EKSKLUZIVE/Ekzekutimi i 2 ministrave, flet ish-kryeprokurori i Enverit: Fjalët e fundit kur u thashë se nuk ishin falur. Ku u çuan trupat pasi u pushkatuan

Aug 15, 2019 | 15:44
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ

Emrat e Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit janë në kreun e listës së të dënuarve me vdekje, që nuk u janë gjetur akoma eshtrat. Për herë të parë, pas gati tri dekadash, Rrapi Mino, ish- prokurori i Përgjithshëm dhe njëri nga zyrtarët që ka marrë pjesë në ekzekutimin e tyre, tregon një detaj të padëgjuar që mund t’i japë fund kësaj drame rrëqethëse.

“Pushkatimi i Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit është bërë në kodrat e Linxës dhe trupat e tyre i çuan në spital për eksperiment shkencor”, dëshmon ai, duke bërë indiferentin për sfilitjen e familjarëve në kërkim të eshtrave të tyre. Përtej këtij fakti, ishprokurori më jetëgjatë i Prokurorisë së Përgjithshme, megjithëse me rezerva, tregon momentet e dialogut të fundit me dy të dënuarit me vdekje te vendi i ekzekutimit.

Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”
Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”

“Fola veç me çdonjërin,- kujton ai. Në fillim nxora nga makina Abdylin, e afrova te pozicioni i pushkatimit dhe i komunikova vendimin e Presidiumit, që nuk i falte jetën. Përfundimisht,- i thashë,- mbetet në fuqi verdikti i Gjykatës, pra dënimi me vdekje. I kujtova ndërkaq se duhej të thoshte çfarë mendonte para ekzekutimit. Foli diçka dhe e mbylli. Pastaj, mora aty Koçon që kishte ndjekur çfarë ndodhi me shokun e tij. Foli dhe ai si nëpër dhëmbë. Dhe këtu u mbyll gjithçka”. Po çfarë kujton tjetër nga ato çaste të tmerrshme përfaqësuesi i akuzës, që i tregon si të fliste për një ngjarje të rëndomtë…

Çfarë komunikuat në çastet e fundit me të dënuarit?

Me ta komunikova vetëm unë, siç e parashikonte ligji dhe udhëzimet e ministrit të Brendshëm…

Cili ishte dialogu i fundit me ta?

Dialogu i fundit u bë pikërisht te vendi i ekzekutimit. Fola veç me çdonjërin. Në fillim nxora nga makina Abdyl Këllezin, e afrova te pozicioni që ishte përcaktuar për ta pushkatuar dhe i komunikova vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që nuk e kishte marrë parasysh kërkesën për t’ia falur jetën. Përfundimisht,- i thashë,- mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Lartë, pra dënimi me vdekje, pushkatim. Aty për aty i kujtova se sipas ligjit duhej të thoshte çfarë mendonte para ekzekutimit…

Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit
Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit

Si u shpreh Abdyl Këllezi pas kësaj?

Nuk kam gjë,- tha,- nuk kam gjë…

Pas këtij momenti i erdhi radha pushkatarit..

Kjo ishte radha e veprimeve e përshkruar, siç të thashë në detaje…

Gjatë këtyre çasteve, çfarë ndodhte me Koço Theodhosin?

Kur unë komunikoja me Abdylin, Koçoja qëndronte në makinë aty pranë, kuptohet nën ruajtjen e policisë. Radha e tij vinte kur mjeku verifikonte vdekjen e Abdylit…

Pra, Koçoja e shikonte nga afër gjithë skenën e Abdylit…

Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Procedura me të,- të thashë,- fillonte pas ekzekutimit të Abdylit.

Koco Theodhosi (djathtas) dhe Abdyl Kellezi (majtas)
Koco Theodhosi (djathtas) dhe Abdyl Kellezi (majtas)

Diçka e tmerrshme kjo…

Në fakt, gjendja e atij që priste radhën e pushkatimit ishte më e rënduar se ajo e të dënuarit që pushkatohej. Se i qëllonte që ato çaste të shikonte nga afër tmerrin e shokut që ekzekutohej. Sidoqoftë, ishte ky një moment i paevitueshëm…

Mund të evitohej po të bëhej ekzekutimi në grup…

Nuk mund të bëhej ekzekutimi në grup, se nuk e parashikonte procedura ligjore. Kjo, për disa arsye të qenësishme. Flitet për raste të tilla në disa shkrime gazetash se bëhej ekzekutimi në grup me një batare, por nuk është e saktë. Gjithçka bëhej nominalisht, një për një. Në fund pastaj, bëhej procesverbali përkatës…

Dokumenti që konfirmonte vdekjen e të ekzekutuarve…

Këtë po e po, por edhe fjalët e fundit që shqiptonin të dënuarit para pushkatimit…

Kush e përpiloi procesverbalin?

E përpiloja unë dhe e firmosnin të tjerët që ishin të pranishëm. Bashkë me mua e firmoste doktori dhe pushkatari…

Pastaj, ku e çonit?

E çonim në Ministri të Brendshme. Me sa kam dijeni, materiali shkonte direkt te zyra e ministrit…

Pra, konfirmuat vdekjen e tyre në procesverbalin për ministrin e Brendshëm, po me trupat e të pushkatuarve çfarë bëtë?

Për trajtimin e tyre ishte një urdhër tjetër. Ishte një grup tjetër që u mor me to.

I groposën aty apo i çuan në ndonjë vend tjetër?

Të thashë që kjo nuk ishte pjesë e përgjegjësisë sime…

Sidoqoftë, ju ishit i pranishëm dhe i keni parë veprimet që u bënë me trupat e tyre ato çaste…

Ato nuk i groposën aty, por sipas udhëzimeve që ishin marrë më parë, i hipën në një makinë të mbyllur dhe i çuan në spital…

Në spital për kadavër?

Për interesa shkencore mjekësore, thuhej në udhëzimet e Ministrisë së Brendshme.

Me një fjalë, trupat e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit nuk janë groposur, por janë marrë për kabinetin e Fakultetit të Mjekësisë.. 

Kështu ka ndodhur…

Kanë pasur dijeni familjarët e tyre për këtë?

Unë me këtë histori,- si të tregova,- jam ndarë qysh atë pasdite maji dhe nuk di gjë tjetër rreth saj.

Megjithatë, keni dëgjuar që i kërkojnë prej vitesh eshtrat e tyre…

Ka dokumente zyrtare për këtë në institucione, të shfletohen ato dhe besoj në një zgjidhje të mundshme.

Në pjesën më të madhe të rasteve të tilla, ekzekutimet janë bërë natën, madje në orën 24, pse për rastin e Këllezit dhe Theodhosit u zgjodh mesdita?

Kështu e parashikonte urdhri i ministrit, unë isha thjesht zbatuesi i tij…

Mos ndoshta u zgjodh dita për të ruajtur me kujdes kufomat për interesa mjekësore shkencore?

Ndoshta, unë nuk di ç’të them për diçka të tillë.

* Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online

Mund të lexoni gjithashtu pjesët e kaluara

(Kliko mbi titullin)

1- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

2- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

3- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

4- EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

5- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja vëllazërore mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi më pas me pushkatim

6-EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit rrëfen takimet me Kadri Hazbiun në burg: E mbanin në kashtë e dërrasë që të mos…

7- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Kafet në mesnatë të Fiqirete Shehut, pse gjyqi i grupit të Hazbiut u bë në Burgun 313

8-  EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

9- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Ç’më tha Kadri Hazbiu kur i dhashë urdhrin e pushkatimit në qeli

10 – EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si u ngritën akuzat ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës dhe Koço Theodhosit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura