‘E vërteta e vrasjes së Margaritës e Kristaq Tutulanit, roli i Ramizit’

Sep 22, 2013 | 11:49

Afërdita Tutulani duke folur për suplementin “Unë Gruaja”. Foto: Vlasov Sulaj
Flet Aferdita Tutulani, motra e dy dëshmorëve.

Sa here flitet për institutin e njohur femëror “Nëna Mbretëreshë”, nuk mund të anashkalohet emri i saj. Margarita Tutulani, një prej protagonisteve të orëve të para të luftës kundër pushtuesit fashist, e të cilën Nexhmije Hoxha në librin e saj “Enver Hoxha, vitet e rinisë” e cilëson si një prej femrave më të bukura e më të gjalla të këtij instituti arsimor, dallonte ndër të tjera bashkë me Ramize Gjebrenë. E motra e Tutulanëve të ekzekutuar, Afërdita, e ka kujtesën shumë të gjallë dhe ndonëse dhimbja është censorja më e mirë, ajo arrin të dalë përtej saj. E bija e Milto Tutulanit, ish-ministrit të Financave dhe Drejtësisë në periudhën e Ahmet Zogut, ka qenë dëshmitarja e fundit që ka takuar Margaritën, e që ka parë me sytë e saj momentin kur marshalli italian i vendosi prangat. Prej andej, ata i dërguan në Durrës, ku motër e vëlla iu nënshtruan torturave çnjerëzore. Sipas dëshmisë së një marshalli italian, ai i ka thënë familjes se Margarita nuk kishte bërë zë gjatë ushtrimit të dhunës, por në momentin kur plumbi kishte përshkruar tejpërtej xhaketën e të vëllait, ajo kishte bërtitur si bishë e plagosur.

E kishte mbështjellë pas vetes Kristaqin, ndërsa plumbi tjetër e kishte goditur vajzën e re 18-vjeçare në shpinë. Thuhet që ata vdiqën të përqafuar me njëri-tjetrin. Është folur për ekzekutimin e tyre, ku janë “implikuar” edhe figura kryesore të regjimit komunist. E një prej emrave që përflitet ngjeshur për skenarët e mundshëm të tradhtisë ndaj tyre është ai i Ramiz Alisë, e sidomos fakti që ai mund t’i ketë spiunuar të dy, e madje ka qenë i pranishëm në çastet e fundit të ekzekutimit të tmerrshëm që i mori familjes beratase dy bij njëherësh. 82-vjeçarja, arsimtare në profesion, zbardh të vërtetën e vrasjes së vëllezërve të saj, rolin e Ramiz Alisë në këtë ngjarje, vizitat e shpeshta të Nexhmijes në shtëpi, si dhe letrën e Enver Hoxhës …

Para dy ditësh u përkujtua 80-vjetori i krijimit të institutit femëror “Nëna Mbretëreshë”. Të pakta ishin ish-nxënëset e mbetura gjallë, ndërsa të pranishmit aty nuk reshtën së foluri për Margarita Tutulanin. A u vlerësua si duhej figura e motrës suaj?

Mendoj se ishte një aktivitet për t’u vlerësuar, jo vetëm jubileu i këtij instituti të famshëm, përkujtimi nga ana e të afërmve të protagonisteve të dikurshme të shkollës pedagogjike, por edhe fakti që shkrimtarja Meri Lalaj i kishte bërë bashkë në një vëllim të plotë të gjitha femrat që kanë studiuar në atë shkollë. Ime motër, Margarita, u vlerësua drejt, ngandonjëherë edhe me superlativa, pasi kontributi i saj është i ditur nga të gjithë. Dy nga shoqet e dikurshme të saj të mbetura gjallë, Diti Biçaku dhe Viktori Gjikondi, e përmendën faktin se Margarita ishte një nga protagonistet e orëve të para që dolën në luftë kundër pushtuesit fashist dhe u dallua herët nga shoqet e saj. Madje, Nexhmije Hoxha, në librin e saj “Enver Hoxha, vitet e rinisë” e quan time motër vajzën më të bukur dhe një nga aktivistet më të gjalla të këtij instituti. Në këndvështrimin tim, të tilla institute arsimore kanë qenë “uzina” të prodhimit të nismëtarëve të luftës për çlirimin e vendit, e prej nga kanë dalë figurat më të rëndësishme të historisë sonë. I tillë ka qenë Liceu i Korçës, Normalja e Elbasanit, Politeknikumi i Vlorës, ai i Tiranës etj. Në tilla takime përkujtimore, ndiej mbi supe peshën e rëndë të kujtimeve, të ngjarjeve të dhimbshme.

Ky institut ka pasur një tipar dallues, e të përbashkët, përveç gjinisë femërore…
Të gjitha vajzat që shkolloheshin aty vinin nga familje disi të kamura. Cilat janë rrënjët tuaja familjare? E them pa asnjë mëdyshje se unë vij nga një familje intelektuale. Gjyshi im, Dhimitër Tutulani, ka qenë firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mbaj mend, që kur ishim të vegjël, na vinte të këndonim himnin e flamurit, e madje kur betoheshim duhet të thoshim gjithmonë: “Për nder e për flamur”. Ishim familje tipike nacionaliste në Berat. Ndërsa im atë, Milto, ka qenë për shumë vite ministër i Financave dhe i Drejtësisë në regjimin e Monarkisë. Ai kish studiuar në Greqi, Napoli të Italisë etj. Por, babai pati kontradikta me Ahmet Zogun, aq sa ky i fundit në shkresa të ndryshme zyrtare e ka quajtur edhe armikun e tij kryesor. Nga pozicioni i ministrit të Financave, babai kishte zbuluar afera financiare, koncesione të bëra me Francën, Italinë, por ajo më e rënda ishte një sasi e madhe kontrabande kafeje në vend të misrit. Kështu, ai pati përplasje të mëdha me Zogun, e gjatë kohës që e çuam për kurim në Napoli të Italisë (vuante nga një depresion i lehtë), prej andej do e dërgonim në Austri për mjekim më të specializuar, brenda natës na vjen lajmi që ai vdiq. Patëm dyshimet tona, e për vite me radhë edhe bindjen se babanë e vrau Ahmet Zogu.

A nuk është kjo një akuzë e rëndë? Sepse në vend të dyshimeve, ju mund ta kishit kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje apo jo?
Kemi shumë arsye për të besuar që atë e vranë. Në një dosje dokumentesh të arkivuara, të cilat janë zhdukur më vonë, një infermier që i qëndronte te koka babait, kishte deponuar që i kishin bërë një injeksion vdekjeprurës. Ishte urdhëruar nga njerëz të Zogut që ta kryente këtë veprim. Im atë ishte një nga armiqtë e ligjëruar të tij, sepse i kishte zbuluar kontrabandat dhe aferat financiare. Gjithashtu, ai nuk ishte në agoni, ne thjesht e çuam për një kurim më të specializuar, e është e pamundur që të vdesë njeriu brenda natës. Ne jetuam për vite me radhë me këto dyshime, sepse nuk e kërkuam që ta bënim të madhe çështjen, të zbardhnim të vërtetën… Mamaja kishte pesë fëmijë për të rritur, dhe ia kishte frikën hakmarrjes së Zogut, ndaj dhe familja jetoi për vite me radhë me këtë peng.

Afërdita, jeni e vetmja pinjolle e familjes Tutulani e mbetur gjallë, por a është e vërtetë që keni qenë dëshmitarja e fundit e arrestimit të Margaritës dhe Kristaqit?
Kam qenë rreth 14 vjeçe në kohën kur arrestuan vëllezërit e mi. Gjatë kësaj kohe u përfshiva në luftë si korriere e vogël. Isha korriere e qarkut të Beratit, ndërsa shtëpia jonë ishte kthyer në bazën e Luftës Nacionalçlirimtare. Vëllai im, Kristaqi, shkruante trakte, ndërsa unë i shpërndaja… Por, jo vetëm trakte, edhe letra apo dokumente të ndryshme të luftës. E mbaj mend me detaje momentin e arrestimit të tyre. Ishte 4 korrik i vitit 1943, kohë dreke. Margarita me Kristaqin po përgatiteshin që të dilnin nga Berati. Pashë që lagja po rrethohej nga fashistët, dhe me vrap vajta në shtëpi për t’ua thënë këtë fakt. Ata ishin ende aty, ndërsa ma thanë që duhet të zhvendoseshin nëpër komshinj, dhe derë pas dere të largoheshin sa më tepër. Në momentin kur do kalonin në derën e një komshiu afër shtëpisë sonë, atë të fotografit Ilia Koçi, mbi ta mësynë fashistët. Plani që ishte thurur për daljen e tyre nga qyteti, ishte i tillë: duke qenë se daja im Nikolla Haxhistasa ishte drejtor i spitalit, nëpërmjet një ambulance do të bëhej spostimi, sikur Kristaqi ishte i sëmurë dhe i shtrirë në barelë dhe Margarita infermiere. Por, ky plan nuk u realizua sepse ata u arrestuan.

Intervisten e plote marre nga Ermira Isufaj e lexoni sot ne suplementin “Une Gruaja” ne gazeten “Panorama”

© Panorama.al

Te lidhura