë lënë jashtë listës së skuadrës për në Turqi. Po, pikërisht kështu: Muzaka deri dje në mesnatë nuk bënte pjesë në listën e lojtarëve që do të udhëtonin drejt Turqisë.

Zhgënjimi

Burime të “Panorama Sport” pranë klubit të Tiranës bëjnë me dije se Gjergji Muzaka as nuk është njoftuar zyrtarisht nga klubi se nuk do të udhëtonte sot drejt Antalias, ku skuadra do të kryejë fazën përgatitore. Gati e pabesueshme që klubi më i titulluar në vend trajton kështu një prej lojtarëve më të suksesshëm të dekadës së fundit. Muzaka mund edhe të largohet nga Tirana, por kurrsesi jo në këtë mënyrë. Klubet e mëdha duhet të dinë të bëjnë diferencën edhe në këtë aspekt.

Problemet

Me shumë gjasë, çështja do të përfundojë në DHZK. Mësohet se Muzaka ka rreth 14 rroga pa marrë nga klubi dhe, kështu si kanë shkuar punët, zor se do të mund të ketë tolerancë në këtë mes. Rrezikon shumë Tirana, sepse Muzaka, përveçse një futbollist i zoti, është shquar shpesh edhe për kontrata të stilit perëndimor, duke dalë i fituar edhe në raste të tjera.

Vucaj

Një tjetër lojtar i rëndësishëm, i cili nuk ka qenë në listën e futbollistëve që do të udhëtonin drejt Antalias, ishte edhe Erion Vucaj. Mesfushori shkodran duket se është një tjetër “i skarcuar” sipas stilit të ri të bardhebluve. Ndërkaq, edhe Enriko Papa me gjasë nuk do të jetë më pjesë e bardhebluve. Natyrisht që, pas një pjese të parë të sezonit jo fort brilante, priteshin edhe skarcime, por ndoshta Muzaka me Vucajn ishin disi surprizë. E hidhur apo jo, këtë do ta tregojnë rezultatet dhe do ta vlerësojnë tifozët…

ADELA MERKO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura