Itinerari/ Zbardhen të dhënat nga TIMS, Gjebrea dhe Tahiri erdhën nga Greqia me “Audin” e Habilajve

Nov 24, 2017 | 13:50
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, ka qenë në vitin 2014 në Greqi me ish-ministrin Tahiri dhe është kthyer prej andej me mjetin tip “Audi”, që ishministri ua kishte shitur kushërinjve të tij të largët, Habilajve.

Elona-Gjebrea

 “Panorama” disponon të dhënat e sistemit TIMS, për hyrjet dhe daljet e dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme. Është pikërisht ky itinerar që ka përfshirë edhe emrin e ish-zv.ministres në dosjen e Habilajve te Krimet e Rënda.

Gjithashtu, “Panorama” mëson se Elona Gjebrea, aktualisht deputete e PS-së, ka qenë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda më datën 17 nëntor të këtij viti, për të dhënë shpjegime në lidhje me këtë udhëtim.

Nga ana tjetër, ish-zv.ministrja e ka mohuar një fakt të tillë përmes një deklarate ditën e djeshme në media. Sipas të dhënave që disponon gazeta “Panorama”, Tahiri dhe Gjebrea kanë dalë më 8 gusht të vitit 2014 nga Porti i Sarandës në drejtim të Greqisë. As ish-ministri dhe as ish-vartësja e tij nuk kanë pasur me vete ndonjë automjet dhe kanë udhëtuar me tragetin e linjës.

Po kështu, më datë 14 gusht, vëllai i Moisi Habilajt, Artan Habilaj, ka dalë nga pika kufitare e Qafë-Botës në Sarandë në drejtim të Greqisë. Ai ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip “Audi” që Saimir Tahiri ua kishte shitur Habilajve me akt noterial.

Dy ditë më pas, më datë 16 gusht 2014, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kthehen në Shqipëri përmes pikës kufitare të Qafë-Botës me automjetin tip “Audi” të Artan Habilajt, ndërsa ky i fundit rezulton se është kthyer në Shqipëri në po të njëjtën datë pa automjet dhe me tragetin e linjës.

Pikërisht për këtë itinerar të dyshimtë, ish-zv.ministrja e Brendshme është pyetur në Prokurori për të dhënë detaje për udhëtimin, edhe pse ajo e mohon një gjë të tillë.

TË DHËNAT NGA SISTEMI TIMS

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, të cilat janë siguruar nga “Panorama”, ish-ministri i Brendshëm rezulton se më datën 08.08.2014, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, me destinacion Greqinë, në orën 09:32, përmes Portit të Sarandës.

Ai ka udhëtuar me tragetin e linjës dhe nuk ka pasur të regjistruar asnjë automjet. Në të njëjtën datë, pra më 08.08.2014, rezulton sipas sistemit TIMS të ketë dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me destinacion Greqinë, edhe ish-zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea.

Ajo ka dalë përmes Portit të Sarandës në orën 09:33 dhe nuk ka pasur të regjistruar asnjë automjet. Po kështu, sipas sistemit TIMS, më datë 14.08.2014, shtetasi Artan Habilaj, vëllai i Florian dhe Moisi Habilajt, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë përmes Pikës Kufitare të Qafë-Botës në Sarandë, me destinacion Greqinë. Ai ka dalë me automjetin tip “Audi”, me targë AA 003 GB, në orën 10:51.

Më datë 16.08.2014, sipas sistemit TIMS, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë përmes Pikës Kufitare të Qafë-Botës me automjetin tip “Audi”, me targë AA 003 GB, përkatësisht në orën 13:31 dhe 13:34.

Pra, bëhet fjalë për të njëjtin mjet që Tahiri ua kishte shitur Habilajve dhe me të cilin Artan Habilaj ka shkuar në Greqi më 14 gusht 2014. Po atë ditë, sipas sistemit TIMS, Artan Habilaj është kthyer në Shqipëri përmes Portit të Sarandës, duke përdorur si mjet transporti tragetin e linjës. Burimet thonë se ngjarja ka ndodhur në kohën kur Habilajt ishin nën hetim për trafik ndërkombëtar droge.

Ecuria e lëvizjeve të tyre në keto data (08.08.2014- 16.08.2014)

DALJE

Dt. 08.08.2014- Saimir Tahiri, dalje nga Pika Kufitare e Portit Sarandë (Traget) për në Greqi, ora 9.33

Dt. 08.08.2014- Elona Gjebrea, dalje nga Pika Kufitare e Portit Sarandë (Traget) për në Greqi, ora 9.32

Pra, Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kanë dalë bashkërisht për në Greqi me traget (pa makinë)

Datë 14.08.2014- Artan Habilaj, dalje nga Pika Kufitare Qafë Botë, Sarandë për në Greqi, me automjetin AA 003 GB, ora 10.51

Datë 16.08.2014- Artan Habilaj, hyrje nga Pika Kufitare e Sarandës për në Shqipëri, me traget, pa makinë.

Pra, Artan Habilaj del nga Shqipëria për në Greqi, në dt. 14.08.2014 me automjetin AA 003 GB dhe kthehet me traget, pa automjet

Datë 16.08.2014- Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea hyjnë në Shqipëri nga Greqia, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës, me automjetin AA 003 GB. Ata kanë hyrë konkretisht:

– Saimir Tahiri në orën 13.31, dt. 16.08.2014
– Elona Gjebrea në orën 13.34, dt.16.08.2014

Pra, Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kanë dalë nga Shqipëria për në Greqi në dt. 08.08.2014 me traget, nga Porti i Sarandës (pa makinë) dhe janë kthyer në dt. 16.08.2014 nga pika kufitare e Qafë Botës me automjetin me targë AA 003 GB.

Ky automjet ka dalë për në Greqi nën drejtimin e Artan Habilaj dy ditë para kthimit të Tahiri dhe Gjebreas, konkretisht në dt. 14.08.2014.

Artan Habilaj i ka lënë automjetin Tahirit, i cili është kthyer me këtë makinë në Shqipëri, së bashku me Elona Gjebrean.

Ndërsa Artan Habilaj, pasi i ka dhënë makinën Saimir Tahirit, është rikthyer në të njëjtën ditë në Shqipëri, por me traget.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura