Elhaida Dani fiton edicionin e nëntë të “Top Fest”

Jun 4, 2012 | 13:55
SHPËRNDAJE

Fituesja e “Top Fest” 9, Elhajda Dani

U zhvillua në Pallatin e Kongreseve nata finale.

Me këngën “S’je më”, këngëtarja fiton festivalin e muzikës moderne shqiptare.

Me këngën “S’je më” është shpallur fituese e edicionit të nëntë të “Top Fest” këngëtarja Elhaida Dani. Pas javësh të gjata prezantimi, komentesh, hatërmbetjesh, tifozerish, u mbyll mbrëmë në sallën e Pallatit të Kongreseve, edicioni i radhës i festivalit të muzikës moderne shqiptare. Me përjashtime të vogla, kanë mbizotëruar fitues kryesisht këngëtarë të rinj, të cilët preknin për herë të parë skenën e një festivali të madh. Ndërsa kompozitori me më shumë trofe, rezultoi Florian Mumajesi, firmën e të cilit mbante kënga e Argjentina Ramosajt, Stresit, Klajdi Harunit etj. Nën moderimin e prezantuesit Ledion Liço dhe motrave bionde Marina e Luana Vjollca u ngjitën në skenën e ndriçuar me skenografi të Fatmir Mingës një nga një të gjithë finalistët me fat. Bashkë me çmimin e madh, këngëtarja Elhaida Dani meritoi edhe trofeun për artistin e ri më të mirë, çmim ky i akorduar nga fondacioni “Dritan Hoxha”. Më i klikuari në internet rezultoi Klajdi Haruni, që u bë i famshëm me këngën e tij të parë për Mamicën me forma të ekzagjeruara, një kompozim i Florian Mumajesit. Gjithashtu u ndanë çmime për grupin më të mirë, këngën më të mirë rock-alternative, çmimin “Top Albania Radio”, interpretuesin më të mirë, këngëtarin më të mirë, këngëtaren më të mirë, baladën më të mirë… Dolën me trofe nga kjo mbrëmje Besa Kokëdhima, grupi “Burn”, Nita Latifi, Adrian Lulgjuraj, Argjentina Ramosaj dhe Xhensila Myrtezaj.

Prezantuesit e “Top Fest”

Trofetë u ndanë nga emra të njohur të muzikës, spektaklit apo edhe personazhe, të cilët janë bërë të dashur për publikun fal reality show-t, “Big Brother Albania”. Kështu u ngjitën për të ndarë trofetë Valbona Selimllari, Genti Hazizi, përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Europian, Rona Nishliu, fituesja e edicionit të shkuar, Elvana Gjata, kantautori Altin Goci, katër finalistët e “Big Brother 5”, Arbri, Ermali, Françeska e Genta. Kjo e fundit kish marrë me vete edhe një pistoletë (lodër), si në fotot e famshme, që bënë xhiron e internetit e të shtypit rozë.
Të gjithë finalistët, por edhe këngëtarët që nuk mundën dot të rrëmbenin ndonjë trofe, sollën live për publikun këngët konkurruese të “Top Fest 9”. Interpretim që herë-herë i nxori zbuluar këngëtarët. Pati edhe nga ata që nuk e përballuan si duhet të kënduarit live, duke stonuar hapur.
“Top Fest” edhe këtë vit ndoqi të njëjtën procedurë selektimi të këngëve si edhe vitet e shkuara. Në fazën e parë këngëtarët prezantuan këngët e tyre playback, ndërsa në fazën e dytë konkurrentët e përzgjedhur në gjysmëfinale kanë treguar me të vërtetë aftësitë e tyre, duke kënduar live. Nga rreth 130 këngëtarë në fazën e parë, arritën në 36 gjysmëfinalistë dhe mbrëmë u ngjitën në skenën e Pallatit të Kongreseve 18 finalistë. Çmimet u ndanë prej një jurie profesioniste, të përbërë nga këngëtarët Sidrit Bejleri, Miriam Cani, Rona Nishliu, drejtori artistik i festivalit, Dorian Gjoni dhe pianisti Gentian Rrushi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura