“Fundjavë Ndryshe”, studenti i “Luarasit” që gëzon të varfrit

Nov 2, 2016 | 8:09
SHPËRNDAJE

Plot 54 fundjava në shërbim të qindra familjeve në nevojë në harkun kohor të vetëm një viti. Bëhet fjalë për “Fundjavë Ndryshe”, ideuar nga Arbër Hajdari, një student 21-vjeçar i universitetit “Luarasi”, që ka ndezur një dritë shprese për familjet e varfra në të gjithë Shqipërinë.

Arbër Hajdari me stafin e “Fundjavë Ndryshe”
Arbër Hajdari me stafin e “Fundjavë Ndryshe”

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, që shumicën e kohës e kalojnë nëpër kafene, Arbri ka vendosur që kohën e tij të lirë t’ia kushtojë bamirësisë, në një nismë që po rritet nga dita në ditë.

“’Fundjava Ndryshe’ nisi si një nismë personale të cilën unë vendosa ta bëja publike, për shkak të pamundësisë për t’i ndihmuar të gjithë njerëzit në nevojë. Pas publikimeve të para morëm shumë mesazhe nga njerëzit, shoqëria që donin t’i bashkoheshin kësaj iniciative. Këtu dua të veçoj edhe mediat, të cilat kanë qenë një faktor shumë i rëndësishëm”, tregon Arbri pas aktivitetit të një dite më parë me rastin e 1-vjetorit të fondacionit.

Por “Luarasin” me “Fundjavë Ndryshe” nuk e bashkon vetëm Arbër Hajdari. Përveç formimit të tij, universiteti me politikat e tij sociale ka kontribuuar dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj nisme për të qenë sa më pranë njerëzve në nevojë.

Rektori i universitetit “Luarasi”, Arben Malaj
Rektori i universitetit “Luarasi”, Arben Malaj

“Unë jam pjesë e ‘Luarasit’. Brenda politikave të universitetit kemi iniciuar nga rektori dhe gjithë stafi për të qenë pjesë e politikave sociale. Gjej rastin të falënderoj rektorin për gjithë përkrahjen që i ka dhënë”. Për rektorin Arben Malaj, Arbri është një ndër sukseset e “Luarasit”, i cili po dëshmon aftësitë e marra në auditore, duke u bërë një lider i vërtetë. “Unë besoj se ajo që ka bërë Arbri tani, përkushtimi, aftësia e tij si lider që një ide ta kthejë në projekt kombëtar, fakti që për një vit rezulton projekti më i suksesshëm, tregon shumë. Sigurisht, suksesi që ka arritur ai nuk duhet të jetë vetëm i tij. Ne duhet të krijojmë modele shumë të mira në stafet tona akademike me studentët tanë”.

Për Malaj, një shoqëri me zemër të madhe që ka ndjeshmëri ndaj problemeve e që bëhet pjesë e zgjidhjeve të tyre, i bën ato më të lehta dhe ka një impakt shumë më të madh se një politikë shtetërore në një periudhë shumë të shkurtër. Përveç bashkëpunimit të deritanishëm, rektori i “Luarasit” premton që mbështetja ndaj këtij fondacioni, që e lidh me njerëzi të nevojë, do të vijojë veçanërisht në fushën e arsimimit.

“Ne do ta shikojmë me përparësi pjesën e edukimit. Po citoj një nga këshillat që u jepet gjithë universiteteve, që pas krizës globalet 2008: Mos u mësoni studentëve vetëm shumëzim, pjesëtim, formula matematike, por i krijoni ato si qenie njerëzore me shpirt. Edhe rastet e njerëzve më të pasur në botë kanë treguar që në fund të jetës së tyre kanë kuptuar që pasuria më e madhe s’ka vlerë përpara vlerave njerëzore”, vë në dukje Malaj.

Në kuadër të leksioneve të hapura, Arbri, së bashku me kolegë të tij të “Fundjavë Ndryshe”, do të ndajnë vizionin e tyre me studentë të sapoardhur te “Luarasi”. Veç kësaj, universiteti do të jetë pjesë e nismave të bamirësisë në disa familje të varfra e po ashtu ka vënë në dispozicion bursë për ekselentët nga familje në nevojë. Për t’u njohur me punën e fondacionit në aktivitetin e djeshëm u prezantua edhe libri “Bota me fundjavën”.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura