“Këtë fundjavë nis vaksinimi për sektorin e turizmit”/ Ministrja e Shëndetësisë përgjigjet për pezullimin e disa vaksinave: Deri tani…

Apr 15, 2021 | 8:13
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha lajmin se  këtë fundjavë do të nisë vaksinimi i punonjësve në sektorin e turizmit. E ftuar në emisionin “Koha për tu zgjuar” në News24, ajo u shpreh se programi i vaksinimit masiv të popullatës do të vazhdojë.

manastirliu-turizmi-vaksinat

Me vaksinimi e punonjësve të hoteleri turizmit, ministrja u shpreh se sezoni turistik do të jetë më i lehtësuar nga pandemia.

“Ne do të vijojmë programin e vaksinimit masiv të popullatës. Ashtu siç e kemi thënë ne duam që sezoni turistik të jetë i lehtësuar nga masat. Por para se të shkojmë tek sezoni turistik ne do të krijojmë bazat për të vaksinuar punonjësit në sistemin e hoteleri turizmit. Ka një plan konkret dhe ne duam ta fillojmë këtë fundjave vaksinimin e atyre që shërbejnë në rrjetin hotelier dhe për të krijuar lehtësim për turizmin në këtë sezon”, u shpreh ajo.

E pyetur për pezullimin e disa vaksinave në disa  vende të botës, Manastirliu u përgjigj: “Ne bazohemi në atë çfarë thotë evidenca shkencore dhe ekspertët tanë. Ne kemi një komitet kombëtar të imunizimit, që merr vendime dhe rekomandon hapat që duhet të ndjekë qeveria. Ne orientohemi në institucionet kombëtare dhe duke u referuar këtyre institucioneve marrin edhe vendimeve tona. Deri tani nuk janë të verifikuara asnjë  lidhje shkak-pasojë për të bërë ndonjë ndalim të vaksinave. Çdo vendim merret i orientuar në bazë të shkencës dhe jo në bazë të gjithollogëve”.

Sipas ministres, fushata e vaksinimit nuk po përdoret për fushatë elektorale. Programi i vaksinimit tha Manastirliu po menaxhohet nga mjeku i familjes, ndërsa i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen sipas kategorive, ku prioritet janë ata me sëmundje kronike.

“Kemi vijuar më një plan të kombinuar të vaksinimit. Aktualisht jemi në fashën +60 vjeç, ku me prioritet janë ata me sëmundje kronike. Pikat e vaksinimit janë ngritur në të gjithë Shqipërinë dhe mjeku i familjes ka një rol kyç. Ka mbajtur dhe monitoruar shëndetin e popullatës, por edhe ka lajmëruar qytetarët për vaksinimin. Ne do të vijojmë me vaksinimin e kësaj grupmoshë, por edhe me grupet e rriskuara. Këto ditë e përmbyllim edhe vaksinimin e efektivëve dhe të mësuesve.”

© Panorama.al

Te lidhura