EKSKLUZIVE/ Dhëmbë e brinjë të thyera? Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit për Kadri Hazbiun: U vu në dispozicion një punonjëse shërbimi. Fiqirete Shehu donte kafe në 11:00 të natës, nëse nuk ia çonin…

Aug 8, 2019 | 19:57
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/

mehmet shehu kadri hazbuiI kthjellët në kujtesë e i vëmendshëm në bisedë, Rrapi Mino, Prokurori i Përgjithshëm më jetëgjatë i regjimit komunist, rezervohet tej mase kur bie fjala për disa nga momentet më kritike të proceseve të bujshme. Aq e fortë është kjo stepje e tij, sa që një çast të duket e kotë çdo përpjekje për të zbardhur sadopak misteret që kanë lënë pas disa nga ngjarjet më tronditëse ku ai ka qenë ndër protagonistët kryesorë.

Sidoqoftë, edhe për aq sa pranon të tregojë, gjithnjë me një lloj mëdyshje, Mino zbulon për herë të parë disa nga rrethanat e panjohura e të shumëpërfolura të ekzekutimit të Kadri Hazbiut, ish-ministrit historik të Sigurimit të Shtetit. Ka qenë kjo një histori e jashtëzakonshme e risjellë vitet e fundit në vëmendje të opinionit publik në versione nga më të ndryshmet. Përtej atyre që përmbajnë dokumentet zyrtare për epilogun e këtij procesi, nga dëshmitarë të ndryshëm kanë qarkulluar zëra që tregojnë se në rastin e ekzekutimit të Hazbiut nuk është zbatuar asnjë nga kërkesat e procedurës që parashikonte dispozita përkatëse e kohës.

Madje, njëri nga ish-gardianët e Burgut 313 ka pohuar se Kadri Hazbiun, në vendin e ekzekutimit, e kanë çuar të vdekur. Një tjetër ka thënë se ai ka ndërruar jetë nga torturat. Sakaq, ka të tjerë që kanë vënë në dukje se ekzekutimi i tij është bërë fshehurazi në qeli nga njëri prej zëvendësministrave të Brendshëm, për të shmangur pështjellimin në radhët e efektivëve të emëruar dikur nga Kadri Hazbiu e të urdhëruar së fundi për të ekzekutuar atë.

Rrapi Mino duke folur për “Panorama”Nga aq sa shtrëngohet të tregojë për ato çaste dramatike, Rrapi Mino nuk mohon dhe as pohon asnjërin prej këtyre versioneve, por spontanisht, e krejt pa dashur, pranon mosvërtetësinë e dokumentit zyrtar për ekzekutimin e ish-ministrit të Brendshëm të nënshkruar prej tij. Ndryshe nga sa dëshmon në procesverbalin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për pushkatimin e Kadri Hazbiut dhe bashkëpunëtorëve të tij mesnatën e 9 shtatorit 1983, ku konfirmon se ka qenë i pranishëm, gjatë bisedës shprehet haptas se Kadri Hazbiut urdhrin e pushkatimit ia ka komunikuar disa orë më parë në qeli, jo te vendi i ekzekutimit, siç ishte dispozita ligjore.

Aty, sipas tij, vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor që nuk i falte jetën, ia ka bërë të ditur dhe Feçorr Shehut. Ndërkohë që nuk ka vepruar kësisoj me dy të dënuarit e tjerë, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti, me të cilët për herë të fundit është përballur te vendi i ekzekutimit. Përtej kësaj dëshmie të padëgjuar më parë, Rrapi Mino heziton të tregojë pse është detyruar të shkelë kërkesën eksplicite të procedurës zyrtare që e urdhëron prokurorin e çështjes t’ia komunikojë vendimin përfundimtar të dënuarit me vdekjes te vendi i ekzekutimit.

Jo pa shkak, ish-kreu i akuzës nuk tregon emrin e eprorit që e urdhëroi të shkojë atë natë në qelinë e Kadri Hazbiut dhe zyrtarët e tjerë që e shoqëruan në këtë vizitë misterioze. Sidoqoftë, pohimi i beftë i tij është një rreze drite për të depërtuar sadopak në skutat e historisë së pazbardhur të ekzekutimit misterioz të Kadri Hazbiut…

( Vijon nga publikimi i kaluar)

Thonë se janë mbajtur në kushte tmerrësisht të vështira…

E kam dëgjuar edhe unë këtë fakt, por e vërteta është ndryshe. E them me përgjegjësi se për rastin e tyre ishte përgatitur një ambient i veçantë brenda burgut, që ishte i izoluar nga pjesa tjetër, me kushte disa herë më të mira nga ato të burgosurve të tjerë. Gjithçka ishte rregulluar për jetesë normale, kuptohet brenda kufizimeve që lejonte rregullorja përkatëse. Pjesën më të madhe të kohës, Kadri Hazbiu dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, mbaheshin të paprangosur, por kishte dhe raste që u viheshin prangat dhe kaskat mbrojtëse. Për fjetje kishin kaushë të posaçme dërrase me tri faqe të veshura e të siguruara nga brenda me dyshekë kashte, për të evituar vetëvrasjen. Dilnin rregullisht në ajrim dhe hanin ushqim të veçantë nga të burgosurit e tjerë. Për ta kishte një personel të posaçëm që u shërbente me korrektesë. Pra, ajo që thonë se janë mbajtur në kushte të vështira nuk qëndron…

kadri-hazbiuSidoqoftë, duket si e pabesueshme ajo që pohoni se Kadri Hazbiut në burg i kanë dhënë ushqim special dhe i kanë vënë në dispozicion një personel të posaçëm për t’i shërbyer…

Unë di të dëshmoj për ato që kam parë, të tjerët të thonë si të duan. Është puna e tyre…

Me këto që thoni ju, të krijohet përshtypja sikur Kadri Hazbiun dhe të vetët i kishin çuar te 313-ta për kovalishencë, jo për t’i pushkatuar…

Përveç ushqimit të veçantë, ndryshe nga praktika për të burgosurit e tjerë, për grupin e Kadri Hazbiut shërbehej edhe kafe. Një rast shumë, shumë i rrallë ky për atë kohë..

Kafe në burg për Kadri Hazbiun?!

Mos u çudisni. Kjo është e vërteta. Kjo ndodhte për herë të parë në burg. Të paktën deri në atë kohë. Pikërisht për këtë, komanda e burgut kishte punësuar një punonjëse shërbimi. Ata konsumonin kafe në orare të ndryshme. Mbaj mend që Fiqrete Shehu pinte disa kafe në ditë. Kafen e fundit e kërkonte në orën 11 të natës…

Dhe ia çonin kafen në 11 të natës?

Patjetër që ia çonin. Ndryshe…

Disa nga pjesëtarët e grupit të Hazbiut që mundën të shpëtojnë, kanë dëshmuar se në gjyq ai është paraqitur me dhëmbë të thyer, aq sa nuk fliste dot shqiptueshëm…
Kjo nuk qëndron. Kadri Hazbiu në gjyq fliste rrjedhshëm dhe hera-herës shpërthente, duke kundërshtuar me forcë çdo akuzë e dëshmi penalizuese në adresë të tij. Ishte i kthjellët për çfarë fliste dhe nuk të linte përshtypjen se mund të ishte keqtrajtuar. Së paku për aq sa kam parë unë gjatë ballafaqimit në seancat gjyqësore.

Po brinjë të thyera kishte Kadri Hazbiu, siç dëshmon njëri nga të pandehurit e atij procesi?
Absolutisht jo. Prova më e mirë për këtë është videoja e procesit gjyqësor, e bërë publike tashmë prej kohësh, ku ai shfaqet pa probleme duke u ngritur e ulur lirshëm. Po të kishte brinjë të thyera, nuk do të mundte të reagonte ashtu. Dukej pa dyshim i dobët, kjo është e kuptueshme për rrethanat, në të cilat ai u bë objekt i një akuze të jashtëzakonshme dhe nga më të rëndat e kohës…

Pra, ju kundërshtoni akuzat për keqtrajtim gjatë procesit të Kadri Hazbiut?
Unë dëshmoj për kohën kur drejtoja procesin gjyqësor. Kur detyra ma donte, isha i pranishëm dhe në kontakt me të. Për atë çfarë mund të ketë ndodhur gjatë hetimeve nuk mund ta dija dhe nuk kisha sesi. Hetimet, siç e thashë, i drejtonte Ministria e Brendshme…

Kadri Hazbiu gjate procesit gjyqesor
Kadri Hazbiu gjate procesit gjyqesor

Për çfarë arsye procesi gjyqësor i grupit të Hazbiut u zhvillua në mjediset e Burgut 313 dhe jo në Gjykatën e Lartë?
Sekreti shtetëror ishte i vetmi argument pse ky gjyq u bë aty. Ngaqë pjesëtarët e grupit kishin kryer detyra të rëndësishme dhe kishin dijeni për shumë çështje që nuk mund të bëheshin publike, u vendos që gjyqi i tyre të bëhej në ato kushte. Por duhet thënë se jo të gjithë pjesëtarët e grupit u gjykuan në mjediset e Burgut 313. Përveç Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Llambi Peçinit dhe disa zyrtarëve të lartë të Sigurimit, pjesa tjetër, ku bënte pjesë Fiqret Shehu dhe Llambi Ziçishti u gjykua në sallën e Gjykatës së Lartë me një proces të hapur.

Në të dyja rastet, ju e kryesuat akuzën?
Ai ishte i njëjti proces dhe pa dyshim që do drejtohej nga i njëjti prokuror…

Vijon

Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

Mund të lexoni gjithashtu pjesën e parë(Kliko mbi titullin)

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja vëllazërore mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi më pas me pushkatim

EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit rrëfen takimet me Kadri Hazbiun në burg: E mbanin në kashtë e dërrasë që të mos…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura