Historia e panjohur, përse u pushkatua Themistokli Gërmenji

Dec 30, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916 është një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë.

Ajo kishte shkakësi historike rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta” të krijuara në Shqipëri, kryen genocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës, Tepelenës.

Uran Butka
Uran Butka

Bilanci i të vrarëve dhe të masakruarve arriti në 7000 frymë, 192 fshatra të djegur, më se 100.000 njerëz të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, nga të cilët 4000 vdiqën nga uria dhe tifoja, përveçse shkatërrimeve të mëdha materiale, djegiet e shtëpive, rrëmbimin e bagëtive e të pasurive.

Përpos pushtimit ushtarak, në Korçë u vendos edhe regjimi civil grek, në krye të të cilit qëndronte qeveritari Argjiropulos. Greqia nuk hiqte dorë nga përpjekja për të aneksuar jugun e Shqipërisë të ashtuquajtur prej saj Vorio-Epir, në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913 dhe protokollin e Firences për përcaktimin e kufijve jugorë.

Fuqitë e Mëdha, në notën e 31 janarit 1914 drejtuar qeverisë greke, kërkonin largimin e ushtrisë greke nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. Nën presionin ndërkombëtar, qeveria greke, më në fund pranoi të largonte ushtritë nga qarku i Korçës, duke përfunduar evakuimin më 1 mars 1914. Më 2 mars hynë në Korçë forcat e gjindarmërisë shqiptare me oficerët holandezë në krye. Në Korçë u vendos një administratë shqiptare nën vartësinë e KNK dhe një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Gërmenjit.

Themistokli Gërmenji

Pikërisht në këtë kohë nisi dredhia e politikës greke për ta marrë kalanë nga brenda. Më 2 mars 1914, ditën që forcat shqiptare hynë në Korçë, u shpall në Gjirokastër e ashtuquajtura “Autonomi e Vorio-Epirit” nga Zografos, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, i cili krijoi edhe një qeveri të përkohshme kukull, ku merrnin pjesë edhe ish-funksionarë të lartë dhe peshkopë grekë.

Për të mbështetur Zografon zbarkuan në Sarandë bandat e ardhura nga Gjiriti, si edhe kontingjentet vendase të rekrutuara tek Ierollohitët. Disa ditë më pas, majori i ushtrisë greke, Spiro Milo, shpalli “autonominë e Himarës”, që përfshinte 7 fshatra të banuara historikisht nga shqiptarët. Autoritetet civile greke dhe ushtarake greke, të mbështetur edhe nga Kisha greke në Korçë, aktivizuan andartët dhe banditë të sjellë nga Greqia, që zëvendësuan ushtrinë e rregullt greke dhe organizuan një kryengritje brenda në Korçë, duke e kombinuar me mësymjen nga jashtë, për t’i treguar botës se atje ishte Greqi dhe se popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë. Kështu u organizua puçi ushtarak i 2 prillit 1914.

Skenari ishte ky: një kryengritje nga ushtarët grekë, të veshur civilë, si edhe të andartëve, të fshehur në Mitropoli, në spital si të sëmurë, nëpër shtëpi e gjetkë dhe të ierollohitëve vendas. Peshkopi grek Germanos u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi ushtrinë greke, që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë, pra një kombinim i puçit nga brenda me ndërhyrjen ushtarake nga jashtë.

Autoritetet-shqiptare-dhe-franceze-te-Republikes-se-Korces-korrik-1917.

Puçistët e armatosur dolën në mesnatë nga vendet ku ishin fshehur, atyre u erdhën edhe andartët që ishin vendosur në Devoll dhe bashkërisht pushtuan ndërtesat publike, si edhe hyrjet në qytet. Lufta më e rreptë u zhvillua në prefekturë.

Forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga oficeri holandez G.Sneller, korpusi i vullnetarëve të Korçës i komanduar prej Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora, si edhe të batalionit të Kolonjës të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit pas katër ditësh luftimesh dhe arrestuan peshkopin Germanos e krerë të tjerë të puçit, që i dërguan në Elbasan. Ndërkohë ushtria e rregullt greke kishte kaluar kufirin nga ana e Leskovikut dhe ishte nisur për në Korçë. Përpjekja e parë e përgjakshme u bë në Qafën e Badrit. Atje luftoi trimërisht Qani Ypi me një çetë kolonjarësh.

U vranë të gjithë, bashkë me komandant Qani Ypin. Atëherë Sali Butka dha kushtrimin. U mblodhën 350 vullnetarë. Me të u bashkuan edhe luftëtarët e Devollit me në krye Hasan Bitinckën, si edhe luftëtarët e Pogradecit me Jashar bej Starovën dhe çetarët e Shaban Blloshmit.

Erdhën në ndihmë edhe luftëtarët e Taborit të Strugës me Demir Aliun në krye. Çetat e shtuara të Sali Butkës zhvilluan luftime në Qafën e Qarrit, në Shtikë dhe në Butkë në datat 19, 20 dhe 21 prill 1914, duke i penguar ushtarët e Greqisë të shkonin në Korçë.

Ja ç’shkruante gazeta “Koha” e datës 3 maj 1914: “Në luftërat e Shtikës dhe të Butkës më 19, 20 e 21 prill, kur grekët bënë më të mëdhatë yryshe, që të thyenin krahun e mëngjër të ushtrisë shqiptare, kapedan Saliu me të birin e tij, Ganinë, dhe me shokët e tij, iu kundërshtua armikut kaq burrërisht dhe luftoi me aq mjeshtëri e trimëri, sa armiku e uli kokën përpara armëve të shqiptarit, i la vendet që kish zaptuar, u thye dhe u çakërdis, duke lënë në fushën e luftës më tepër se 150 të vrarë”.

(Gazeta Koha e M. Gramenos, 3 maj 1914) Por beteja më e madhe u bë në Nikolicë, mes Kolonjës e Devollit. Sali Butka zuri vijën e frontit Qafë e Kazanit- Arrëz- Nikolicë. Ushtria greke, e mbështetur edhe nga andart- ët, mësynë këtë herë me 2000 ushtarë të pajisur edhe me artileri, nën komandën e kapiten Vardhës për të pushtuar Korçën. Grekërit u thyen dhe u hodhën matanë kufirit.

Sali Butka
Sali Butka

Në këtë betejë u vranë më se 200 ushtarë grekë, si edhe ranë mjaft luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe ladorishtarët Bajram Coma dhe Demisha Hoxha nga Tabor i Strugës, që i kanë ende varret në Nikolicë, si edhe u zu rob Hasan Bitincka. Në luftë e sipër, Sali Butka u plagos në syrin e majtë, që ia prishi dritën për jetë. Ndërkohë nisi rebelimi haxhiqamilist, maj 1914, që solli luftë të brendshme dhe anarki.

Për të shpëtuar Korçën dhe Pogradecin nga pushtimi dhe shkatërrimi haxhiqamilist, luftuan dhe u vranë në Pogradec 60 kolonjarë bashkë me komandantët e tyre, Gani Butka dhe Zalo Prodani. Largimi i Princ Vidit nga Shqipëria më 3 shtator 1914 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore, e kthyen Shqipërinë në shesh lufte të fuqive ballkanike dhe europiane.

Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914, Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës. Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qendrore ishin pushtuar nga austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës.

Italianët kishin zënë vend në qarkun e Gjirokastrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Fuqitë e Antantës, për të tërhequr Greqinë në anën e tyre, i premtuan Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut, në këmbim të pjesëmarrjes së saj të menjëhershme në konfliktin botëror.

Këto orekse u shfaqën në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915. Ndërkohë që lufta botërore vijonte në Frontin Perëndimor, Aleatët hapën Frontin Ballkanik nën komandën e gjeneral Sarrej me qendër në Selanik. Në tetor 1916, Regjimenti i parë i kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli De Burnazel, pushtoi ushtarakisht Kazanë e Korçës.

Kur ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizjeje të gjerë të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, synimet aneksioniste të të cilëve ishin të njohura.

Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët, u shtrinë prej Kamenicës gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën. Teqeja e Melçanit do të ishte qendër tyre e përbashkët.

Me ardhjen e forcave franceze, këta i larguan grekët kostandinistë si kundërshtarë të Antantës dhe vendin e tyre e zunë venizelistët, që shpejtuan të vinin në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizelloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës. Nga forcat kombëtare shqiptare u përdor strategjia e marrëveshjes me francezët, nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit e imponimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës.

Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel këto kërkesa: 1) Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombëtare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat. (Petro Harizi, Histori kronologjike e Qarkut të Korçës, 1919)

Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej dërgoi në Korçë kolonelin Dekuan me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta:

“Gjenerali nuk do në Korçë as grekë të asnjë lloji, as italianë, as esatistë”. Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau bandat e andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë”.

Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme fjalët e Themistokliut:

“Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal.

Vij pra tek ju si një njeri plotësisht lojal. Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmoj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”.

Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek. I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me komandantët shqiptarë.

“Dekuani dërgoi një komision prej qytetarësh korçarë te Sali Butka, që ja të falet dhe të merret vesh me francezët, ja të largohet nga qarku i Korçës. – shkruan historiani i Krahinës vetëqeverisëse të Korçës, Petro Harizi. Por Komandanti i forcave shqiptare, Sali Butka, pranoi të bisedonte me autoritetet franceze për të mirën e Korçës e të Shqipërisë.

Atëherë koloneli Dekuan dërgoi te Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme. Koloneli Dekon i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet e Sali Butkës dhe kthesën që bënë propozimet e tij për shpalljen e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.

Koloneli Dekuan i shqyrtoi kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake, d.m.th shqyrtoi pasojat që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij, kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Dekuan-it. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku. Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themistokliun: “Kënaqësia e tij qe nga më të thellat.

Edhe me të vërtetë, ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”. Koloneli Dekuan, së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun, punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqeverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Dekuan-it, do të përbënte në njëfarë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës”. (Dekuan, vepër e cituar) Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetëqeveritare të Korçës për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nën mbrojtjen e komandës së Ushtrisë franceze”.

(protokolli i 10 dhjetorit 1916) Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordhele tringjyrëshe të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar. Mirëpo, në mesin e vitit 1917, ndryshuan ekuilibrat ndërkombëtarë, si edhe zhvillimet e Luftës së Parë.

Franca gjithnjë e më shumë po anonte nga Serbia e Greqia, gjë që e treguan edhe traktatet që u nënshkruan prej saj në dëm të Shqipërisë, si Traktati i fshehtë i Londrës 1915 dhe të tjerët më vonë. Franca iu kundërvu brendisë politike të Protokollit, meqenëse ajo binte në kundërshtim me interesat greke dhe orientimet politike progreke të qeverisë së Parisit.

Kjo gjë ndikoi edhe te qëndrimet dhe zhvillimet ushtarake në Korçë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë në anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë. Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit.

U arrestua prej Shërbimit sekret francez themeluesi dhe udhëheqësi i Krahinës Autonome shqiptare të Korçës, Th. Gërmenji dhe u dërgua në Selanik, ku u nxor përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qendrore” më 9 nëntor 1917.

Si ndodhi arrestimi dhe pushkatimi i tij? Këtë na e sqaron agjenti i Zyrës Sekrete të Shtatmadhorisë së Armatës frënge të Lindjes, togeri korsikan Orsini de Mari, që dëshmon se gjeneral Groseti, i cili pat marrë komandën e Armatës së Lindjes, e thirri dhe i kërkoi që t’i siguronte ndonjë letër “komprometuese” të Themistokli Gërmenjit drejtuar oficerëve austriakë, që ishin vendosur në Pogradec. Gjenerali së pari i bëri presion togerit, duke i dëftuar disa dokumente komprometuese të tij, por edhe duke i premtuar se, nëse do të siguronte ndonjë letër të tillë, do të dekorohej me “Kryqin e Legjionit të Nderit”.

Pra kemi të bëjmë me një urdhër, porosi, por edhe me një premtim shpërblimi. Një skenar i paramenduar, që e zbatoi pikë për pikë agjenti sekret Orsini. Ky u nis menjëherë për në Devoll, ku do ta siguronte letrën e kërkuar! Pas një lufte të forcave franceze, ku bënte pjesë edhe toger Orsini, kundër forcave austriako-shqiptare në Devoll, që sipas tij përfundoi me fitoren e francezëve, Orsini i gjeti në xhep një togeri rob austriak “një letër të shkruar me dorë nga famëkeqi Themistokli.

Çfarë letre! Ishin katër faqe të shkruara dendur në frëngjisht, në të cilat ishte çdo gjë….”( Reds, Spiunash dhe kundërspiunazh, 1934) Themistokli Gërmenji u dënua me pushkatim me një akuzë të paqenë, duke u mbështetur në letrën e sajuar nga agjenti Orsin.

Fakti që, sipas kolonelit Dekuen, Themistokliu nuk fliste dhe as shkruante frëngjisht, rrëzon akuzën e letrës prej katër faqesh gjoja të shkruar me dorën e Themistokliut në frëngjisht. Fakti tjetër që vite më pas, Themistokli Gërmenji mori pafajësinë, pas vdekjes, rrëfen që dënimi i tij ishte politik.

Pas pushkatimit të Th. Gërmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës, me tezën e vjetruar se shqiptarët e ortodoksët e këtyre zonave e ndienin vetën si grekë, se atje ekzistonin shkollat greke dhe se ushtria greke e i kishte “çliruar” këto krahina gjatë Luftës Ballkanike nga sundimi osman.

Në fakt i kishte pushtuar. Po ashtu, kërcënuese ishin edhe pretendimet e Italisë për një protektorat italian mbi Shqipërinë dhe sovranitetin mbi Vlorën. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni – Venizelos më 29 korrik 1919, për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, si edhe për të përkrahur pretendimet e njëri-tjetrit në Konferencën e Paqes. Këto marrëveshje gjetën mbështetje edhe nga Franca.

Qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët..Megjithatë, forcat patriotike të Korçës u mobilizuan për mbrojtje.

Në Korçë u formua një komision patriotësh prej 14 qytetarësh, i cili iu drejtua Sali Butkës me një thirrje, nëpërmjet Baba Ramadanit, kryetar i Komisionit për shpëtimin e Korçës që e emëronte atë si komandant të përgjithshëm të operacioneve luftarake.1 Plaku i Butkës u nis drejt Korçës nga Skrapari për në Korçë me 800 luftëtarë të Skraparit, Kolonjës, Dangëllisë, Oparit, forca të cilat u shtuan me luftëtarë nga Korça, duke arritur në 1500 vetë në Gjergjevicë, ku u vendos shtabi i luftëtarëve.

Komandanti francez i gjindarmërisë së Korçës, kapiteni Langre, i raportoi kryekomandantit të përgjithshëm në Selanik më 7 shtator 1919 mbi përgatitjet për t’ia dorëzuar Korçën ushtrisë greke, si edhe e informon: Nga Gjergjevica Sali Butka i dërgonte më 12 shtator 1919 komandantit të forcave franceze ultimatumin: ULTIMATUM Në emër të popullit shqiptar, Sali Butka, komandant i trupave vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore. Zotit kryekomandant të forcave Franceze në kufijtë shqiptarë.

Në Korçë. “Komandant, Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar, për t’ia dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës dhe rrethet e saj dhe ky veprim arbitrar e kriminal është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtësja e kombeve të shtypura, mbrojtësja e të dobëtëve!..

Të shtyrë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla poshtërime, ne e shohim veten të detyruar t’ju paralajmërojmë të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve, që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi…

Kryekomandanti i Trupave Vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore Sali Butka” (Dok. franceze dhe P. Katro) Komandanti francez i Korçës njoftoi kryekomandantin në Selanik, kryekomandanti njoftoi Parisin, Parisi sërish Selanikun dhe Selaniku Komandën franceze në Korçë, e cila lajmëroi Sali Butkën në Gjergjevicë, se komanda franceze në Korçë kishte marrë urdhër të mos ua dorëzonte Korçën ushtrive greke. Korça do t’u dorëzohej forcave shqiptare.

URAN BUTKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura