Elvira Dones dorëzon platformën për drejtore të RTSH-së

Jun 10, 2015 | 13:58
SHPËRNDAJE

Elvira Dones është kandidatura kryesore për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar. 


Tashmë lajmi është zyrtar dhe nuk flitet më nën zë. Shkrimtarja, e cila prej vitesh e ndan jetën e saj mes Italisë, Zvicrës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, ka dorëzuar platformën e saj për pozicionin në fjalë. Afati i dorëzimit të kandidaturave është pikërisht data e sotshme. Tashmë u bënë javë që emri i shkrimtares përflitet si drejtoresha e ardhshme e RTSH-së dhe se është e parapëlqyera e Kryeministrit Edi Rama.

Me gjithë tentativat për të komunikuar me shkrimtaren, ajo ka preferuar të jetë tepër diskrete dhe nuk ka pranuar të komunikojë me mediat në lidhje me këtë çështje. Prania e saj e shpeshtë në Tiranë, shoqëruar me heshtje, e shtonte edhe më shumë “dyshimin”, por tashmë nuk ka më asnjë të tillë. Dones pritet të dalë përpara këshillit të ri drejtues të RTSH-së për të shpalosur platformën e saj në krye të institucionit shtetëror, që do të donte shumë punë për t’u ringritur.

SHKRIMTARJA
Elvira Dones është një nga shkrimtaret më të njohura shqiptare, e cila prej më shumë se çerek shekulli e ka ndërtuar jetën dhe karrierën e saj jashtë vendit. Hyn në “listën” e shkrimtarëve dy gjuhësh, shqip dhe italisht, por, pavarësisht gjuhës, Dones vazhdon të jetë e lidhur ngushtësisht me realitetin shqiptar. Dones ka lindur në Durrës dhe ka jetuar në Tiranë.

Nisi shumë herët të shkruajë dhe ende adoleshente, vetëm 16 vjeç, i hyn botës së televizionit. Diplomohet në Letërsi Shqipe dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1988 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Zvicër. Në vitin 1997 boton romanin e parë të vërtetë, “Dashuri e huaj”, përkthyer në gjuhën italiane me titullin “Senza bagagli”, që do të tërhiqte menjëherë vëmendjen për notat autobiografike. Një libër që rrëfente historinë e një gruaje shqiptare në vitet ’80 dhe largimin e saj nga Shqipëria. Në Zvicër iu përkushtua të shkruarit, por nuk hoqi dorë nga pasioni i saj, gazetaria, por as nga kinematografia, duke vijuar të shkruajë skenarë dhe të realizojë filma dokumentarë.

Është autore e nëntë romaneve, të cilët janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Disa syresh janë shkruar së pari në gjuhën italiane e më pas janë përkthyer në gjuhën shqipe. Romanet e saj kanë njohur dritën e botimit edhe në gjuhën frënge e polake. Është fituese e disa çmimeve letrare ndërkombëtare. Një prej romaneve të saj, “Hana”, që trajton temën e virgjëreshave të betuara, është shfrytëzuar së fundmi si nxitje për të realizuar një film artistik me metrazh të gjatë. Filmi “Virgjëresha e betuar”, me regji të italianes Laura Bispuri, konkurroi këtë vit në Festivalin e Berlinit. Të tjera romane të saj janë: “Luftë e vogël e përkorë”, “Më pas heshtja”, “I Love Tom Hanks”, “Ditë e bardhë e fyer”, “Yjet nuk vishen kështu”, “Lule të gabuara” etj.

DOKUMENTARËT
Gjithashtu Dones është autore e një serie dokumentarësh, me natyrë investigative. Dokumentarët e saj prekin tema të nxehta, jo vetëm me karakter shqiptar, por i tejkalojnë kufijtë. Bëhet fjalë për investigime mbi trafikun njerëzor mes dy anëve të Adriatikut, mbi gjakmarrjen në Shqipërinë e Veriut, mbi botën e nëndheshme të klientelës së prostitucionit në territorin italian.

Filmat e saj nuk kanë kaluar pa u vënë re. Kanë marrë pjesë nëpër festivale ndërkombëtarë dhe madje kanë fituar edhe çmime. Disa syresh janë prodhime të Radio Televizionit Zviceran, ku edhe janë transmetuar. Në këto 27 vite, prej largimit të saj jeton në San Francisco Bay Area, Kaliforni, e ndan kohën mes Shteteve te Bashkuara, Zvicrës, Italisë e Shqipërisë. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura