Skandali, Elhaida Danit i ndryshon kënga 3 muaj para Eurosong. Shllaku: Më përjashtuan nga kënga menjëherë pas fitores

Feb 24, 2015 | 21:50
SHPËRNDAJE

“Diell”, kënga fituese e edicionit më të fundit të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, nuk do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Ajo do të zëvendësohet nga një këngë e re, e titulluar “I’m alive”, e kënduar po nga Elhaida Dani. Tashmë lajmi është i konfirmuar nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka.

Elhaida Dani ne festivalin e RTSH

Edhe pse pas shpalljes së këngës fituese pati shumë kritika për nivelin e saj, nuk është ky i fundit që do ta “penalizojë” atë, por tërheqja nga gara e Eurosong e kompozitorit të këngës Aldo Shllaku. Mësohet që Shllaku ka prishur kontratën me RTSH. Por, Shqipëria do të shkojë gjithsesi në Eurosong. Ndryshe nga ç’mund të mendohej, nuk do të jetë kënga që mori çmimin e dytë, ajo që do të shkojë në Festivalin Europian, por një këngë e re do të kompozohet për fituesen e vendit të parë. Edhe pse kënga që shkon në Eurosong del nga Festivali i RTSH-së, drejtuesit e këtij të fundit po ndjekin një rrugë tjetër.

““Në kushtet e tërheqjes, stafi i RTSH në bashkëpunim me EBU, dolëm në përfundimin e realizimit të një kënge të re, që të shkonim me dinjitet në këtë konkurrim. E kishim më të thjeshtë të mos shkonim në Festivalin Europian, por me zërin e Elhaida Danit dhe me këngën e re, është e sigurt që do të paraqitemi mjaft mirë”, thotë Leka, sipas të cilit Elhaida Dani është në kulmin e karrierës së saj dhe do ishte një “kartë” e sigurt për në Eurosong. Mësohet se pas kontaktimit të disa kompozitorëve, krijimi i këngës së re iu besua Zzap & Chriss nga Kosova.. 

TËRHEQJA
Në lidhje me tërheqjen e kompozitorit Aldo Shllaku nga konkurrimi, drejtori i RTSH-së Martin Leka nuk ka dashur të komentojë gjatë. Sipas tij, Shllaku nuk ka njohur të drejtat e RTSH-së mbi këngën dhe se është tërhequr në një moment të vështirë, kur fare pak kohë kishte mbetur nga afatet e paraqitjes së këngës në festival. Por, çdokush në këtë histori ka variantet e veta. Sipas Shllakut, ai ka qenë i detyruar të hiqte dorë nga konkurrimi në Festivalin Europian, për shkak se u ndje i mënjanuar nga fazat e tjera nëpër të cilat do të kalonte kënga dhe se nuk po respektoheshin të drejtat si autor i saj. Nga ana tjetër, këngëtarja Elhaida Dani ka vendosur të mos ndjekë autorin e këngës, por të mbajë përfaqësimin e Shqipërisë në Eurosong. Ajo thotë se pavarësisht se e pati menduar edhe tërheqjen, nuk do të kishte dashur të zhgënjente pritsh mëritë e publikut që kanë besuar në të. Ndaj edhe do të shkojë në Vjenë me këngën e re, që sipas saj është tërësisht ndryshe nga ç’ka kënduar ajo deri më tani.

Kompozitori Shllaku: Më përjashtuan nga kënga menjëherë pas fitores

Kompozitori Aldo Shllaku është ndjerë i mënjanuar nga i gjithë procesi që do të duhej të kalonte kënga për të shkuar në Eurosong, që në momentin kur ajo u shpall fituese.

Kompozitori Aldo Shllaku

Nga ftesa me insistim për të marrë pjesë në festival, në një qëndrim absurd gati mohues. Këto qëndrime e çuan atë që në datën 5 shkurt të hiqte dorë nga pjesëmarrja në Eurosong.

“Është rast i paprecedentë që jo vetëm autorëve nuk u është dhënë e drejta elementare të realizojnë këngën e tyre, por për më tepër, autorët janë përjashtuar nga çdo proces që nga 28 dhjetori, ditë kur kënga u shpall fituese e Festivalit, e deri më sot. Me gjithë insistimin, vazhdon të mos bëhet e ditur se kujt i janë “transferuar” të drejtat e kompozitorit, poetit, orkestruesit, për ndryshimet që kënga duhet të pësojë si pjesë e kushteve të Eurosong-ut. Kjo është një shkelje flagrante e çdo të drejte të autorit, etikës profesionale dhe një vendim i bazuar në absurditet. Gjendur në një situatë të tillë dhe përtej çdo limiti kohor për të pasur një mundësi sado të vogël për të realizuar këngën, nuk më është lënë asnjë zgjidhje tjetër përveç se më 5 shkurt të dërgoj kërkesën zyrtare për të tërhequr këngën. Kjo pasi nuk mund të marr përsipër përgjegjësi profesionale, kur nuk jam vetë i angazhuar profesionalisht”, shprehet Aldo Shllaku, ende në padijeni që RTSH ka vendosur të çojë një këngë të re në Eurosong.

Përplasja më e madhe mes tyre duket se ka qenë mosrënia dakord për studion ku do të bëhej orkestrimi dhe masterizimi i këngës. Ndërsa dy këngë të tjera që kanë shkuar në Eurosong, ajo e Shpëtim Saraçit dhe Florent Boshnjakut, janë punuar në San Françisko, kësaj here, drejtuesit e RTSH kanë vendosur që këngën ta realizojnë në Itali.

Sipas Shllakut, krisjet kishin nisur që në Tiranë, kur kënga pësoi ndryshime, madje edhe në titull nga “Të kërkoj”, në “Diell”, pa dijeninë e autorit. Për Shllakun e gjithë kjo situatë është absurde, por sipas tij, të paktën, nuk do të luhet me të drejtat e autorit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura