Femra në letërsi/ Kthjelltësia dhe dehja e një poezie

Feb 17, 2018 | 10:14
SHPËRNDAJE

ALI ALIU

I. Lulet e egra – një nga vëllimet poetike më të rëndësishme në letërsinë shqipe

Në fund të vitit që lamë pas, në botim të shtëpisë “Vatra” në Shkup, doli nga shtypi vëllimi me poezi “Lulet e egra” i shkrimtares Majlinda Rama. Duhet thënë se bëhet fjalë për veprën, deri më sot, më të rëndësishme të kësaj autoreje dhe një nga vëllimet poetike më të rëndësishme të botuara gjatë viteve të fundit në poezinë shqipe. Pas botimit të novelëzave-poema “Ikja” dhe “Kthimi”, me këtë libër autorja bën një hap të rëndësishëm, të pritshëm, drejt majave të letërsisë shqipe. Majlinda Rama është e pranishme rreth pesëmbëdhjetë vjet në letërsinë shqipe.4141414747

Në vitin 2004 botoi librin e parë me poezi “Merrma lotin peng” dhe dy vjet më pas botoi edhe librin e dytë, po ashtu në poezi. Pas tyre, ajo botoi romanin “Perandorët” (2014) dhe romanin e dytë “Zonja me të kuqe” një vit më pas. Është autore edhe e disa librave me ese dhe me kritikë e studime letrare. Në fund të vitit 2016 dhe në fillim të atij vijues, ajo botoi dy libra – novelëza “Ikja” dhe “Kthimi”, që shënuan një hap dhe një kthesë në krijimtarinë e saj.

Siç thamë, ajo të dyja i ka emërtuar si novela. Në të vërtetë, edhe njëra, edhe tjetra, sjellin dy dialogë imagjinarë të autores. Dialogu i imagjinuar, kësaj here si diskurs është dramatikolirik, që do të thotë jashtë tipareve të zhanrit narrativ, siç është edhe novela. Vetëm pas disa muajve, nga “Kthimi”, në vjeshtën e vonë të vitit 2017, Majlinda Rama vjen për lexuesin me librin e tretë me poezi -“Lulet e egra”, që, sipas meje, shënon shkallën më të lartë në rrugën e vet të gjertanishme në krijimtarinë letrare të autores, ndërsa sjell vëllimin poetik më serioz të shënuar në hapë- sirën letrare të shqipes. Libri me poezi “Lulet e egra”, si teksturë, sjell një spektër të gjerë variacionesh e formash si në strukturë dhe llojshmëri, ashtu edhe në formatin dhe frymëmarrjen e vargut e tekstit në tërësi.

Ky vëllim poetik vjen si ngjizje e ngasjeve dhe shqetësimeve të brendshme, si dëshirë dhe shpërthim, si tension dhe hare, duke u njësuar artistikisht e duke hyrë natyrshëm në rrjedhën dhe ritmin emocional. Si artikulim diskursi poetik, refleksi figurativ, brenda vargut, rrjedh me pasuri dhe harmoni estetike, eufori dhe ritëm, herë dinamik dhe të rrëmbyer, herë me shtrirje horizontale të shtruar, herë si aliteracion me furi noliane e herë me frymë e shpirt të vargut popullor. Thënë me pak fjalë, si një rrjedhë-lëvizje e lehtë, kreative drejt shumëllojshmërisë artikuluese të lëndës si gjuhë dhe stil, formë, prurje e cilësi, pranishëm me dendësi në këtë vëllim Brenda këtij spektri të pasur ngjyrimesh dhe nuancash, brenda shtrirjes emocionale dhe refleksive të shtruar horizontalisht dhe vertikalisht, në kohë dhe hapësirë, e sidomos gjendjesh e situatash të ndryshme shpirtërore dhe mendore, libri poetik “Lulet e egra” është i veçantë në qiellin poetik të shqipes.

II. Artikulim i çështjeve të ekzistencës dhe qenies Në tërësinë e vet, poezia e librit “Lulet e egra” është lloj i poezisë, e cila së largu, që në sfond, shquhet nga pamje impresive poetike, me ëndrra dhe vizione poetike në artikulimin përreth dhe të botës, me situata që prekin pragje metafizike lidhur me çështjet e ekzistencës dhe qenies dhe gjithnjë në një sfond të ngasjes së dashurisë, brenda një pranimi a mungese të saj, që vë në lëvizje universin njeri. Poezi që sjell dhe artikulon një zë poetik, që përfshihet si jehonë apoloniane dhe dionisiane, sjell një jehonë kozmike në sintezën e bërjen një të tokësores dhe qiellores.

Në këtë libër, si frymë dhe diskurs e si ndjesi estetike, është e pranishme dhe mbizotëron një harmoni e plotë, mbizotëron parimi i rendit dhe renditjes, i masës e përmbajtjes, i qetësisë shpirtërore dhe emocionit në gjithësinë dhe universin njerëzor, që së toku, e vënë nën kontroll dehjen ekzaltuese, e përcjellin atë me një puhi e polifoni, që të rrëmben pa e marrë vesh. Përmendim këtu disa nga poezitë: “Çanta ime”, “Dy gjysmat”, “I dashur”, “Ty po të pres”, “Mos pyet kurrë”, “Itaka”, “Vajzës së palindur”, “Si nuk e vesha një fustan të bukur”, “Më pëlqen të takohemi mbrëmjeve”, “M’i morën varret”, “Rituali i puthjes”, cikli “Këngët..”, etj. Le të shohim më gjerësisht dy poezi, “Ju që më deshët me zjarr” dhe “Mall dhe Burrë”: Tek e para vlon prania e flirt-burrave, që sillen vërdallë e rrotull vetëm për një vëmendje të zërit poetik… “Onjeginë, që ma deshët akullin e huaj,/ ju që më quajtët Helenë, Anë Kareninë,/ që më lindët e zhytët një jetë në vargun tuaj,/ ju shokë, me t’vetmin sekret ndër jush, emrin tim”…

E ai zë, ndërkaq vdes për burrin që s’e desh’ e mbase që nuk ekziston fare. Afshi i dashjes ndërsa vjen i përmbajtur, nën kontrollin e arsyes, diskretshëm edhe përmes ironisë, por edhe refuzimi përcillet me një buzëqeshje mirëkuptimi. Te poezia e dytë, e formatit gjithashtu antologjik, gëzim-malli për të dashurin farfuron plot shkëlqim lumturor, por që, sado dominues, nuk jepet të vërshojë dhe të shthuret përtej brigjeve… Ndërkaq, poezia që veçohet, që është fare ndryshe në librin “Lulet e egra”, me të cilën mbyllet libri, është ajo me titull “Lulet e bardha”.

Duhet pranuar se vargjet e kësaj poezie janë guaskë e mbyllur, e padepërtueshme. Që andej, mes vargjesh edhe mund të depërtojë ndonjë shkrepje e beftë drite drejt brendësisë. Ajo që mund të ndihet, të kapet përmes intuitës është situata shpirtërore e rënduar e çastit, në të cilin është zënë poezia; ngjizja, frymëzimi duhet të kenë ndodhur në gjirin e një dite, në një rreth e realitet të vrenjtur të përditshmërisë… Uji, ajri, qenia, gjithësia-det, ngrysje totale dhe për një çast dorëzohet zëri lirik. Mbaroi edhe kjo punë.

/Ajri, trupi dhe deti,/një- soj të tre,/tre frymë të ngrira në të njëjtin hap… Edhe hapësira paanë e detit “mbrojtur” nga bregu me gjarpërinj të zinj, – gjithsesi për kontrast me bardhësinë e luleve. Dhe radhiten fanitje imazhesh që përftojnë vegime gjumëzgjimi, në dukje si të shkëputura nga njëratjetra, iluminime flakëruese, bredhje si copa resh’ qiellit e kujtimit, imazheve surrealiste që nga fëmijëria dhe mitologjia…”Lulet e bardha”, për të cilat duket se nuk ka askund vend në vizionin e gjithë- sisë së poetes, mbase edhe mund të zënë diku rrënjë, qoftë edhe në një truall të thatë, të zhuritur, qoftë edhe mes murrizave – sikur i jep shpresë vetes zëri poetik…

Pra, mund të thuhet edhe një herë ajo që përmendëm edhe në fillim, se poezia “Lulet e bardha” është ngjizur në rrethana të zymta deri trishtuese, si vegim fluturues, që thjesht nuk mund të rrëfehet, por si një gulçim pamjesh, që shfaqen e treten po me atë shpejtësi. Në mbyllje do të thosha se, në harkun kohor 15-vjeçar, Majlinda Rama po ecën sigurt drejt ndërtimit të profilit të saj në letërsi. E tillë dhe me pretendime, ajo ka bërë progres të shpejtë në zotërimin e diskursit romanor, në fushën e studimeve dhe kritikës, dhe në poezi, sidomos, ku me botimin e librit “Lulet e egra”, për mendimin tim, arrin shkallën më të lartë në krijimtarinë e vet letrare deri më sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura