Kino Lumbardhi, QKK: S’ka privatizim pa pëlqimin tonë

Aug 28, 2014 | 12:53
SHPËRNDAJE

Kinema “Lumbardhi” në Prizren
Para një muaji, Agjencia Kosovare e Privatizimit shpalli vendimin

Kundër edhe Edi Rama: Mos i bëni kinematë parkingje

Nuk ka lënë askënd indiferent privatizimi i një kinemaje në Prizren.
 Jo vetëm publiku i gjerë, por edhe institucionet shtetërore janë pozicionuar në mbrojtje të Kino Lumbardhit, kinemasë më popullore në Prizren. Sipas mediave kosovare, ka qenë edhe Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila ka reaguar ndaj ndryshimit të destinacionit dhe shitjes së kinemasë së Prizrenit. Në letrën e reagimit shkruan: “Sipas nenit 8 të Ligjit mbi Kinematografinë Nr. 22/2004, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës me datë 8 Korrik 2004 ‘Kinemave në pronësi shoqërore ose publike, të privatizuara apo të dhëna me qira personave fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj’, nuk mund t’u ndryshohet qëllimi i veprimtarisë pa pëlqimin e QKK”. Një muaj më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit njoftoi privatizimin e ndërmarrjes “Kino Bistrica” (Kino Lumbardhi). Por, sipas komunikimit të QKK-së, Kino Lumbardhit nuk mund t’i ndërrohet destinacioni pa pëlqimin me shkrim të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe kërkon nga Komuna e Prizrenit që në çdo rast të mos lejojë ndërrimin e destinacionit të veprimtarisë pa e marrë paraprakisht pëlqimin e këtij institucioni. “Po ashtu kërkojmë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që në kushtet e likuidimit të kësaj ndërmarrjeje ta parashohë edhe kushtin për ruajtjen e destinimit të veprimtarisë së kinemasë dhe të mos likuidohet për qëllime të tjera. Cilido institucion, i cili e aprovon ndërrimin e veprimtarisë së KINO Lumbardhi pa pëlqimin paraprak të QKK-së, bën shkelje ligjore dhe e njëjta është e ndëshkueshme me ligj”, është shprehur QKK.
Privatizimi i kësaj kinemaje ka ngritur në këmbë gjithë komunitetin artistik në Kosovë, madje edicioni i këtij viti i festivalit DokuFest u hap me një protestë kundër këtij veprimi. Në lidhje me këtë ngjarje u shpreh edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhej i pranishëm në ceremoninë përmbyllëse të DokuFestit. Siç raportojnë mediat kosovare, ai i ka kërkuar kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, “të mos i kthejë kinematë në parkingje për vetura”. “Nga eksperienca ime i them kryetarit të komunës se kryetarët e bashkive shkojnë e vijnë, por DokuFesti, po iku, nuk vjen më”, ka thënë Rama, edhe pse gjatë periudhës që ai ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, janë shkatërruar dy nga kinematë historike të kryeqytetit, kinema “Republika” dhe “17 Nëntori”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura