Gara për rektor, fituesit në të gjitha universitetet

Apr 21, 2016 | 8:27
SHPËRNDAJE

Votat e pedagogëve të gjashtë fakulteteve në Universitetin e Tiranës kanë përcaktuar emrin e rektorit të ri, prof. dr. Mynyr Koni.

Dekani Mynyr Koni
Dekani Mynyr Koni

Ky i fundit, nga sot merr drejtimin e Universitetit më të madh në vend me vullnetin e 460 pedagogëve, kundrejt 243 të tjerëve që zgjodhën prof. dr. Klodeta Dibrën. Ndërkaq, sot pritet të zbardhen edhe votat e studentëve, pjesëmarrja e të cilëve ishte 46% e megjithatë, pa ndikim, në rezultatin final.

Sipas rezultateve paraprake jozyrtare, diferencën e votave e kanë bërë pedagogët e fakulteteve të Shkencave të Natyrës, Ekonomikut dhe Shkencave Sociale, shumica e të cilëve zgjodhën ish-dekanin e Shkencave të Natyrës.

Rektori Dhori Kule gjithashtu konfirmohet në postin që e ka mbajtur edhe më herët, dekan i fakultetit të Ekonomisë, ndërsa zv.rektori Edmond Rapti do të jetë dekan te Shkencat Sociale pasi fitoi në një garë të ngushtë me Edmond Dragotin.

Garë e fortë mësohet të ketë qenë edhe tek Universiteti Politeknik i Tiranës, ku midis tre kandidatëve: prof. dr. Andronaq Londo Lamani, prof. dr. Përparim Hoxha dhe prof. dr. Andrea Maliqari, pedagogët kanë zgjedhur ishdekanin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Maliqarin, me një diferencë të vogël votash në raport me dy kandidatët e tjerë. Pavarësisht garës së ashpër, edhe këtu votat e studentëve nuk lëvizin asgjë.

Postin e rektorit të Universitetit të Arteve e ka fituar bindshëm prof. Kastriot Çaushi, ish-dekan i Fakultetit të Artit Skenik. Vendin e prof. dr. Fatos Harizajt në Universitetin Bujqësor të Tiranës e zë prof. dr. Bahri Musabelliu. Ish-dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit ka fituar mbështetjen e pjesës më të madhe të pedagogëve dhe studentëve në të paktën katër fakultete.

Thuajse gjatë gjithë procesit të numërimit të votave të pedagogëve, rektori i komanduar, prof. dr. Arben Gjata ka qenë kokë më kokë me ish-dekanin e Shkencave Mjekësore, prof. dr. Petrit Bara.

Gjata ka marrë vetëm gjashtë vota më shumë se rivali i tij (103 me 97), ndërsa drejtuesja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Mira Rakacolli, rezulton me mbështetjen e 75 pedagogëve. Në rastin konkret, diferencën e kanë bërë votat e studentëve, të cilët, mesa duket, kanë qenë të kënaqur nga puna njëvjeçare e rektorit në fuqi.

REKTORËT E RINJ

Universiteti i Tiranës
• Prof. dr. Mynyr Koni
Fakulteti Ekonomik
• Dhori Kule, dekan
Fakulteti i Shkencave Sociale
• Edmond Rapi, dekan
Fakulteti i Historisë 
• Valentina Duka
Fakulteti Gjuhëve të Huaja
• Artur Sula
Universiteti Bujqësor i Tiranës
• Prof. dr. Bahri Musabelliu
Universiteti Politeknik
• Prof. dr. Andrea Maliqari
Universiteti i Mjekësisë
• Prof. dr. Arben Gjata
Universiteti i Arteve
• Prof. Kastriot Çaushi

 

PJESËMARRJA NË FAKULTETE
Fakulteti i Shkencave Sociale 94.8 %
Fakulteti i Shkencave të Natyrës 98 %
Fakulteti Ekonomik 99 %
Fakulteti i Drejtësisë 97 %
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 98 %
Fakulteti Histori-Filologji 99 %
Departamenti Edukimit Fizik 100 %
Instituti i Fizikës Bërthamore 100 %
Filiali Kukës 100 %
Filiali Sarandë 100 %

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura