Kreshnik Seseri: Si i binda aktorët e Hollivudit të luanin në filmin tim

May 20, 2015 | 13:28
SHPËRNDAJE

Kanë kaluar 18 vjet që kur Kreshnik Seseri, atëherë adoleshent u largua nga Shqipëria. Ishte viti 1997. U largua me një anije mallrash, me një shpresë fare të vakët se do të mbërrinte gjallë në Itali e që andej në Amerikë, ku kishte gjithë familjen e tij. Edhe pse ende i ri, Kreshniku e kishte të qartë se do të shkonte në Amerikë për të lënë një gjurmë. Nuk ishte e thjeshtë, të ishe i huaj në mes të Amerikës.

Kreshnik Seseri, gjatë xhirimeve të filmit “My friends”, që së shpejti do të shfaqet në Tiranë

Aq më tepër të merreshe me art. “Kush ka ëndrra, vullnet e mbi të gjitha është i ndërgjegjshëm për atë që do, ia arrin”, thotë Kreshnik Seseri, i cili ndodhet në Tiranë për të prezantuar filmin e tij të parë me metrazh të gjatë “My Friends”. Një film i mbështetur në një histori të vërtetë, atë të miqve të tij të adoleshencës që fatkeqësisht u vendosën në anën e kundërt të ligjit. Por në film ka edhe përjetime personale. “My Friends” vjen nën lojën e një kasti aktorësh hollivudianë si Brian, Anthony Wilson, Steve Dash, Reno Laquintano, Ivan The Terrible Santiago, Vincent Riviezzo, etj. Pjesë e kastit edhe shqiptari Marko Caka. Momentalisht Seseri është në bisedime që filmi të shfaqet brenda muajit në Tiranë. 
Kur jeni larguar nga Shqipëria dhe pse zgjodhët Amerikën?
Jam larguar në fund të vitit 1997. Kemi kaluar në mënyrë tipike klandestine në Itali e më pas në Amerikë. Unë duhet ta quaj veten me fat sepse në njëfarë mënyre e gjeta rrugën e shtruar nga dy vëllezërit e mi Arjani dhe Leonardi, të cilët janë larguar në vitet ’90 dhe kanë kaluar një jetë shumë të vështirë. U është dashur të punojnë fort e të kalojnë nëpër peripeci si çdo emigrant tjetër shqiptar. Kështu që unë e kam pasur më të lehtë, pasi familja ime ishte e stabilizuar atëherë. Gjithsesi pata probleme për të marrë dokumentet, pasi kisha hyrë në mënyrë të paligjshme në Amerikë. Në Itali jam larguar me një anije mallrash. Në një hapësirë fare të ngushtë kemi qenë 100 shqiptarë. Nuk e di si kam shpëtuar gjallë, besoj se e kam jetë të dytë këtë. Nga Italia kalova në Amerikë. Isha adoleshent dhe e pata të pamundur të vazhdoja të jetoja në Shqipëri, e cila ishte në gjendje lufte. Por për këtë nuk donte t’ia dinte askush në Amerikë. Gjithsesi fakti që kisha familjen atje më ndihmoi.
Si ju futët rrugës së artit dhe sa e vështirë ka qenë?
Që kur vajta atje e dija se duhej të bëja diçka. Vëllezërit e mi më shtynë t’i hyja shkollës, por unë fillova punë në një restorant italian si ndihmëskamerier, doja të fitoja diçka. Doja të bëja gabimet e mia. Fakti që kam bërë shkollën në Amerikë më ka vlejtur shumë sepse në adoleshencë krijohet personaliteti i njeriut. Hyra në shkollë, ku nisa të angazhohesha me grupet artistike, në radiostacionin e shkollës, por si i huaj filluan të më shihnin shtrembër. Megjithatë unë jam njeri shumë miqësor dhe bëra të pamundurën për t’u përshtatur e për të ecur para. Me mbarimin e shkollës së mesme shkova në kolegj. Për t’u marrë me art, ka vetëm dy rrugë, ose New York, ose Los Angeles, zgjodha këtë të fundit. Aty mësova shumë mbi kinemanë, por edhe për jetën. Kam studiuar në një nga kolegjet më të mira atje dhe për aktrim në Beverly Hills Play House, që është në Top 5 shkollat e aktrimit. Edhe atje do të hasja problemet e të qenit i huaj.
E përmendët edhe më sipër faktin e të qenit “i huaj”, e keni ndier racizmin mbi vete?
Racizmi është shumë i pranishëm në Amerikë. Mjafton të të dallojnë dialektin, për të të parë shtrembër. Shumica nuk e dinë fare se ku bie Shqipëria, por dhe në qoftë se e dinë kanë vetëm imazhe jo të mira, si Enver Hoxha, trazirat e ’97-ës apo Lufta e Kosovës. për të mos folur për filmat që na paraqesin gjithnjë në rolin e trafikantit të drogës, prostitucionit. Fatkeqësisht në Shqipëri nuk kemi asnjë lloj orientimi se ku po shkojmë. Janë bërë kafe të bukura, makina, por nuk ka orientim.
E megjithatë ju ia dolët të luanit nëpër filma e të bënit skenarë…
Nuk hoqa dorë nga aktrimi, u bëra anëtar i SAG, ku bëjnë pjesë aktorët më të mirë në botë. Mora pjesë në një film me Xhon Travoltën e Uma Thurman, si një mafioz rus, madje Travolta filloi të më ngacmonte se në Shqipëri nuk kishte as Coca Cola e as televizion. Këtë e kishte mësuar nga Harvey Keitel që kishte qenë në Korçë gjatë viteve të diktaturës. Me thënë të drejtën nuk më erdhi fort mirë për këtë. Kam luajtur në filma të tjerë indipendentë, video, materiale industriale, ushtarake. Por gjithnjë duhet të luaja ose role ushtarësh, mafiozësh.. dhe më duhej ta merrja kalanë nga brenda. Kështu nisi të shkruarit. Fillova me filmat e shkurtër, por që nuk ka treg për ta në Amerikë. Me ta mund të shkosh në ndonjë festival edhe pse kjo është shumë e vështirë, pasi edhe festivalet janë kthyer në monopole.
Si lindi filmi juaj i parë me metrazh të gjatë?
Për shkak të gjendjes shëndetësore të tim eti m’u desh të kthehesha në Filadelfia, ku me thënë të drejtën nisa ta ndieja veten shumë ngushtë. Isha mësuar me një jetë tjetër, me një tjetër ritëm, luaja, shkoja në shkollë, punoja për “Sony production” dhe një firmë tjetër ku merresha postproduksionin dhe dublimet. Kisha jetuar 7 vjet atje. Ndihesha shumë bosh dhe nisa të mendoja se çfarë duhet të bëja diçka. Këtë e shihnin edhe miqtë e mi, sidomos miku im më i mirë, që punon në policinë e fshehtë dhe është një nga boksierët më të mirë të Filadelfias. Ishte ai që ma shtiu në mendje që të bënim një film, duke më treguar historinë e ca shokëve tanë të adoleshencës, të cilët i shihnim që kishin shumë para e makina luksoze. Mësuam se kishin nisur hetimet për ta. Kështu nisi filmi, mbështetur mbi historitë e shokëve tanë të fëmijërisë, por duke i shtuar edhe elementë prej jetëve tona. Edhe pse për shkak të hetimeve jam përpjekur t’i “maskoj” pak gjërat, në 90% të tyre ato që përshkruhen në film, kanë ndodhur vërtetë.
Tashmë është e modës që histori shqiptare të përfshihen në filma me “të fortë”, ka të tilla në “My Friends”?
Në film ka edhe histori shqiptare, por unë u kam ndërruar nacionalitetet sepse nuk dua që shqiptarët të përfliten si në filma të tipit “Taken”. Ne kemi probleme të mëdha me imazhin, edhe pse punojmë shumë, madje kemi artistë shumë të talentuar, por janë raste të shpërndara gjithandej e nuk arrijnë të japin një imazh të plotë të Shqipërisë.
Si arritët të përfshinit në filmin tuaj emra të njohur të kinemasë amerikane?
“My Friends” është një film indipendent i realizuar me forcat tona. Duke qenë histori e vërtetë, e njohur në Filadelfia, thithi investitorë, që sigurisht presin paratë e tyre mbrapsht. E kemi filluar me një buxhet fare të vogël për një film me metrazh të gjatë, 38 mijë euro. Nuk e mendonim që do ta bënim filmin me aktorë SAG, pasi do të duheshin shumë para. Më i liri aktor i SAG ka kushtuar 300 dollarë në ditë, për të shkuar në 4 mijë. Por lajmi mori dhënë dhe aktorë shumë të mirë u ofruan për të luajtur. Janë 3-4 aktorë shumë të njohur. Dy prej tyre ka luajtur në filmin “Low abiding citizen” me Gerard Buttlet dhe Jamie Fox. Janë Brian Anthony Wilson dhe tjetri Reno Laquintano. Një tjetër ka qenë shumë i njohur në vitet ’70-’80. E mbylli karrierën pikërisht me filmin tonë. Quhet Steve Dash dhe është i njohur për filmin horror “Jason”, që vijon të rixhirohet. Akoma nuk e besoj që ai ka pranuar të luajë në filmin tonë. Dikur ai as do kishte denjuar të lexonte skenarin.
Si ishte puna me aktorë të famshëm?
Me Brian nuk më është dashur kurrë t’i jap ndonjë këshillë se ç’duhej të bënte sepse ai i di vetë të gjitha. Me Steve Dash, as ia vlen t’i thuash diçka sepse ai e ka ndarë mendjen që në fillim se si do të luajë. Me Reno kam bashkëpunuar më lehtë. Gjatë punës me aktorët unë sillem në mënyrë të tillë që ata të mos më duan. Dëshiroj t’i sjell ata në gjendjen e duhur për t’u futur në rol, që të mos aktrojnë, por të jenë. Në njëfarë mënyre ua kam “nxirë” jetën. Ata luanin role gangsterësh, njerëzish që jetonin nën presion dhe unë i sillja në një gjendje që ata të ishin sa më natyralë në film.
Mund të quhet i përfunduar filmi tashmë?
Procesi i postproduksionit ka zgjatur shumë. Filmi shkoi katër vjet, aq sa ne nuk e kishim menduar, për shkak të historisë që trajtojmë dhe hetimeve. Gjithashtu edhe xhirimet nuk kanë qenë të thjeshta. Kemi xhiruar në komisariate policie, në aeroporte e porte private, në vende, të cilat është e rrallë për t’u përballuar nga një film indipendent. Madje një arsye tjetër pse filmi quhet “My friends” është edhe për shkak të të gjithë atyre që kanë kontribuar për realizimin e tij. Tashmë ka përfunduar varianti i parë, por ndërkohë kemi bërë disa xhirime të tjera, që do të donim t’ia shtonim. Kemi shumë për të thënë dhe kështu si po shkojnë punët, mund të kthehet edhe në një serial.
Mendoni ta shfaqni filmin në Tiranë?
Do të doja që filmi të shfaqej në Shqipëri dhe besoj se do të pëlqehet, sepse ka histori, është tërheqës. Ka dramë, aksion, erotikë dhe komedi. Është një film i nivelit të Hollivudit, por nuk është film Hollivudi, sepse ka histori të vërteta e eksperienca personale të jetuara. Është i paparashikueshëm dhe mos mendoni se mund ta kuptoni filmin në dy minuta. Ka shumë nënshtresa. Jemi në bisedime që filmi të dalë brenda muajit në Shqipëri.

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura