Historia e panjohur e aviatorit/ Piloti i parë shqiptar që theu rekord në garat sportive në Jugosllavi

Aug 15, 2022 | 22:53
SHPËRNDAJE

Koço Kotepano me familjen Kotepano me kolegun Vladimir Shagal-1Ka qenë viti 1948, kur një tetëmbëdhjetëvjeçar nga Dardha e Korçës sfidoi një Jugosllavi të tërë, duke thyer njëri pas tjetrit rekordet në ajër.

Më njohu me këtë fakt krejt rastësisht një ish-kolegu im i regjimentit të helikopterëve, duke shtuar se për të do të ishte me interes një shkrim i veçantë. “Është shqiptari i parë që ka fluturuar me avion pa motor dhe ka thyer rekorde gjatë studimeve në Jugosllavi”, më ngacmoi ai dhe si për të më bindur, më zgjati një tufë me dokumente e fotografi. Aty për aty fillova t’i shfletoj jo pa kërshëri. Ishte libreza e fluturimit, vërtetimi në gjuhën sllave për thyerjen e rekordeve dhe gazeta shqiptare “Sporti”, e datës 12 qershor 1948, me lajmin kryesor për thyerjen e rekordeve nga piloti Koço Kotepano.

I nxitur prej tyre, kërkova adresën e tij. Koço Kotepano e kishte shtëpinë në mes të Bllokut, por jo bllokmen. E zonja e shtëpisë, Amalia, një grua që në pamje të parë dukej e fisme dhe pritshme, më hap derën. Një shtëpi e thjeshtë si e shumicës së shqiptarëve, por e pastër, e mobiluar hijshëm dhe me mjaft fotografi nëpër mure. Unë hyra drejt e te dhoma e Koços. Vapa, mosha e mbi të gjitha sëmundja: më priti i shtrirë, i mbështetur mbi jastëkë të bardhë akull. Përbri tij, libri i fundit i Ben Blushit. U përshëndetëm si dy miq të njohur. Për mbi dy orë vetëm ne të dy.

Fredi ndenji në dhomën e pritjes me djemtë e Koços që hynin e dilnin majë gishtave. Amalia, më vendos tabakanë me kafe dhe raki mani në karrigen përbri meje. I flas Koços me shaka në gjuhën serbe: “Eh, ço ku kuptoj nëpër të, por nuk e flas dot më. Kanë kaluar vite. Më pas filloj të gërmoj në jetën e tij…

Zoti Koço! Ju nga Dardha e Korçës, rekordmen i Jugosllavisë në një sport të vështirë e të veçantë, ndërkohë që ishit vetëm tetëmbëdhjetë vjeç…

Eh… Jeta ime është si një film me xhirim të shpejtë. Sapo kishim dalë nga lufta. Ishte viti 1945. Unë në fshat, vëllai im, oficer në Tiranë. Na u sëmur nëna. Unë isha kalama, ç’t’i bëja? E çova në Tiranë, te vëllai. Pas disa ditësh, nëna u shërua dhe u kthye përsëri në fshat. Unë mbeta në Tiranë, më mbajti vëllai. Zura punë si daktilografist, ashtu çak-çuk si fillestar në kooperativën e konsumit e për pak kohë në Ministrinë e Brendshme. Në pranverën e vitit 1947 dola vullnetar në hekurudhën Durrës-Peqin.

Ishin vite rindërtimi. E gjithë rinia ishte entuziaste atëherë. Nejse, më caktuan në brigadën e fizkulturës për një muaj. Me sa më kujtohet, ishim në një sektor afër Rrogozhinës. Ne, aksionistët e Tiranës, ishim si të thuash ajka atje. Mbas aksionit më thirrën në Federatën e Sportit këtu në Tiranë. Më caktuan të shkoj në shkollë në Jugosllavi. Do të shkonim në Beograd.

– Në ato vite, kanë shkuar për studime edhe pilotët e parë luftarakë, me sa më kujtohet, në Bosnjë dhe Kroaci.
Po, po! Ata niseshin nga Ministria e Mbrojtjes. Ne nuk kishim lidhje me ta.
– Sa studentë ishit nga Shqipëria?
Ishim katër shokë. Shkuam me avion nga Tirana në Beograd. Atje u paraqitëm në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit, ku na thanë se dy prej nesh do të studionin për kanotazh dhe do të shkonim në Trieste, ndërsa dy të tjerë për pilotë sportivë. Do të shkonim në Vojvodinë. Unë i pari këmbëngula për pilot. Nuk e doja detin, as për plazh nuk e kam qejf, vetëm për peshkim e dua. Dhe kështu, bashkë me kolegun tim, Telat Verzivollin, një dibran me banim në Tiranë, na çuan në Shkollën e aviacionit sportiv të Vrshac-it në Vojvodinë, shumë pranë kufirit hungarez
– Si ishte shkolla, aerodromi, trajnerimi?
– Unë atje isha më i riu. Të tjerët ishin mbi njëzet vjeç. Vojvodina ishte krahinë hungareze e Federatës Jugosllave, siç ishte edhe Kosova shqiptare. Ishte fushë e pafundme. Aerodromi ishte rreth dhjetë minuta larg me makinë nga ndërtesat.
– Po gjuha? Besoj se nuk dije serbisht. Si merreshe vesh?
– Jo, nga ta dija? Atje kishte jo vetëm nga republikat jugosllave, por nga tërë vendet e Lindjes. Unë dija disi italisht. Me ne ishte një slloven nga Triestja. Patjetër që e fliste italishten. Ai na përkthente dhe më ndihmonte derisa e mësova edhe unë pas pesë-gjashtë muajsh. Në fillim gjuhën teknike.
– Si ishte një ditë stërvitjeje atje?
– Në mëngjes bënim dy orë mësim teorik. Pastaj instruktorët na shpjegonin avionin, pjesët, manovrimin etj. Pasdite shkonim në aerodrom. Gjashtë muajt e parë fluturonim në lartësi të ulët, në avion të tërhequr nga makina. Lidhej avioni me një kavo afërsisht një mijë metra të gjatë. Ne ngriheshim në ajër 100-200 metra për t’u ambientuar. Kështu çdo ditë. Radio nuk kishim, merreshim vesh me shenja, me flamurë me ngjyra. Më pas filluam fluturimet të tërhequr nga një avion me motor, me anën e një kavoje rreth 100 metra të gjatë. Kur merrnim lartësinë e nevojshme 800-1000 metra e më tepër, shkëputej kavoja nga avioni im dhe unë e vazhdoja fluturimin pa motor. Fluturonim ose vetëm, ose me avion me dy kabina me ndonjë shok.
– Si t’u duk fluturimi i parë vetëm? A kishe emocione?
– Emocion dhe kënaqësi e pamasë. Ndihesha si Zot në ajër. Ia merrja këngës korçare për qejf, ç’të bëja në kabinë me orë të tëra.
– Si e rimerrnit lartësinë për të qëndruar sa më gjatë në ajër?
– Aty përpara aerodromit ishte një kodër e lartë rreth 900 metra. Çdo pasdite përreth saj kishte rryma vertikale që të ngrinin lart. Ne shkonim larg, patjetër duke humbur lartësi, ktheheshim në aerodrom, drejtoheshin përballë kodrës dhe merrnim lartësi deri në 2000- 2500 metra. Po të doja edhe më tepër. Janë disa re cumulus, si bohçe pambuku të bardha, që rrymat vertikale i ngrenë lart. Po t’u vije rrotull atyre, mund të merrje lartësi deri në 9000 metra, por ne e kishim të ndaluar të ngriheshim më lart se 4000 metra, ngaqë më lart krijoheshin turbulenca të rrezikshme për avionët tanë të vegjël.
– Tani të vijmë tek ato dy fluturimet historike. Fillimisht me kolegun tuaj dhe pastaj vetëm.
– Datat s’i mbaj mend saktë, i keni të shkruara në librezën e fluturimit. U ngritëm me kroatin Vladimir Shagal. Në kabinën e parë ai dhe në të dytën unë. Qëndruam në ajër shumë, sa u mërzitëm, orë nuk kishim me vete. Kur zbritëm në tokë komandanti dhe të tjerët na thanë se ishim kampionë të Jugosllavisë. Kishim fluturuar 12 orë e 30 minuta. Pas dy javësh u ngritëm me avion me një pilot. Ishin pesë avionë në ajër. Vinim vërdallë, kryqëzoheshim, i afroheshim njëritjetrit duke respektuar distancat, vinim në aerodrom përballë kodrës për të rifituar lartësi. Pas pesë orësh, i pari zbriti në tokë. E kështu me radhë. Më në fund mbetëm dy avionë, unë dhe një vajzë. Ana e quanin. Vazhduam gjatë vetëm ne të dy. Iu afrova.

Hapa kabinën dhe i bëra me shenjë sikur ta pyesja: “a ulemi?” Ajo më tha jo. Dhe unë ngula këmbë. Thashë me vete: O mbetem në fund, o s’ka! U errësua. Një orë natë. Në cepat e aerodromit u ndezën zjarre. Ana u dorëzua. E pashë që iu drejtua aerodromit. Unë rimora edhe një herë lartësi. Rreth orës dhjetë të natës u ula. Nuk e dija se kisha thyer rekordin. Vetëm kur pashë komandantin tim, Pavlin, që po vinte me vrap drejt meje. M’u hodh në qafë. Pastaj, të tërë shokët, edhe Ana. Nuk kishin xhelozi dhe smirë. Të gjithë më uronin. Kisha qëndruar 10 orë e 35 minuta në ajër. Kisha thyer rekordin jugosllav. Në librezë më shkruan se kisha vendosur edhe rekord shqiptar, si i pari që kam fluturuar në këtë lloj sporti. Të nesërmen erdhën gazetarë dhe fotografë. Shkroi dhe “Sporti” në Tiranë. Por…, kur u kthyem, m’i mbajtën në kufi të gjitha gazetat dhe fotografitë.
– Kush t’i konfiskoi? Tanët?
– Jo, jo, jugosllavët. Ne gati na kishin harruar andej nga veriu i Vojvodinës, sepse ishim vetëm dy studentë. U kthyem nga shkurti i vitit 1949. Atëherë në Jugosllavi kishte me qindra studentë. Të gjithë u kthyen nga fundi i ’48-s. Neve komanda e shkollës na u lut që të qëndronim edhe dy-tri ditë e të na nisnin me avion për në Tiranë. Mbase do më kishin shpëtuar tërë ato fotografi e materiale. Por ne nuk duruam. U nisëm me tren. Në tren dhe në autobusë na trajtuan si gjithë të tjerët…
– Si ju trajtuan ju shqiptarët në veçanti?
– E kuptova pyetjen. Nga fundi i 1948-s kishin filluar krisjet në politikë mes Enverit dhe Titos. Ne atje nuk merrnim vesh asgjë. Na trajtonin shumë mirë, si gjithë të tjerët. Veçanërisht mua. Në fillim, si më i riu e më pas si kampion të tyre.
– A ju kujtohen tipat e avionëve me të cilët fluturuat? Po fluturimet, orët?
– Si s’më kujtohen! Kishin emra zogjsh. Vrabac, Çavka, Jastreb, Çimbora, Zhdrar. Jugosllavia atëherë ishte shtet i fuqishëm, prodhonte vetë avionë. Jo vetëm këta sportivët tanë, por edhe disa luftarakë. Për dy vjet kam fluturuar mbi 130 orë, fluturimet, t’ia fus kot, janë me qindra. As në librezën e fluturimit nuk shkruheshin të gjitha. Pastaj… vetëm librezën e vitit të parë arrita të marr me vete.
– Po më pas, si rrodhi jeta juaj?
U kthyet në Shqipëri me studime të ndërprera, në një sport të panjohur në vendin tuaj, vetëm njëzet vjeç. – Kur u kthyem, punova në Federatën e Sportit deri në fund të ’49-s. Po krijohej Filarmonia shqiptare nga Koço Trako. Si korçar kisha pakëz zë. Më provoi dhe më futi në filarmoni si korist. Punova disa muaj se pastaj më morën ushtar. Më çuan në Korçë. Gaqo Avrazi po krijonte Ansamblin e Ushtrisë.
Ishte në kërkim të talenteve. Se nga ma kishte gjetur emrin, veç kur e shoh në Korçë bashkë me komandantin e repartit dhe urdhrin e komandës në dorë. Më transferuan si ushtar në Ansamblin e Ushtrisë. Aty mbeta edhe pas shërbimit ushtarak deri në 1955-n. Brodha gjysmën e botës me Ansamblin, atë lindoren. Ansambli ishte i shkëlqyer. Një shfaqje bënte punë sa për pesë ambasadorë. Arti dhe sporti kanë vlerë të madhe, bre! Ja unë, kush isha? Theva një rekord Jugosllavie dhe shkruan për mua gazetat, por shkruan edhe për Shqipërinë domosdo. Sepse unë shqiptar isha dhe vendin tim përfaqësoja.
– Po më pas?
– Në 1955-n më hoqën nga ansambli. Hoqën thuajse gjysmën tonë, me atë dhjetëmijëshin e famshëm, domethënë shkurtuan dhjetë mijë kuadro. Atëherë isha njëzet e gjashtë vjeç. U futa në Politeknikum (sot Harry Fultz). Mbasi e mbarova, nisa punë në ndërmarrjen gjeologjike, sipër te Ali Demi. Aty dola në pension, në vitin 1989, plot 60 vjeç.
– Po familja?
– Gruaja, Amalia dhe tre djemtë. I madhi, Petriti, është inspektor arsimi. I dyti, Ariani, është mësues folklori. I vogli, Genci, punon me misionin anglez në Butrint. Ne banojmë këtu më këtë të voglin. Amalia ka punuar tërë jetën si laborante. Të dy së bashku kemi punuar me ndershmëri për të rritur e shkolluar djemtë. Kemi vuajtur si tërë shqiptarët, nëpër radha e me tallona…
Pas kaq vitesh, ju ka mbetur peng përse nuk vazhduat për pilot luftarak më pas? Asokohe shkuan me dhjetëra nga Shqipëria në Bashkimin Sovjetik.
– Hë de! Ku ma dije këtë pikë të dobët?! Ashtu është. Më thirrën në Ministrinë e Mbrojtjes sapo erdha dhe më propozuan, sepse isha i gatshëm, i përgatitur. Por më ka mbetur gozhdë më pas. Do të thuash pse nuk ika? Unë e kisha vëllain oficer, e dija sa vuanin oficerët, pastaj atë uniformën ushtarake e kisha zët. Më pas kam njohur shumë pilotë, si: Peço Polena, Niko Hoxha, Vasil Trasha.

Ishte vonë. Vate ajo punë. M’u kujtua diçka. Kur erdhën ndihmat e para për aviacionin nga Kina, avionë, helikopterë etj., të pamontuar, nëpër arka, bashkë me to erdhën edhe avionë pa motor. Unë e mora vesh vonë nga një shok i Ministrisë së Mbrojtjes. Pse vonë do të thuash? Kur i hapën arkat, disa njerëz jo kompetentë nuk ia patën haberin këtyre avionëve, i mbyllën arkat dhe i kthyen në Kinë. U thanë kinezëve se i sollët gabim, nuk janë për ne. Më erdhi plasja. Do të kishim qysh atëherë avionë sportivë edhe ne dhe do të zhvillohej ky sport i ajrit si gjithandej.
– A ke pasur ndonjë avari apo vërejtje gjatë atyre qindra fluturimeve?
Një ditë po vija në ulje. Isha rreth njëqind metra mbi aerodrom. Përtoja të bëja një kthesë të dytë për të humbur lartësi, e kthej avionin në pikiatë deri në lartësinë 5-6 metra. Ata në tokë ngrinë. Unë u ula me precizion, tamam te vija e bardhë. Vjen komandanti e më bërtet. “Kush t’i ka mësuar këto?” Më dënon pesë ditë pa fluturim. Qëndroja në kuzhinën e repartit. Shihja shokët që fluturonin e më vinte plasja. I thashë vetes: “Hë mo, shqiptar kokëkrisur, e sheh ç’bëre? Qëro patate tani!”
Keni ndonjë kujtim të veçantë nga koha kur thyet rekordin në fluturim në Jugosllavi?
Kisha, kisha diçka, por ç’e do, lëre më mirë!
– Ndoshta do të ishte me interes për lexuesin…
– Po ja, ishte fundi i ’48-s Komandanti i shkollës na zgjedh pesë veta e na thotë: “Keni një muaj kohë të përgatiteni për një fluturim të veçantë. Në fund të nëntorit është festa e Jugosllavisë dhe do të zhvillohet një paradë e madhe në Beograd.” Mua si kampion më caktoi të parin në radhë, pas meje do të fluturonin katër të tjerët. Kështu u bë. Një ditë para paradës fluturuam 400 km me tërheqje nga makinat deri në Beograd. Ishte festë e madhe. Pasi kaluan trupat tokësore dhe avionët reaktivë, në fund ishim ne. Unë i pari fluturoja në lartësinë 100 metra. Në tribunë ishte Tito. Ishte lavdia e Jugosllavisë. Unë kisha hapur kabinën dhe e përshëndes me dorë. Ai nga poshtë tundi të dy duart drejt meje.

Pas dy orësh po bëheshim gati për t’u kthyer në shkollë, kur vjen komandanti dhe më thotë: “Eja të kërkon marshalli. Do të përshëndetet me ty”. Siç duket dikush në tribunë i pati thënë se unë isha shqiptar dhe kampion i Jugosllavisë. Paria e tyre ishte në një sallë të madhe, në një banket festiv. U futa bashkë me komandantin e shkollës. Marshalli ishte me gotën në njërën dorë. Me tjetrën sa më pa, më bëri shenjë të afrohesha. Më përqafoi, më uroi për rezultatet, pastaj u tha fotografëve të na bënin një fotografi. Do të kisha qejf të më kishte mbetur një e tillë, por m’i morën.

Ja kështu. Kjo ishte sa për bisedë, nuk ia vlen të shkruhet. Ky ishte kampioni i para gjashtëdhjetë vjetëve, Koço Kotepano. I thjeshtë dhe modest përtej normales. Ndaj ka mbetur anonim ai dhe rekordet e tij. Për pionierin e sporteve të ajrit ia vlen të shkruhet qoftë edhe një herë pas gjashtëdhjetë e pesë vitesh.

** Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura