Erdoganizmi, si ushqim për Ramizmin apo Berishizmin

Dec 20, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

ben-andoni_0BEN ANDONI

Është kaq i vështirë dhe i përfolur rrugëtimi  i Shqipërisë në demokraci, saqë tashmë publiku ka nisur të konsiderojë realisht vendimet e zgjedhjeve të veta. A ishte dhe mbetet Rama zgjidhja e duhur? E meriton Berisha sërish pushtetin edhe pas plot 30 vitesh, si edhe pas dorëheqjes së humbjes? Pse SHBA-të marrin pjesë vetë në proceset kryesore të shtetit shqiptar dhe pse nuk u besojnë proceseve demokratike në vend? A po bëhet edhe Shqipëria një shtet mirëfilli autokratik në Ballkanin Perëndimor? Sa peshë ka Erdoganizmi në vend dhe sa i kanë shkuar kësaj fryme liderët e vendit tonë? Duhet saktësuar diçka: Erdogan ka qenë mik i ngushtë i Berishës dhe tashmë i Ramës.

Në të gjithë kohën e tij, që e mbulojnë dy kryeministrat tanë të fundit, Erdogan ka marrë pjesë në inaugurime veprash të rëndësishme në Shqipëri dhe dikur Berisha e tashmë Rama e kanë bërë si shtëpinë e tyre Ankaranë. Berisha mëton se ishte një telefonatë e gjatë e vitit 2012, që prishi marrëdhëniet mes tyre; Rama vazhdon dhe madje shpesh ka marrë përsipër të thotë e të shprehet për gjëra në mbrojtje të Erdogan në institucione, ku duhej të ishte shumë më tepër i tërhequr dhe protokollar. Pa përmendur edhe gjëra që “harrohen lehtë” se falë Erdogan në Shqipëri janë mbyllur shkolla dhe qëndrimi ndaj tij duket se e ka kufizuar shumë Komunitetin Mysliman. Po kjo është pjesë e një analize të gjatë nëse Shqipëria ka qenë e diktuar apo se kjo lloj qeverisje me këto kufizime, që kanë lidhje me Turqinë, i shkon asaj.

Duke u kthyer në thelb: A po dëmtohet vetë Turqia prej Erdoganizmit dhe me këtë rast edhe aleatët si Shqipëria? Është një fakt që koninukturat e sotme gjeostrategjike e anashkalojnë, por nuk e mohojnë, sepse Turqia ka qenë një barrierë e madhe për vërshimin e emigrantëve në kontinent dhe nga ana tjetër kanali më aktiv i gjallë e shpresëdhënës në agresionin e frikshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, si edhe mbajtjen gjallë të zinxhirëve jetikë ushqimorë.

Nga ana tjetër, në aspektin e brendshëm nuk duhet harruar se prej rizgjedhjes së Rexhep Taip Erdogan në qershor 2018 si President i Republikës, falë edhe mbështetjes nga e djathta ekstreme nacionaliste, tashmë regjimi i tij presidencial është i plotfuqishëm, ku kemi një autokraci të fortë, e cila e ka lënë de facto mënjanë ndarjen e pushteteve paçka se de jure, të drejtat mbeten të sanksionuara në kushtetutë. Kjo fuqi e madhe e Erdogan e nisur qysh në fund të dekadës së parë të viteve 2000 e ka siguruar të gjithë hullinë e pushtetit turk të ketë një drejtim mirëfilli vertikal. Erdogan jo thjesht e dominon fuqinë ekzekutive dhe atë legjislative n Turqi, por ndërkohë që e dikton edhe gjyqësorin duke ndikuar realisht në emërimin e shumicës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të Këshillit të Magjistraturës, të Prokurorëve dhe të Këshillit Kushtetues.

Në vitin 2016 arriti kulmin, kur shkarkoi më shumë se një të katërtën e anëtarëve të Drejtësisë dhe i zëvendësoi me mbështetës të partisë në pushtet përmes një procesi përzgjedhës aspak transparent. Kanë qenë të kota penalitetet e Gjykatës Evropiane së të Drejtave të Njeriut për ndërhyrjet dhe as raportet e Parlamentit Evropian për zhdukjen e Shtetit të së Drejtës. Turqia nën Erdoganin duket shumë larg integrimeve dhe tashmë as nuk përpiqet më, pasi integrimi i saj është realisht në kalenda, nëse ky nocion do ekzistonte realisht. Demonstratat masive, të njohura si protestat e Gezi para gati dhjetë vitesh në 2013, treguan se kjo formë qeverisje nuk ishte e dashur për një pjesë bajagi të madhe të rinisë dhe fashave të klasës së mesme.

Aq të mëdha ishin protestat saqë shqiptarët do kundronin edhe disa nga personazhet e tyre të filmave serialë midis protestuesve, që ishin kundër pjesës autoritare dhe konservatore. E megjithatë Erdogan u rizgjodh sërish. Amendamentet kushtetuese që e konsakruan regjimin presidencial u pranuan me referendumin e mbajtur më 16 prill 2017 nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe në një atmosferë tensioni që patën “po-në” e plot 51.4% të popullsisë!!

Po çfarë kuptohet realisht me Erdoganizëm? Është një regjim i plotfuqishëm dhe gati arbitrar që konsiderohet i beftë qoftë në përballjen në ndryshimet politike, por edhe në masat ekonomike, ku rregulloret, por edhe ligjet, arrijnë të ndryshohen qoftë edhe me një dekret të thjeshtë presidencial. Kjo është pak a shumë forma që Erdogan i ka dhënë shtetit të vet, ku askush nuk beson se ai mund të lerë pushtetin, përveçse kur të dojë të largohet vetë.

Forca e Erdogan adhurohet nga politikanët shqiptarë dhe pushteti i tij i plotë duket se rrezaton në konceptet e Berishës dhe të Ramës të drejtimit në 10 vitet e fundit. Atyre u ka pëlqyer të kenë pushtet të plotë, Berisha nuk e fshehte, kurse sot e shpreh hapur me rikthimin në krye të një pjesë të Partisë Demokratike ende të palegalizuar; Kryeministri Rama mundohet kurdo që ta tregojë si model përballjen e jashtme të Turqisë me politikat globale dhe të theksojë së ndihet i privilegjuar që e ka mik Erdogan. Dhe, liderëve tanë këtu duhet t’u hapësh pakëz udhë.

Turqia ishte një nga vendet e para që i erdhi në ndihmë në terren me ekipet e kërkimshpëtimit Shqipërisë në fatkeqësinë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili mori jetën e më shumë se 50 personave, plagosjen e më shumë se 3.000 personave dhe dëmtimin e infrastrukturës së 11 bashkive. Plot 500 banesa, premtuar nga Erdogan, u realizuan nga Autoriteti Shtetëror i Administrimit te Banesave Sociale (TOKI) për familjet e viktimave në Laç. Turqia e ndihu sërish Shqipërinë në kohën e Covid-19 me vaksina dhe pajisje mjekësore, kurse në vitet në vazhdim vëllimi i tregtisë mes dy vendeve mëtohet të shkojë në 1 miliard dollarë, falë rreth 600 kompanive turke të regjistruara, që kanë tendencë të rriten, referuar një fjalimi të paradokohshëm të vetë Erdogan.

Janë këto dhe shumë ndihma të tjera që e bëjnë Turqinë të paprekshme në aspektin emocional dhe publiku shqiptar e ndjeu këtë në inaugurimin e monumentit kushtuar mposhtjes së Grushtit të Shtetit, ku përfaqësues të Opozitës dhe Pozitës u shfaqën së bashku, paçka se opozita u mundua të ishte sa më e padukshme.

Ndërkohë, Erdoganizmi dhe adhurimi për të duket se ka ndikim edhe në dy konceptet e krijuara në vitet e fundit që lidhen me figurat e dy liderëve më të fuqishëm shqiptarë, Ramës dhe Berishës. Ky i fundit, edhe pse përbën individin dhe liderin politik më të rëndësishëm të tranzicionit, me amullinë e tij, e ka bërë po aq të ngatërruar edhe konceptin e berishizmit, që mundohen t’ia mveshin politologët. E para se Berisha nuk ka lënë asgjë të shkruar deri më tani për të përcaktuar idetë e veta. Veçse nga aktet dhe veprimet e tij kupton se berishizmi është një koncept që ka prodhuar një individ, si ai, nga pushteti autokratik mbledhur dhe sajuar ndër vite dhe deri te forca e reagimit. Ku patjetër dallon identifikimi i kundërshtarit politik, qoftë dhe ai brenda partisë, si mirëfilli armik. Dhe, tjetra se armik-miku përkufizohet nga valenca e lidhjes me Berishën. Ky është ligji i pranuar prej të gjithëve në PDnë.

Të gjitha këto janë ende pak të përafrojnë imazhin me Erdoganizmin, që është sistem dhe ka vendosur kanone, por duket se ka ndikim te ne si filozofi drejtimi. Në rastin e Berishës është aq e madhe me dëshirën e tij për të pasur të gjitha pushtetet dhe me fjalën e tij saqë dikton me inercinë e fuqisë deri në sistemin e Drejtësisë që nuk e prek. Kryeministri Rama duket më afër konceptit të Erdoganizmit si institucion pasi jo thjesht ka vendosur pushtetin ngado, porse edhe gjithçka që vendoset në pushtetet e tjera ka shumë ndikim prej tij.

Nën të ashtuquajturin Ramizëm ka kohë që janë zbehur ndarjet e pushteteve ose më saktë ndihen të dobët dhe të pafuqi, kurse përfoljet e zgjedhjeve dhe përdorimi i patronazhistëve (që edhe pse i është thënë se nuk pranohet vazhdon t’i mbajë me shumë pathos), ndërsa mbajtja e pushteteve në një dorë e bën atë një hije jo aq të zbehtë të Erdoganit, që e shikon me adhurim. Në një analizë më të kujdesshme shikon se paratë publike nuk shpërndahen sipas një logjike demokratike, kurse vendi më shumë i shërben të pasurve, që e largon fare nga ideologjia e së Majtës me përcjelljen edhe mbrojtjen e PPP-ve etj.

Për fat kemi një rezistencë deri-diku të drejtësisë, që ka përcjellë në gjyq ministrat e tij, Saimir Tahirin dhe Lefter Koka, ndërsa Gjykata Kushtetuese i mohoi shkarkimin e Presidentit Ilir Meta? Po pse adhurohet Erdogan në Shqipëri? Presidenti turk është modeli i “të fortit” në politikë, ligj dhe sidomos në përballjet me botën e huaj, së cilës i “tregon vendin” kurdo?! A ka model më të mirë përballë kompleksit tonë për pushtet dhe sesa ky kult?! (Homo Albanicus)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura