Procedimi penal, qytetari: Më shembi lokalin me leje. Kaçaj: Lojë për të prishur imazhin tim në prag të zgjedhjeve

Feb 13, 2015 | 12:20
SHPËRNDAJE

Policia e Lezhës nis procedim penal ndaj kryekomunarit të Shëngjinit nga një letër anonime.  

Salvador Kacaj

 Gjithçka ka nisur nga ankesa që i ka bërë një banor i komunës bregdetare Ministrisë së Drejtësisë, duke akuzuar Salvador Kaçajn se kishte urdhëruar prishjen e lokalit me leje.

Por, edhe pse emri është i banorit të zonës, ky i fundit ka deklaruar se nuk është ai autori. Nga ana e Policisë së Lezhës pohohet se ndaj Kaçajt ka nisur hetimi për akuzën e shpërdorimit të detyrës nga ana e tij.

Uniformat blu të Lezhës kanë bërë të ditur se kreu i komunës akuzohet se i ka prishur lokalin në zonën e Kunës një shtetasi në kundërshtim me ligjin, pasi ai e ka pasur me dokumentacion të rregullt.

Lokali i shtetasit Fran Marku, i cili ishte i ndërtuar në brezin e rërës u prish gjatë aksionit që kishte ndërmarrë Inspektorati Urbanistik Kombëtar në vitin 2012, në zonën bregdetare të Shëngjinit.

Sipas kallëzimit të bërë nga pronari i këtij objekti, komuna nuk i ka njohur të drejtën e kompensimit dhe shpronësimi i objektit nuk është bërë për interes publik, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik.

Ndaj kryekomunarit prokuroria ka nisur hetimet, ndërsa ai akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “dëmtimit me dashje të pronës”.

Kjo është hera e tretë brenda harkut kohor të një viti që kreu i komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj, ndiqet penalisht për shpërdorim detyre.

Kësaj radhe Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Policisë në Lezhë ka marrë shtysë nga një letër që i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë më 26 janar të këtij viti, ku bëhet kërkesë për rihapje hetimi ndaj kreut të komunës Salvador Kaçaj.

Letra është nënshkruar nga 2 persona, Fran Marku që e mohon të jetë ai dërguesi dhe firmëtari i saj, ndërsa një i dytë që nuk figuron në zyrat e Gjendjes Civile të Shëngjinit dhe askush nuk e njeh.

Në prononcimin e tij për mediat, Fran Marku thotë se për kallëzimin e bërë ndaj komunës së Shëngjinit çështja është në gjykatë, ndërsa ka mohuar që të ketë bërë një kallëzim të dytë sipas pretendimeve të hedhura në këtë letër.

“Është e vërtetë që në vitin 2012 kam bërë një kallëzim në prokurori ndaj komunës së Shëngjinit për prishjen e objektit të tim të cilin e kam pasur me leje dhe disponoj të gjithë dokumentacionin. Për këtë çështje unë jam në proces gjyqësor dhe nuk kam bërë asnjë lloj kallëzimi tjetër. Për letrën që i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë, unë nuk kam dijeni dhe unë nuk kam firmosur. Ajo firmë në atë letër nuk është e imja dhe unë kërkoj që të gjendet autori i kësaj shkrese, i cili ka folur në emrin tim”, tha Fran Marku, banor i Shëngjinit.

I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, kreu i komunës Salvador Kaçaj i ka cilësuar këto akuza si sulme që i bëhen nga strukturat e Policisë së Shtetit, që sipas tij kanë vijuar me aksionet. Kaçaj ka sqaruar se e gjithë kjo është një manovër për të dëmtuar imazhin e tij duke qenë një kandidat i mundshëm në Lezhë për zgjedhjet vendore të qershorit.

DOSJET PËR KAÇAJN

Në muajin mars të vitit 2014, kreu i komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj, bashkë me 6 zyrtarë të tjerë lokalë u morën të pandehur me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, pasi kishin kthyer kënetën në tokë truall.

Ndaj kryekomunarit Gjykata e Lezhës vendosi masën e detyrimit të paraqitjes, por pas 3 muajsh dosja u pushua sepse Kaçaj nuk përfshihej në këtë çështje. Vetëm pak muaj më vonë, në gusht, Kaçaj akuzohet për shpërdorim detyre, për zaptim të hapësirave publike nga subjekte të palicencuara në QKR.

Çështja ndaj tij u pushua sërish pas dy muajsh, pasi nuk kishte prova për këtë akuzë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura