Haradinajt i ‘refuzohet’ viza, spekulime për ‘krisje’ me SHBA

Jan 8, 2018 | 19:43

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e Kryeparlamentari, Kadri Veseli, kanë marrë ftesa për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në Uashington, që mbahet më 4 shkurt.

Por, deri tani, Kryeministri thotë se nuk ka marrë përgjigje për vizën e tij diplomatike, ndërkohë që mediat kanë nxituar të komentojnë se SHBAtë ia kanë mohuar vizën për shkak të sjelljes së tij në lidhje me ligje të këshilluara prej tyre, si demarkacioni me Malin e Zi apo funksionimi i Gjykatës Speciale.

haradinaj1

Nëse refuzimi i vizës do të ishte i vërtetë, kjo do të ishte shqetësuese, pasi do të shfaqte një “krisje” të dukshme me aleatin më të fuqishëm të shqiptarëve në botë. Mediat në Kosovë shkruajnë se Haradinaj kishte planifikuar që më 7 janar të bënte një vizitë në shtetin e Iwoa-s. Avni Arifi, këshilltar politik i Kryeministrit, ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje për vizën.

“Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni nëse i është refuzuar viza Kryeministrit Ramush Haradinaj. Është në procedurë dhe nuk kemi akoma përgjigje. Asnjë zyrtari të qeverisë nuk i është refuzuar viza amerikane, e aq më pak Kryeministrit”, ka thënë Arifi. Sipas kabinetit të Haradinajt, aplikimi për vizë është bërë në fund të dhjetorit. Në faqen e uebit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, shkruhet se nëse aplikuesi kualifikohet për vizë diplomatike, ambasada e procedon vizën brenda një dite. Zyrtarisht asgjë nuk konfirmohet, as nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale është një nismë e mbështetur nga Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe vetë Kryeministri Haradinaj. Themelimi i Gjykatës Speciale është kërkuar prej shumë kohësh më ngulm nga ndërkombëtarët për të shqyrtuar krimet e bëra nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Kosovë themelimi i kësaj gjykate është dënuar nga populli, pasi luftëtarët e lirisë, do të trajtoheshin njëlloj si ushtarët serbë, që kryen masakra në Kosovë. Por pas shumë vonesash, Gjykata u themelua dhe ka nisur funksionin. Disa deputetë tani kërkojnë shfuqizimin e saj në Parlament. Ka media lokale që komentojnë se zyrtarë të shumtë duan mbylljen e Gjykatës pasi rrezikojnë vetë të hetohen për krime lufte.

Por kjo është hedhur poshtë nga politikanët në Kosovë. Nisma për shfuqizimin e Gjykatës u dënua edhe nga vetë ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Tani mediat shkruajnë se mohimi i vizës ishte përgjigjja që amerikanët i dhanë Kryeministrit për sfidën që i bëri Speciales dhe demarkacionit.

Vetë Kryeministri ka mohuar t’i jetë refuzuar viza. Të paktën ai thotë se nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për këtë dhe as përgjigje nga ambasada për po ose për jo. Në një postim në “Facebook”, Kryeministri Haradinaj tha se është në pritje për marrjen e vizës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai pritet që bashkë me bashkëshorten të marrin pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”, që çdo 4 shkurt mbahet në Uashington. Haradinaj ka deklaruar se do të presë për vizë për të qenë i pranishëm më 4 shkurt në Uashington. “Pres për vizë deri kur të ma japin”, ka shkruar Haradinaj. Kryeministri ka deklaruar se Kosova i është mirënjohëse Amerikës dhe NATO-s për ndihmën e ofruar. Por mediat në Kosovë raportuan se Kryeministrit dhe bashkëshortes së tij, Anita Muçaj-Haradinaj u është refuzuar marrja e vizës nga SHBA-të.

© Panorama.al

Te lidhura