INTERVISTA/ Votimet e 30 qershorit dhe vendimi për Saimir Tahirin, flet ambasadori italian: Nuk u mbajtën parasysh interesat e qytetarëve, drejtësia në Shqipëri po bën…

Sep 24, 2019 | 16:28
SHPËRNDAJE

Ambasadori italian, Alberto Cutilio, në një intervistë të dhënë për “Panorama”, ka folur rreth votimeve të mbajtura më 30 qershor, si dhe zhvillimet politike në vend, duke përfshirë edhe vendimin e dhënë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i dënuar për shpërdorim detyre.

Cutilio, sa u takon votimeve të 30 qershorit, është shprehur se ato “nuk mbajtën parasysh interesat e qytetarëve, siç nënvizoi edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR-it, përplasja politike çoi drejt një klime pasigurie ligjore që ende nuk është sqaruar”.

Më tej ai ka deklaruar se lidhur me “çështjen Tahiri”, vendimi i shpallur për ish-ministrin, “mund të përbëjë një hap përpara në afirmimin e një drejtësie, që nuk ndalet përballë “të paprekshmëve”.
italia-822x588

Edhe këto çështje ndikojnë në situatën aktuale, politike dhe civile në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj rreth asaj që po ndodh?

Besoj se kjo fazë delegjitimimi e ndërsjellë vazhdon tashmë prej një kohe tejet të gjatë. Zgjedhjet radikale të opozitës nuk kanë dobi për stabilitetin e vendit dhe kjo e fundit është mbi të gjitha përgjegjësi e maxhorancës. Zgjedhjet e 30 qershorit nuk mbajtën parasysh interesat e qytetarëve, siç nënvizoi edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR-it, përplasja politike çoi drejt një klime pasigurie ligjore që ende nuk është sqaruar. Një vendim pozitiv i Këshillit Europian, në tetor, në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në, të cilin Italia e mbështet prej vitesh, mund të ndihmojë për të kthyer faqen dhe për të favorizuar dialogun politik, por shpresoj që kjo hapje të mund të realizohet edhe para 18 tetorit.

Është i kuptueshëm fakti që diplomacia përpiqet të shmangë ndërhyrjet në vendimet e brendshme, megjithatë krijohet një ide/qëndrim për sa i përket mënyrës sesi zhvillohen zgjedhjet, shitblerjes së votave apo rolit të drejtësisë.. 

E kam thënë disa herë dhe po e përsëris sërish, nuk më takon mua të ndërhyj. Si përfaqësues i një vendi mik, që ka përzemër stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, e ndiej për detyrë të shpreh shqetësimin tim kur shoh që diçka e rëndësishme nuk funksionon ashtu siç duhet. Sot janë sjellë në vëmendjen e publikut disa raste, në të cilat politikanë dhe funksionarë duket se janë përfshirë në shkelje të rënda të ligjit, por këto raste nuk gjejnë zgjidhje për shkak të mungesës së efikasitetit të sistemit gjyqësor. Vendimi i shpallur së fundmi ndaj ish-ministrit Tahiri, në lidhje me të cilin sigurisht që nuk do të shprehem, mund të përbëjë një hap përpara në afirmimin e një drejtësie, që nuk ndalet përballë “të paprekshmëve”. Kjo situatë, e cila dëmton edhe personat e akuzuar në mënyrë të padrejtë, që nuk arrijnë të përftojnë njohjen e pafajësisë së tyre, konfirmon nevojën për të përparuar me shpejtësi me reformën e thellë të drejtësisë, që ka nisur tre vjet më parë dhe kjo është e mundur vetëm nëse mbështetet nga të gjitha partitë politike dhe nga shoqëria civile.

U përqendruam te Shqipëria, pjesë e së cilës mund të themi se është tanimë edhe komuniteti italian. Çfarë mund të përmirësohet sipas jush për sa u përket kushteve, “mikpritjes” së fqinjëve?

Me siguri jemi një ndër komunitetet e huaja më të shumta në numër. Pavarësisht se nuk kemi praninë e atyre dhjetëra mijërave italianëve, siç kam dëgjuar të flitet shpesh, ne gjithsesi kemi një komunitet prej rreth tre mijë italianësh, të cilët janë rezidentë të përhershëm apo me qëndrim të vazhdueshëm në Shqipëri (INSTAT-i ka regjistruar 1.709 qytetarët italianë në Shqipëri, në vitin 2018). Kjo shifër rritet nëse marrim parasysh edhe ata që kanë interesa ekonomike dhe profesionale në vend dhe që vijnë shpesh, paçka se nuk banojnë këtu. Përfaqësimi domethënës i kompanive dhe i profesionistëve mes italianëve në Shqipëri tregon potencialin e lartë ekonomik të vendit. Sidoqoftë, për fat të keq, më duhet të theksoj një përkeqësim të klimës së biznesit: shumë shpesh ka raste të sipërmarrësve që përballen me konkurrencën e huaj me mjete dhe presitone të paligjshme që, me një sistem administrativ ende të dobët dhe një sistem gjyqësor të papërshtatshëm, vështirësojnë jo vetëm rritjen, por edhe vazhdimësinë e investimeve aktuale italiane dhe ndërkombëtare. Është i nevojshëm një angazhim më i madh nga ana e autoriteteve për të mbrojtur dhe për të lehtësuar ardhjen e atyre sipërmarrësve seriozë, që dëshirojnë të shfrytëzojnë mundësitë e tregut shqiptar në përputhje me standardet europiane në këtë sektor.

Së fundmi, ç’mund të na thoni rreth jetës suaj në Shqipëri gjatë këtij 4-vjeçari. Cilat kanë qenë vështirësitë, por edhe kënaqësitë që keni marrë nga ky vend?

Kam pasur përvoja të shumta në këto katër vjet, kam mësuar shumë për popullin shqiptar dhe do t’i mbaj me vete këto kujtime. Shqipëria vitet e fundit ka punuar shumë për të përmirësuar kushtet brenda vendit, por mbeten ende shumë sfida të tjera për të ardhmen. Besoj se është e rëndësishme që puna të vazhdojë intensivisht për brezat e rinj, për të parandaluar që të rinjtë të kërkojnë fat dhe sukses jashtë vendit të tyre. Sidoqoftë, unë kam pasur mundësinë të vëzhgoj me sytë e mi sesi integrimi i shumë qytetarëve shqiptarë në Itali ka dhënë fryte pozitive edhe për Shqipërinë. Ata që vitet e fundit kanë vendosur të kthehen në Shqipëri, kanë sjellë jo vetëm gjuhën, por edhe kuzhinën dhe kulturën italiane në duke ndihmuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve historike të miqësisë dhe afërsisë midis dy vendeve tona. Do të marr me vete shumë nga historitë që më kanë bërë të kuptoj edhe më shumë intensitetin e lidhjes mes popullit italian dhe popullit shqiptar. / Pjesa e dytë

ANILA DEDAJ/ PANORAMA.al

  *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura