Ish- studenti: Djemtë i arrestuan, vajzat i dëbuan

Apr 20, 2015 | 21:02
SHPËRNDAJE

Urbain Zhuasan Massena duke folur për “Panorama”

Urbain Zhuasan Massena, është i vetmi nga ish-studentët afrikanë që ka mbetur në Shqipëri. I diplomuar në Universitetin e Tiranës për Mjekësi, prej vitesh vazhdon të punojë në qendrën shëndetësore të Vorës, ku ndjehet si në shtëpinë e vet. Ai ka qenë pjesë e grupit të studentëve të huaj që u penalizuan nga regjimi në fillim të viteve ’80, për sjellje e qëndrime liberale. Nga përballja me autoritetet, doktor Beni, siç i flasin të njohurit, ka fiksuar në kujtesë grupin e arrestuar për veprimtari armiqësore dhe pjesën e vajzave që u përjashtuan nga Fakulteti dhe u larguan nga Shqipëria si “persona non grata”…

Çfarë kujtoni nga çastet e arrestimit të shokëve tuaj?
Ka qenë diçka e papritur dhe e pabesueshme arrestimi i tyre. Mënyra si i prangosën Vital Pakasën dhe Zhak Jumbun në fillim të vitit 1982, u përjetua me shqetësim të madh jo vetëm nga grupi ynë, por edhe pjesa e studentëve shqiptarë. Me ta njihesha prej kohësh. Ishim rritur e shkolluar bashkë. Aty për aty, arrestimi i tyre na dukej një aventurë e pakuptimtë. Sidoqoftë, ky akt e tronditi fort komunitetin tonë…

Cila ishte akuza që u komunikuan kur i arrestuan Vital Pakasën dhe Zhak Jumbun?
Në fillim qarkulluan zëra se i arrestuan për agjitacion e propagandë, se kishin folur kundër sistemit dhe vijës së Partisë. Gjatë procesit gjyqësor i akuzuan për veprimtari armiqësore kundër Republikës së Shqipërisë. Kjo e bënte më të rëndë pozitën e tyre…

Ju e keni ndjekur gjyqin e tyre?
Unë nuk kam qenë i pranishëm, por ma kanë treguar shokët që e ndoqën gjyqin në sallë. Aty i akuzuan se ishin lidhur me agjenturat e huaja dhe bënin spiunazh. Ishte kjo një përballje sa brutale aq dhe absurde. Në fund, pavarësisht se ata nuk pranuan asgjë, u dënuan, madje me shumë vite burg…

Ku e bënë dënimin?
Me sa më kujtohet, qëndruan rreth tre muaj në burg në Tiranë në kushte izolimi dhe pas tre muajsh, autoritetet lajmëruan familjarët e tyre dhe i riatdhesuan. Pra, ikën me familjarët… Kontakti me familjarët pas lajmërimit nga zyrtarët e Tiranës, prodhoi një histori tjetër disi të çuditshme. Ata, të mbërritur nga larg, të tronditur e të shqetësuar për njoftimin e papritur, u befasuan kur u njohën me akuzat vulgare për fëmijët e tyre. Madje, ndonjëri prej tyre, si nëna e Zhakut, edhe rebeloi para autoriteteve shqiptare, duke u kujtuar faktin se përgjegjësit kryesor për sjelljet e tyre ishin ato, pasi u ishte besuar kujdesi për edukimin e tyre qysh në fëmini.

Bashkë me grupin e dënuar që u largua për në Kongo, ka qënë edhe një tjetër që u përjashtua nga Universiteti dhe u shpall non grada…
Po, po, ishte dhe një grup tjetër me vajza që u shpëtoi prangave, por jo përjashtimit nga Universiteti dhe largimit me detyrim, madje duke u shpallur të padëshirueshëm për të jetuar në Shqipëri. Në këtë liste bënte pjesë Maria Zhose, Liliana Katasa, Koleta Jumbu dhe Elisabeta Mukeketa. Dëbimi i tyre, kryesisht lidhej me arsyetimin pa arsye se kishin manifestuar shfaqje të huaja liberale dhe kishin qëndrim jo të mirë moralo-politik…

Çfarë stononte në sjelljet tuaja që u bëtë objekt i goditjes së sigurimit të shtetit?
Në fakt ne kishim të njëtjën përditshmëri me pjesën e studentëve vendas. Jetonim në të njëtin konvikt, studionim në të njëtat auditore,shëtisnim e loznim bashkë në çdo kohë. I vetmi përjashtim, i vetmi privilegj, që kishim ne të huajt, nëse mund ta quajmë kështu, ishte e drejta për të frekuentuar hotel “Dajtin” dhe kontaktet me diplomatët e akredituar në Tiranë. Këtu fillonte pikërisht ajo që na vinte në shënjestrën e njerëzve të sigurimit. I gjithë ky aktivitet, siç e kemi mësuar më vonë, përgjohej e rregjistrohej fshehtas dhe mbi lëndën e zbardhur në zyrat e policisë sekrete, konkludohej mbi rrezikshmërinë që paraqisnim ne për regjimin. Po nuk na konfliktonte vetëm kjo. Diçka më vulgare ishte “alergjia” e zyrtarëve me veshjet tona. Asokohe shumkush prej nesh kishte vendosur kontaktet me famijarët dhe miqt e vet. Prej tyre herë pas here merrnim rroba e paisje të ndryshme, të cilat në Tiranë nuk egzistonin. Ndodhte rëndom që një palë atlete “Adidas”, apo pantallona “Blue Jeans”, një mangnetofon “Filips” apo një radio “Luxburg”, të rregjistronte mbarëts të shfaqjeve të huaja borgjezorevizioniste. Pak a shumë këto “privilegje”, u bënë boshti i goditjes së papritur…
Afrim Imaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura