Elhaida Dani, fituese e Festivalit të 53-të në RTSH: Faleminderit që më dhatë mundësinë të përfaqësoj vendin tim në Eurosong

Dec 28, 2014 | 23:59
SHPËRNDAJE

Elhaida Dani shpallet fituese e Festivalit të Këngës në RTSH

UPDATE/ Elhaida Dani përfaqëson Shqipërinë nëFestivalin Europian me këngën “Diell”.
Me një votim gati unanim, juria e përbërë nga Agim Doçi, kryetar, David Tukiçi, Fatos Baxhaku, Alida Hisku, Genc Dashi, Rona Nishliu dhe Evi Reçi, vlerësuan me 82 pikë këngën me muzikë të Aldo Shllakut dhe tekst të Viola Trebickës & Sokol Marsit. Në vend të dytë u rendit kënga “Të ndiej” e Bojken Lakos dhe në të tretin Linda Halimi me këngën “S’të fal”. Gjithashtu u nda edhe një çmim interpretimi, i cili iu dha këngëtarit Gjergj Leka. Pa asnjë surprizë sa u takon çmimeve u mbyll mbrëmë Festivali i Këngës në RTSH. Pas një liste të gjatë dëshirash për një vit më të mirë, në të cilën parodizoheshin politikanë e artistë, nën “Pemën e jetës” së skenografes italiane Patrizia Bocconi u zhvillua mbrëmë nata finale e edicionit të 53-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Nën drejtimin e Floriana Garos, Liberta Spahiut dhe Turian Hyskës, publikut dhe jurisë iu propozuan për herë të dytë 18 këngët finaliste, të zgjedhura mes 26 syresh, që garuan gjatë dy netëve të para. Cilësisht, si në nivelin e këngëve pjesëmarrëse ashtu edhe në organizim e prezantim, ky i sivjetshmi mund të quhet pa

Bojken Lako, fitues i çmimit të dytë

dyshim më i mirë se ai i një viti më parë. E megjithatë, vështirë të thuhet se mund të mbetet ndonjë motiv kënge në mendje, kjo ndoshta edhe për faktin se përveç fitueses, e cila na përfaqëson në Festivalin Europian, të tjerat janë të destinuara të harrohen. Një handikap ky i festivalit të RTSH-së, që aktivitetet e ngjashme private e kanë kaluar, duke ia ofruar në vazhdimësi këngët publikut. Pas festivalit, ato nuk prodhohen në CD dhe transmetohen vetëm në RTSH. E megjithatë edhe këtë vit festivali i RTSH-së e kreu misionin e tij të prej 11 vjetësh, atë të përzgjedhjes së një kënge fituese, që të na prezantojë në Festivalin Europian. Siç do të thoshte edhe vetë drejtori artistik i këtij festivali, Shpëtim Saraçi, krijuesit vazhdojnë të marrin pjesë në këtë aktivitet, me synim Eurosongun, veçse fatmirësisht këtë e bëjnë më me profesionalistet. Ky vit shënoi kthim emrash si ndër kompozitorë, ashtu edhe këngëtarë (Gjergj Leka, Agim Poshka), ndonëse shumica dërrmuese i përket brezit të ri të interpretuesve, madje shumë syresh fitues apo pjesëmarrës nëpër talent show muzikorë, si “The Voice of Albania”. Në natën finale të festivalit kënduan Bojken Lako, Saimir Braho, Marsela Çibukaj, Altin Goci, Enver Petrovci, Klajdi Musabelli etj.
SPEKTAKLI

Linda Halimi, fituese e çmimit të tretë

Më shumë shkëlqim e spektakël dritash këtë vit. Dukshëm festivali i 53-të bënte diferencën sa i takon skenografisë, fotografisë dhe
ndriçimit, realizuar nga skenografja Patrizia Bocconi, drejtori i fotografisë Marcelo Lazzeti. Edicioni i këtij viti tregoi se edhe Festivali i RTSH-së, nëse mirëmendohet mund të sjellë spektakël, madje pa ndonjë kosto shumë të lartë. Dy minikoncerte kanë sjellë në skenë Redon Makashi natën e parë dhe Aurela Gaçe në të dytën. Ata sollën disa nga këngët më të mira, jo vetëm të karrierës së tyre, por edhe të Festivalit të RTSH-së. Kësaj pjese të spektaklit i ishte bashkangjitur edhe elementi i talk show-t, i
cili gjithsesi mbeti në tentativë. Karriget e vendosura në skenë të përgatisnin për një bisedë me të ftuarit, por në fakt u duk sikur prezantuesit kishin harruar skaletën e pyetjeve në shtëpi dhe për të dalë nga situata e mbuluan me pyetje të tipit: “A vazhdoni
të keni sukses me femrat”, “Kur do bëheni baba” apo “Si do dukesh kur të jesh 70 vjeç”. Dhe niveli i përgjigjes ishte i njëjtë me atë
të pyetjes. Natën finale, ndërsa juria merrte vendimin, u ngjit në skenë kitaristi Genc Dashi, i kthyer në skenë pas një kohe të gjatë, i cili ofroi një improvizim në kitarë. Një homazh për Vaçe Zelën e Tish Dainë me këngën “Jeho”, kënduar nga Rona Nishliu e Fanfara Tirana. Ndonëse ishte parashikuar që përshëndetës të ishte edhe këngëtari Alexandër Rybak, fitues i Festivalit Europian në vitin 2009, ai nuk ishte i pranishëm natën finale.
PREZANTIMI
Prej vitesh në krizë, prezantimi i Festivalit të RTSHsë me vështirësi po e merr veten. Duke iu përmbajtur skemës 2+1 (dy femra dhe një mashkull), organizatorët ia kishin besuar kësaj here drejtimin e festivalit dy prezantueseve dhe modeleve Floriana Garo dhe Liberta Spahiu, si dhe prezantuesit Turian Hyska. Garo dhe Spahiu, që vijnë të dyja prej eksperiencave televizive, i qëndrojnë
formatit tradicional të prezantimit të një aktiviteti të këtij lloji. Të bukura dhe elegante ato nuk paraqesin probleme, siç jo rrallë kemi hasur në këtë festival, ku prezantueset me zor i shqisnin sytë nga teksti (nuk munguan batutat për gjatësinë e Florianës).
Turian Hyska i largohet skemës së zakonshme, duke tentuar komunikimin e lirshëm dhe pa poza, ndonëse pak solemnitet këtij aktiviteti i shkon për shtat.

KËNGËT FITUESE
Çmimi i parë: “Diell”, Elhaida Dani
Çmimi i dytë: “Të ndiej”, Bojken Lako Band
Çmimi i tretë: “S’të fal”, Linda Halimi
Çmimi i Jurisë Pop: “Bajram” – “Offchestra”
Çmimi i interpretimit: Gjergj Leka me këngën “Himn”

Rikthehet postfestivali, Juria Pop voton këngën e skualifikuar  
Këtij viti festivali iu rikthye traditës së postfestivalit. Nën moderimin e Ketrin Gjoçës, përgjatë tri netëve diskutuan rreth festivalit jo vetëm gazetarë, por edhe publik i tij. Ndër ta doktor Flamur Topi, i cili e ka ndjekur këtë festival për 53 vjet me radhë në sallë, po kështu një punonjëse e qarkullimit rrugor, një enolog, një student i Akademisë së Arteve etj. Pjesa profesionale përfaqësohej nga kompozitorja Eriona Rushiti dhe pianistja Blerina Shalari. E quajtur Juria Pop (popullore) ajo pati disa lidhje direkte me skenën e festivalit, duke parashtruar në kohë reale ndonjë problem që ishte konstatuar deri në atë moment. Gjatë netëve, objekt diskutimi u bë kënga e aktorit Enver Petrovci, që sipas Flamur Topit duhet t’ia kishte besuar një tjetri, pasi “askush nuk mund t’i bëjë dot të gjitha”. Po ashtu u diskutua kënga e Linda Halimit, sa shqiptare ishte ajo, kënga e Elhaida Danit, pritshmëritë ndaj së cilës ishin shumë të larta. U diskutuan gjithashtu edhe disa këngë të skualifikuara… Përveç debatit, Juria Pop dha edhe një çmim. Juria popullore votoi pikërisht për një këngë të skualifikuar nga juria kryesore, që nuk hyri në finale: “Bajram” nga “Offchestra”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura