Krijohet një Komision shtetëror për vizitën e Papës

Jul 3, 2014 | 10:40

Ministrja Kumbaro, dje në konferencë për shtyp
Qeveria shqiptare ngre një komision të posaçëm për përgatitjen e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. Dje, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, përmes një deklarate, njoftoi këtë vendim të marrë nga qeveria. “Siç e dini, më 15 qershor, Kryeministri Edi Rama bëri publike ngjarjen e madhe të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në datën 21 shtator të vitit 2014. Një ngjarje, që është besoj lajm shumë i mirë, mesazh shumë i mirë dhe gjithëpërfshirës, jo vetëm për shqiptarët dhe Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Në këtë kontekst, në mbledhjen e sotme (djeshme) të qeverisë u mor vendimi për krijimin e Komisionit Shtetëror, i cili do të merret me organizimin e punës dhe të të gjitha aktiviteteve që do të bashkërendohen në kuadrin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në datën 21 shtator”, tha Kumbaro, e cila do të kryesojë komisionin. Në përbërje të tij do të jenë gjithashtu ministri për Mirëqenien Sociale dhe Rininë, përfaqësues të kabinetit të institucionit të Presidentit, përfaqësues të kabinetit të kryetarit të Kuvendit, përfaqësues të kabinetit të Kryeministrit; Prefekti i Tiranës, zëvendësministri i Financave, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, drejtori i Protokollit të Shtetit, përfaqësues të komunitetit katolik, komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë. Sipas Kumbaros, ky Komision do të organizojë dhe do të bashkërendojë të gjitha aktivitetet e parashikuara dhe që do të bëhen publike më raporte të njëpasnjëshme të këtij Komisioni, pasi të përfshijë në mbledhjet e tij edhe përfaqësues të grupeve parlamentare, të organeve të tjera të qeverisjes qendrore dhe vendore apo të institucioneve të tjera.

© Panorama.al

Te lidhura