Kiço Mustaqi: Si u shmang gjakderdhja në Shkollën e Bashkuar në ’91-shin

Mar 16, 2011 | 11:22
SHPËRNDAJE

Më 20 shkurt, ditën që u rrëzua monumenti i Enverit,  Ramiz Alia urdhëroi për të qëlluar me armë demonstruesit. Bashkë me këtë dëshmi tronditëse, në numrin e kaluar zbardhëm një pjesë nga rrëfimi i Kiço Mustaqit,  ish-ministër i Mbrojtjes në periudhën 1990-1991, dhënë  për emisionin “Periskop” të  Ora News. Ish-zyrtari i lartë i regjimit komunist, pohon për herë të parë se operacioni për ruajtjen e statujës së diktatorit drejtohej nga Hekuran Isai, ish-ministër i Brendshëm, i cili atë ditë fluturonte me helikopter mbi sheshin “Skënderbej”.  Më tej,  Mustaqi hedh dritë në misteret e ngjarjeve në “Shkollën e Bashkuar” në shkurt -mars ‘91 dhe pozicionin e tij në zhvillimin e ngjarjeve të vitit ‘97, kur ai punonte si emigrant në Greqi.

…vijon nga numri i kaluar

Në atë kohë Televizioni Shtetëror ruhej me policë dhe ushtarë. Ushtarët ishin efektivë të një brigade tankesh. Po të ngacmohej Televizioni, edhe tanket do të vepronin. Ishin këto veprime të parapërgatitura. Në qoftë se ti do të më godasësh, edhe unë do të të godas. Kjo është afërmendsh. Unë, si Kiço Mustaqi, kur filluan ndryshimet, fillova mosmarrëveshjet me komandantin e Përgjithshëm, me Ramiz Alinë…
Çfarë mosmarrëveshjesh?
Unë si ministër i Mbrojtjes kisha një plan për të mbrojtur Shkollën e Bashkuar, të aprovuar nga organet më të larta ushtarake e qeveritare. Atëherë më duhej ta mbroja atë që parakuptonte kufijtë e caktuar, ku bëhej zjarr dhe ku nuk bëhej zjarr. Këtu analogjia duhet bërë, kur unë e kam objektin në ruajtje si ushtri, ti nuk vjen e sulmon ta marrësh atë. Kur e ke ti si polici, vijnë ta marrin objektin. Këtu ishte ndryshimi në atë periudhë midis ushtrisë dhe policisë. Ndodhte kjo kur si ushtria, ashtu dhe policia kishin armë luftarake. Tani varet si i përdor ato…
Zoti Mustaqi, mund të na tregoni ndodhitë në Shkollën e Bashkuar pas rrëzimit të monumentit të Enverit?
E para, ta sqaroj se në këtë reagim nuk ishte vetëm Shkolla e Bashkuar, por edhe Akademia e Shtabit të Përgjithshëm, shkolla “Skënderbej”. Ndodhi që ato u sulmuan. Në planin luftarak kishim parashikuar të gjitha veprimet për t’u ruajtur ato me çdo kusht. Pra, ato nga brenda ruheshin vetë dhe për këtë kishin të gjithë arsenalin e nevojshëm. U goditën nga jashtë, u provokuan. Në atë periudhë ne kishim anuluar të gjitha programet që kishin të bënin me veprimtaritë jashtë shkollës, si përgatitjet për qitje, stërvitja taktike në terren etj. I gjithë programi i atyre ditëve ishte parashikuar për t’u zhvilluar brenda në klasë, me qëllim që të shmangnim provokimet e ndryshme, sepse ishte koha kur provokimet ishin të  njëpasnjëshme…
Ju thoni se Shkolla e Bashkuar u sulmua nga jashtë…?
Ky ishte realiteti. Unë kam dyshime të tjera. Pse shkoi policia atje, kur ajo nuk mbronte dot veten, nuk mbronte dot objektet e saj? Pse policia e rrethoi Shkollën e Bashkuar? Mua nuk më kërkoi njeri leje për këtë. Unë si ministër i Mbrojtjes nuk e kërkova. As Komanda e Shkollës nuk e kërkoi policinë për të mbrojtur shkollën. Ne si ushtri kishin fuqi dhe rezuse të mbronim atdheun, e jo më të vinte policia e të ruante Shkollën e Bashkuar. Pra ajo erdhi pa e thirrur kush. Këtu, pikërisht këtu unë bëj një lidhje. Policia në atë kohë drejtohej nga Ramiz Alia. Ai ishte Komandant i Përgjithshëm, ai ishte President. Përderisa drejtohej nga Ramiz Alia, duhet ta kenë informuar patjetër autoritetet e Ministrisë së Brendshme se po shkonin për të mbrojtur Shkollën e Bashkuar. Është çmenduri të thuash se do çojmë policinë të ruajë ushtrinë(!)…
Ju nuk ishit fare në dijeni?
Unë e mora vesh kur policia kishte shkuar atje. Kur më raportuan nga Akademia. Shkoi pra policia e rrethoi territorin jashtë mureve të Shkollës. Aty unë nuk mund të ndaloja njeri. As efektivat e Shkollës së Bashkuar nuk kishin punë me njerëzit jashtë mureve. Ata patën durimin e madh, saqë nuk reaguan as kur u prishën muret dhe u thyen xhamat e klasave. Nuk pati asnjë të plagosur atë ditë…
Çfarë ndodhi ditën tjetër?
Me rrëzimin e bustit, çast pas çasti, për mua bëhej e qartë çdo gjë. Tanimë unë kisha parasysh planin. Meqë nuk u mor dot Televizioni dhe Kryeministria, falë reagimit energjik të Gardës të komanduar nga Dane Binaj, u zgjodh Shkolla e Bashkuar. Qëllimi ishte për të bërë gjakderdhje, që t’u faturohej ushtarakëve të Enverit. Policia shkoi aty, po nuk merrej vesh çfarë bënte. Ndërkaq, Shkolla ishte rrethuar nga turma me njerëz të shthurur, të nxjerrë nga burgu. Policia rrinte sa rrinte jashtë dhe futej brenda të ngatërronte punë. Veprimi i saj ishte si të thuash një thirrje për turmën: “Hajde futuni në shkollë!”…
Ky ishte një skenar i parapërgatitur?
Ndoshta mund të ishte skenar i llogaritur për këto veprime të mbrapshta…
I kujt?
I Partisë së Punës. I Ramiz Alisë. Ramizi mund ta thotë më mirë këtë gjë. Ndërkaq, Ministria e Brendshme mund ta zbardhë konkretisht këtë situatë. Ajo ka përgjegjësi të madhe për këto gjëra. Sepse kur u sulmua Shkolla e Bashkuar, aty kishte shkuar zëvendësministri i Brendshëm, Hajredin Shyti, i shoqëruar me kryetarin e Partisë Demokratike të Tiranës. Sa e mora vesh, i thashë të dilte jashtë, ndryshe i komunikova se do ta asgjësoja…
Çdo të thotë do ta asgjësoje?
Që do ta asgjësoja do të thotë. Ç’punë kishte ai me kryetarin e PD-së së Tiranës aty brenda?! Shfrytëzoi butësinë e Komandës së Shkollës dhe u fut si në shtëpinë e vet. “Dil jashtë, – i thashë, – e komando policët, se je zëvendësministër i Brendshëm!” Unë si ministër i Mbrojtjes nuk shkoja në polici për të kërkuar mbrojtje prej saj. Atëherë çfarë donte ai në Shkollë? Shkoi të shikojë ç’bëhej aty dhe çfarë kishte brenda? Po kryetari i PD-së çfarë kërkonte? Pushtetin e kishte Partia e Punës. Kështu e bëri edhe në Shkodër ky zëvendësministri i Brendshëm ku më parë takoi Pjetër Arbnorin, ndërkohë që nuk e përfilli fare Xhemal Dymylien, që ishte sekretar i parë i partisë së rrethit. Pikërisht kjo, por edhe arsye të tjera, më shtynin të dyshoja në veprimet e policisë.
Në atë periudhë studentët e Shkollës së Bashkuar pretendonin të hiqnin bustin e Enverit nga Akademia dhe ta vendosnin në sheshin “Skënderbej”…
Situata ishte më komplekse nga kaq. Kur u rrëzua busti i Enverit në sheshin Skënderbej, unë i thashë Ramiz Alisë se po të ishte në plan për t’u hequr edhe ai i Shkollës së Bashkuar, të merrja masa për të shmangur vëllavrasjen. Në fakt, në Shkollë, siç kishte përkrahës të Enverit, kishte dhe simpatizantë të PD-së, që e kishin shprehur hapur qëndrimin e tyre. Mjafton një veprim i nxituar dhe plaste konfrontimi. Pastaj hajt ta qetësoje gjendjen. Po Ramiz Alia, me mënyrën se si reagoi, më la të kuptoja se ishte kundër heqjes së bustit të Enverit nga Akademia Ushtarake. Prandaj them që për këto situata Ministria e Brendshme dhe Ramiz Alia mund të kenë të dhëna të plota…
Ideja për të vendosur bustin e Enverit në shesh u bë publike nga një peticion që një grup studentësh e transmetuan nëpërmjet Televizionit Shtetëror…
Në fakt, në Televizion shkuan dy-tre studentë për të lexuar një peticion që kishte autorësinë e një komisioni të ngritur nga një grup pedagogësh e kursantësh të akademive ushtarake. Kryetar i tyre, mesa mbaj mend, ka qenë një tropojan, emri i të cilit nuk më kujtohet. Peticioni i tyre kishte dy pika kryesore. Së pari, kërkohej të organizohej një referendum popullor për t’u shprehur për figurën e Enver Hoxhës. Së dyti, komisioni shprehte gatishmërinë për të hequr bustin e Enverit nga Akademia Ushtarake, për ta vendosur në sheshin “Skënderbej”. Pak a shumë ky ishte mesazhi i tyre në kontaktin me krerët e TVSH-së. Sa mbaroi takimin me ta, drejtori i Televizionit më mori menjëherë në telefon. I shqetësuar më tha se studentët që i kishin shkuar në zyrë pretendonin për të marrë me forcë TVSH-në. I thashë se ata kurrë nuk mund ta marrin Televizionin. Drejtori më kujtoi se po të ndodhte kjo, do të ishte një grusht shteti. Për mua një term i tillë ishte qesharak. Fillimisht e sqarova se në rastin konkret nuk kishim të bënim me Shkollën e Bashkuar, por me një grup që gjithsesi nuk paraqiste rrezik për Televizionin. Për të ruajtur atë ushtria nuk kishte vetëm Shkollën e Bashkuar, por qindra e qindra reparte të përgatitura dhe me arsenalet e nevojshme. Sa mbarova bisedën me drejtorin e Televizionit, më telefonoi Vaskë Çifliku, sekretari personal i Ramiz Alisë. Më komunikon të njëjtën gjë. I thashë që mos të trembej nga forca, pasi shteti është shumë herë më i fuqishëm se një grup sado i madh të jetë…
A kishit dijeni më parë për kërkesat e këtij komisioni?
Unë isha në dijeni dhe, të jem i sinqertë, nuk kisha kundërshtim për kërkesat e tyre. Në një mënyrë apo në një tjetër më dukej se edhe Ramiz Alia ishte pro kërkesave të tilla. Me të kisha biseduar vetëm një ditë më parë. Teksa i kërkova mendimin për të hequr bustin e Enverit nga Akademia Ushtarake, ai më qortoi rëndë me një fjali prekëse: “Si të shkon në mëndje ty Kiço Mustaqi të heqësh Komandantin e Përgjithshëm nga Shkolla e Bashkuar?!”
Zoti Mustaqi, një shkrim i Nju Jork Tajmsit i atyre ditëve, duke komentuar një takim tuajin me Sali Berishën në mjediset e Shkollës së Bashkuar, pohon përpjekjet për një grusht shteti…
Asgjë në këtë pohim nuk është i vërtetë. E para njëherë, Sali Berisha nuk ka qenë në Shkollën e Bashkuar, të paktën ato ditë. Liderët e PD-së kërkuan me iniciativën e tyre për të shkuar atje. Në shkollë shkuan të tjerë, Neritan Ceka me një grup të vogël nga partitë e opozitës. Në fakt i kërkoi vetë shkolla për të sqaruar situatën e nderë para mureve të saj. Ata erdhën u njohën me gjendjen në shkollë, shkëmbyen mendime dhe ikën. Anuluan bile edhe një bisedë që kishin parashikuar me një grup simpatizantësh të tyre në Shkollë. U sqaruan që nuk ishte e vërtetë se Shkolla do të sulmonte. U bindën përfundimisht që efektivat e akademive ushtarake nuk do dilnin jashtë në asnjë rrethanë. Sakaq, u njohën me gatishmërinë e efektivit për t’u mbrojtur me armë nëse do të sulmoheshin nga turmat. Vendimi ishte i padiskutueshëm: Nëse Shkolla do të goditej, do të reagonte qoftë edhe me armë. Dua të them se edhe njerëzit që kishin rrethuar nga jashtë muret e Shkollës kishin armë, bile edhe kishin qëlluar me to në drejtim të shkollës. Ato ditë bile na plagosën edhe një oficer nga jashtë…
Më tej çfarë ndodhi, si u mbyll kjo histori?
Takimi i liderëve të opozitës në Shkollë të Bashkuar i bindi ata përfundimisht se studentët nuk kishin ndërmend të dilnin jashtë.
Në darkë, me sa më thanë, turmat i mblodhi Sali Berisha prapa Shkollës së Bashkuar. U foli çfarë u foli unë nuk di gjë, por mendja ma do se u ka thënë që nuk ia arritën qëllimit. Qëllimi i sulmit mbi Shkollën e Bashkuar ishte që ajo të provokohej e të delte jashtë për t’u përplasur dhunshëm me turmat e irituara e pastaj të bëhej kasaphana. Që këtej liderët e opozitës do të trumbetonin me të madhe se demokracinë e morën me gjak, se atë nuk ua fali njeri. Pra me mënyrën si vepruam shmangëm gjakderdhjen…
Gjatë atyre ditëve është folur se ju keni nxjerrë disa urdhra për të sjellë në Tiranë reparte të tëra ushtarake. Si është e vërteta?
Këtu unë kam dyshimet e mia për Ramiz Alinë. Me urdhër të tij ato ditë hartuam dy urdhra luftarakë. Urdhri i parë parashikonte krijimin e 15 brigadave me ushtarë aktivë, për t’i vënë në gatishmëri me qëllim që t’i sillnim në Tiranë. Në pak kohë hartuam tërë dokumentacionin përkatës dhe ia çuam Ramiz Alisë, që i kishte në kompetencë për t’i miratuar si Komandant i Përgjithshëm. Urdhri tjetër kishte bënte me krijimin e një njësie speciale për ruajtjen e Portit të Durrësit…
U krijuan këto reparte?
Ato u krijuan vetëm në letër. Madje edhe dokumentacioni i tyre mbeti në kasafortën e Ramiz Alisë. Krejt papritur një ditë ai më thirri në zyrë bashkë me zëvendësit e mi. Çuditërisht, para se të futeshim na kontrolluan deri në imtësi. Bile mua më kontrolluan edhe me minakërkues. Nejse. U futëm. Që në fillim Ramizi duke i rënë tavolinës me grusht, më kritikoi rreptë pse nuk i kisha krijuar brigadat që do të vinin në Tiranë. “Të kam dërguar urdhrat dhe relacionet për t’i firmosur, – i thashë, – dhe akoma nuk kam përgjigje. Repartet nuk mund t’i ngrëmë pa miratimin tuaj.” Me këtë reagim timin u bashkuan dhe të tjerët. Menjëherë pastaj Ramizi ndërroi kahun e bisedës sikur nuk kishte qenë ai…
Po urdhri tjetër për mobilizimin e rezervistëve në Jug çfarë parashikonte?
Edhe ai mbeti në letër. Pastaj në veçoritë e asaj situate kur njerëzit i kishin sytë drejt kufirit, as që bëhej fjalë t’i ftoje nën armë. Ca më shumë t’i sillje në Tiranë. Mbaj mend që Gramoz Ruçi, në atë kohë sekretar i parë i Tepelenës, sa e njoftova për këtë urdhër, ma preu shkurt: “Ushtarët i kemi gati për të ruajtur kufirin, jo sheshet e Tiranës!”…
Zoti Kiço, pas dorëzimit të detyrës së ministrit të Mbrojtjes ju shkuat në Greqi. Gjatë kësaj periudhe është folur për një implikim tuajin në ngjarjet e ’97-s. Si është e vërteta?
Kur ndodhën ngjarjet e ’97-s unë isha roje në një fabrikë këpucësh në Greqi. Plotë 16 vite kam punuar atje. Kur filluan televizionet greke e flisnin për kaosin në Shqipëri, njëri nga gazetarët u kujtua të vijë tek unë. Në fillim kërkoi ndihmën e drejtorit të fabrikës. Fillimisht hezitova të jap intervistë. Ata këmbëngulën, por përsëri unë qëndrova në timen. Një moment, njëri prej tyre më tha se unë akuzohesha në Kuvendin e Shqipërisë dhe drejtpërdrejt nga kreu u policisë së fshehtë, Bashkim Gazidede, se bashkë me Gramos Ruçin isha vënë në shërbim të zbulimit grek dhe drejtoja operacionin për shkatërrimin e ushtrisë shqiptare. U çudita nga kjo marrëzi dhe më në fund pranova të flas për të sqaruar pozicionin tim. Shpreha dhe kritika të forta për qeverinë e Sali Berishës, që e lëshoi Shqipërinë në duart e njerëzve të armatosur. Mbaj mend se në atë kohë isha i dënuar në mungesë  për të famshmin grusht shteti…
Gjatë kohës që keni qenë ministër i Mbrojtjes flitet se keni mbajtur në kasafortë një plan sekret për çlirimin e Kosovës. Çfarë parashikonte ai?
Në fakt, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes ka qenë një kasafortë e vogël brenda kasafortës së ministrit, e rezervuar me siglën “Tepër sekret”. Pikërisht aty ishte plani luftarak i ushtrisë shqiptare për çlirimin e Kosovës. Ai ishte bërë nga Mehmet Shehu në bashkëpunim me një grup të kufizuar specialistësh që në vitin ‘79…
Konkretisht çfarë synohej nëpërmjet këtij plani luftarak që nuk u vu në veprim asnjëherë?
Ai parashikonte që me krijimin e kushteve të bëhej çlirimi ushtarak i Kosovës. Në fund të fundit, të bëhej ajo që bëri NATO në vitin 1999.
Kishte potenciale ushtria shqiptare në atë periudhë për të përballuar një sfidë të tillë?
Për aq sa pretendonim kapacitetet ishin, sado që kishim përballë një shtet të fuqishëm ushtarakisht siç ishte Jugosllavia. Ishte ushtria jonë që do të merrte këtë nismë, por ishin edhe vetë kosovarët që do të bëheshin pjesë e ofensivës. Dua të them se kishte edhe disa lidhje të tjera. Një e tillë ka qenë kontakti me krerët e Traktatit të Varshavës, siç ishte ai me gjeneralin Kulikov, nga i cili morëm sigurinë se në rast të një sulmi mbi Kosovë, nuk do të ndëshkoheshim nga Traktati i Varshavës…

 

ROLAND QAFOKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura