Isa Alibali, një roman mbi dashuritë e vrara në diktaturë

Mar 2, 2017 | 12:58
SHPËRNDAJE

PROF. DR. REFIK KADIJA

Pas disa botimeve me studime dhe monografi, si “Në Shkodër të gjithë këndojnë” (1997, 2011), “Mirënjohje” (2002), “Prenkë Jakova” (2005).

isa aliballi

“Me Tano Banushin dhe humorin e tij” (2007), “Rrënjë dashurie” (2012), etj., autori Isa Alibali vjen në fushën e letrave me romanin e tij “Përtej mjegullës ka dritë” (2015). “Përtej mjegullës ka dritë” është një roman tipik biografik, i cili mbështetet në ngjarje reale, në përjetime të vërteta të personazheve reale, ndonëse me emra të ndryshuar. Romani ka dymbëdhjetë kapituj dhe një epilog.

Romani është i ndarë në tri pjesë. Pjesa e parë mund të titullohet “DASHURIA DHE NDARJA”. Pjesa e dytë mund të përgjithësohet logjikisht me një fjalë: “BURGU”. Kurse pjesa e tretë, fare mirë mund të mbartë titullin “DRITA PËRTEJ MJEGULLËS”. Çdo pjesë fillon me një monolog të shkurtër të heroit në vetën e parë, me shkrim korsiv si faqe ditari. Pjesa tjetër e romanit rrëfehet në vetën e tretë. Herë-herë rrëfimi ndërthuret me vegime, refleksione, ëndrra dhe monologë të brendshëm, biseda me vetveten, siç janë refleksionet e Visarit në qelinë e burgut, faqet e ditarit të Anës, apo monologu i brendshëm i Fredit, pas dëshmisë së rreme ndaj shokut të ngushtë, Visarit, deri në çastin kur vetëvaret etj.

PertejMjegullesKaDrite - IsaAlibali

Ky është një roman realist, ngjarjet e të cilit kanë një shtrirje rreth 35-vjeçare. Ato nisin në vitet 1957-61 dhe shtrihen deri në ditët tona, deri në mesin e viteve 1990, në fillimet e periudhës postkomuniste. Heroi i romanit, Visar Shkoza, shkon për studime në Varshavë. Atje njihet e dashurohet me polaken e bukur, Ana Kadinski. Me miratimin e prindërve të saj, ata martohen dhe u lind një djalë, Sokoli.

Në verën e vitit 1961, kur Visari ishte nga fundi i studimeve dhe po përgatitej ta merrte Anën e Sokolin në Shqipëri, ndodh drama e madhe: të gjithë studentët shqiptarë që studionin në vendet e Europës Lindore detyrohen të ndërpresin studimet, të kthehen përgjithmonë në Shqipëri dhe të ndërpresin çdo lidhje e marrëdhënie që mund të kishin krijuar atje ku studionin. Nis kështu periudha e acartë e vetizolimit të Shqipërisë, nis “dimri i vetmisë së madhe”. Kështu ndodh dhe ndarja e Visarit me Anën.

Gradualisht ndërpritet çdo mundësi komunikimi midis tyre – nuk kishte më as telefonata, as këmbim letrash e kartolinash që interceptoheshin nga Sigurimi i Shtetit. Për Visarin e Anën sajohet një mënyrë djallëzore e çnjerëzore e ndarjes së përjetshme: Anës i thuhet se Visari ishte vrarë nga policia gjatë një demonstrate studentore në Tiranë, kurse Visarit se Ana ishte martuar në Kanada. Për fat të keq, gënjeshtra e sofistikuar besohet nga të dyja palët. Në fillim të viteve 1970 sajohet “grupi i studentëve që kishin studiuar në Poloni, të vënë në shërbim të agjenturës polake”.

U gjet Polonia si vend i “kampit socialist” që ishte më afër Perëndimit që diktatori paranojak shqiptar të shpikte “agjenturën polake”, e cila përfshiu dhe Visar Shkozën. Kështu fillon dhe kalvari i vuajtjeve dhe torturave të Visarit – shpifjet, akuzat, arrestimi, izolimi, pyetjet persekutuese në hetuesi, burgosja, dënimi me dhjetë vjet burg me dëshmitarë të rremë, burgu famëkeq i Spaçit, qelia e izolimit, sëmundjet, vetmia, puna sfilitëse në minierën e bakrit, krahas persekutimit të anëtarëve të familjes (vështirësitë ekonomike, pushimi nga puna, internimi i Dritës, motrës së Visarit, dhe i bashkëshortit të saj Bardhylit) etj., etj.

Autori nuk ndalohet gjatë në përshkrimin e vuajtjeve, sepse qëllimi i tij është që të rrëfejë kapërcimin e tyre, qëllimin për të parë “dritë përtej mjegullës”. Pastaj vjen liria, lirimi i Visarit nga burgu, kthimi në gjirin e familjes te Liljana dhe dy vajzat, Flora dhe Lindita. Një ditë vjen dhe shembja e diktaturës komuniste. Është koha kur “mjegulla” e dendur fillon të largohet e të përshkohet nga drita.

Ndërkohë Sokol Shkoza dhe e ëma Ana jetojnë në Boston, SHBA. Me vetëdijen e plotë e të kthjellët për atësinë e tij shqiptare, si bir i ligjshëm i Visar Shkozës, të ruajtur me fanatizëm dhe të regjistruar me saktësi në të gjitha dokumentet e identitetit, si dhe të ushqyer me konsekuencë nga e ëma fisnike e vetëmohuese, Sokoli merr vesh rastësisht se Visari është gjallë. Ai menjëherë nis përpjekjet për ta gjetur nëpërmjet përfaqësisë shqiptare në OKB në Nju Jork, pastaj në Ambasadën Shqiptare në Paris e Romë, por kudo gjen dyer të mbyllura dhe mungesë të qëllimshme informacioni.

Më në fund, pas shembjes së diktaturës totalitare zbardh drita përtej mjegullës: Sokoli komunikon me babain dhe familjen e tij në Shqipëri, dhe vjen takimi i shumëpritur baba e bir. Pastaj vjen ritakimi i parë i Visarit me Anën – një takim shumë i vështirë, tronditës, prekës, me një qëndrim të përmbajtur e të rezervuar nga ana e Anës, por dhe e Visarit. Në fund vjen dhe ftesa e Anës për vizitën e Visarit dhe Liljanës në Boston, takimi i tyre, rrëfimi tronditës i Visarit për vuajtjet e burgut dhe gradualisht forcimi i dritës përpara, duke lënë mbrapa mjegullnajën dhe hijet e së shkuarës… Romani përshkohet nga emocione të forta, me situata tronditëse vuajtjesh e dhimbjesh.

Ngjarjet janë përshkruar thjesht, me vërtetësi e sinqeritet. Autori përdor me mjeshtri detaje të qëlluara dhe përshkrime të hollësishme të mjedisit e ndjenjave të personazheve kryesorë. Të mbeten në kujtesë detaje të tilla si shkulja e luleve në oborr për të mbjellë perime për të siguruar mbijetesën; vendimi i Visarit në birucë që një ditë në javë ta shpallte “ditë heshtjeje” dhe të mos fliste as me vetveten; apo detaji kur Visari e përplas përtokë trastën me patate, pasi e kishin pyetur njëzet vetë “Shok, ku i bleve patatet?”; detaji kur Drita sheh Elmazin, më- suesin e marksizmit, duke thirrur “Liri, demokraci!” me dy gishtat përpjetë në mes të turmës që po drejtohej në shesh për të rrë- zuar shtatoren e Enverit etj.

Në përshkrimin e ngjarjeve autori ndërthur rrëfimin në vetën e tretë me monologun e brendshëm, i cili jepet përgjithësisht po në vetën e tretë. Stili i rrëfimit është i rrjedhshëm. Duket qartë se autori e ka përtypur mirë materialin jetësor dhe tregohet i aftë për t’ia transmetuar lexuesit me vërtetësi e në mënyrë emocionale. Dialogu është i zhdërvjellët. Përshkrimi i ngjarjeve është i rrjedhshëm e dinamik.

Autori përdor me masë dhe me efekt retrospektivën, siç është rikthimi i Anës në vende që i sjellin ndërmend ngjarje të së shkuarës (siç është rikthimi në koncertin e Shopenit). Historia e dashurisë fatkeqe të Visarit me Anën është fati i ngjashëm i shumë të rinjve që studionin në vendet e Europës Lindore, të ashtuquajtura “Kampi socialist”.

Në realitetin shqiptar njihet mirë famëkeqja “luftë e klasave”, por në këtë roman autori ka trajtuar një aspekt specifik të “diktaturës së proletariatit”. Ky aspekt specifik u shfaq kur diktatori komunist krijoi absurdin e gjendjes paradoksale të “armikut të klasës” brenda llojit të vet dhe ai, në mënyrë paranojake, u bë si kuçedra që ha pjellën e vet. Romani përfundon me “happy end”, ka fund “të lumtur”, duke e përligjur plotësisht kuptimin e titullit “Përtej mjegullës ka dritë”.

Por ky “fund i lumtur” është vetëm i karakterit kompozicional, në kuptimin që romani nuk ka përfundim tragjik. Fakti është se shumë studentë shqiptarë që u detyruan të lënë mbrapa në vendet ku studionin të dashurat ose bashkëshortet vendëse (nganjëherë dhe me fëmijë të përbashkët) nuk i panë ato kurrë më. Pas tridhjetë vitesh, ndarjeje dhe pamundësie komunikimi, qoftë dhe me letra, kartolina apo telefonata, jeta solli fate tragjike e funde të dhimbshme. Tridhjetë vjet ndarje është një kohë e gjatë. Njëri nga të dy nuk jetonte më, ose dhe të dy kishin vdekur, larg njëri-tjetrit, larg në kohë dhe në distancë.

Në këtë kuptim, Visari dhe Ana qenë më me fat: ndonëse përjetuan ndarje të dhimbshme dhe vuajtje të mëdha shpirtërore e fizike, më në fund e rigjetën njëri-tjetrin, u takuan më në fund. Ishte një takim tejet dramatik, me përjetime dhimbjesh të gjata, pas tridhjetë vitesh, kur ata tashmë ishin të moshuar, kur nuk bëhej më fjalë për rikthim, për përtëritje të një dashurie që tashmë ishte bërë copë e grimë dhe ishte varrosur thellë e përgjithmonë në qenien e tyre.

Të dy, Ana e Visari, kishin përjetuar dramën e ndarjes së përjetshme (realisht për së gjalli), por të paktën ata kishin gjallë “frutin më të ëmbël të kësaj dashurie të pakufishme” – djalin e tyre, Sokolin, të cilin Ana e kishte rritur me kujdes dhe i kishte ushqyer dashurinë dhe respektin për babain, Visarin, ndonëse kujtonin se ai nuk jetonte më.

Ana përshkruhet me vërtetësi si një grua me karakter të fortë, besnike dhe me dinjitet, vetëmohuese në kulm, një heroinë e cila zgjodhi vetësakrificën e vejnimit. Lajmi i papritur se babai ishte gjallë, përpjekjet e palodhura të Sokolit në kërkim të babait, njoftimi se ai kishte dy motra nga babai, Florën dhe Linditën, dhe, në fund, takimi baba e bir, takimi i Sokolit me motrat dhe pjesëtarët e tjerë të familjes Shkoza, si dhe takimi i të gjithëve me Anën në Boston – të gjitha këto janë përshkruar me mjeshtri artistike, duke përdorur detaje emocionale shumë të goditura.

Autori i ka zbuluar me kujdes dhe në momentin e duhur detajet që i mban si “karta të fshehura në mëngë”. Kështu, Ana i qëndron ftohtë Visarit kur ritakohen për herë të parë në Boston, duke “e ditur” se ai ishte martuar sërish dhe kishte krijuar familje të re, ndërkohë që ajo i kishte qëndruar me stoicizëm besnike dashurisë së tyre dhe kujtimit të tij ndonëse e dinte të vdekur. Ajo tregon fisnikëri të lartë kur i mirëpret Visarin me të shoqen Liljanën me respekt, kryesisht për hir të Sokolit, duke e mirëkuptuar gëzimin e tij të ligjshëm për gjetjen e babait, për faktin se ai tashmë kishte dhe dy motra e plot të afërm nga babai.

Por kur Visari, gjatë rrëfimit të tij për kalvarin e vuajtjeve, natyrshëm “zbulon” kartën e fundit që autori “kishte fshehur në mëngë” – që ai ishte informuar nga një polake se Ana ishte martuar në Kanada, atëherë Ana shpërthen me dënesë në lot të papërmbajtur. Atëherë ajo mëson të vërtetën e plotë se Visari ishte martuar pasi kishte marrë vesh për martesën e saj në Kanada. Asgjë nuk mund të ndryshojë më, por të paktën përmes lotëve të nxehtë të Anës nënkuptohet tërthorazi njëfarë justifikimi për martesën e Visarit me Liljanën. Sidoqoftë, Ana qëndron shumë lart për vetëmohimin dhe fisnikërinë e saj.

Historia e dashurisë dhe vuajtjeve të Visar Shkozës dhe Ana Kadinskit nuk është ngjarje e rëndomtë e të persekutuarve. Tema mbizotëruese e romanit nuk është thjesht persekutimi nga regjimi totalitar. E themi me bindje se romani “Përtej mjegullës ka dritë” ndryshon shumë në disa drejtime nga historitë e shumta të të persekutuarve nga regjimi komunist, të cilat janë treguar e ritreguar në kujtime, autobiografi, artikuj gazetash e emisione televizive.

Tema qendrore e këtij romani është drama e dashurisë së madhe e të sinqertë dhe e ndarjes së dhimbshme të shkaktuar nga ndë- rhyrja e dhunshme dhe e padrejtë e politikës në jetën dhe intimitetin, privatësinë e individit. Dashuria nuk është vetëm ndjenja më sublime e njeriut, por dhe e drejta e tij ekskluzive që i është dhuruar nga Zoti, ashtu siç i është dhuruar dhe jeta. Askush tjetër veç Zotit nuk ka të drejtë për të ndërhyrë në jetën dhe dashurinë e njeriut, aq më pak për t’i dhunuar ato. Por ja që gjatë regjimit totalitar paragjykimet dhe politika kanë ndërhyrë dhe i kanë dhunuar brutalisht këto dy dhunti të shenjta humane të dhuruara nga Zoti.

Një temë tjetër e rëndësishme që shtjellohet paralelisht me temën qendrore është forca e dashurisë dhe ngadhënjimi i saj moral mbi politikën, siç është dhe ngadhënjimi i jetës mbi vdekjen. Morali i këtij romani është, siç thotë dhe titulli, se përtej mjegullës, përtej errësirës, ka dritë, se e shkuara nuk duhet harruar por edhe se nuk duhet qëndruar në të shkuarën, nuk duhet mbajtur koka e kthyer mbrapa, se duhet shikuar përpara. Romani mbyllet me mesazhin e tij optimist të cilin Visari e hedh në librin e kujtimeve: “Po, i dashuri Sokol, si thua ti është. Të shkuarën ta lëmë pas shpine, të mos e harrojmë, por të mos bëhemi skllevër të saj…, të mos bëhemi pengje të hijeve të së shkuarës. Kemi jetën përpara. Të shohim dritën që na sjell ajo. Të ecim drejt ndriçimeve të së ardhmes…. Sepse përtej mjegullës ka gjithmonë dritë”.

Është meritë e padiskutueshme e autorit Isa Alibali që romani i tij “Përtej mjegullës ka dritë” lexohet me interes dhe të emocionon thellë. Sapo lexon faqen e parë, librin nuk mund ta lëshosh më nga dora, deri në faqen e fundit: karakteret dhe ngjarjet e tij të mbeten gjatë në kujtesë. Romani ka vlera artistike të padiskutueshme, por mbart dhe vlera edukative.

Shumëkush nga brezat që e përjetuan kohën e diktaturës gjen në roman diçka nga vetvetja, kurse brezi i ri nxjerr mësime për të mos lejuar përsëritjen e atyre ngjarjeve të hidhura në të ardhmen, për të mos lejuar ndërhyrjen e politikës në jetën intime të individit. Autori Isa Alibali, me modesti të sinqertë mirëpret vlerësimet e kritikës letrare dhe sugjerimet e të gjithë lexuesve, të rinj e të moshuar, për gjithçka që i shërben përmirësimit të mëtejshëm ideo-artistik të këtij romani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura