Dyshonte se i vrau djalin/ I moshuari pret me vite për hakmarrje, rrëmben kallashnikovin dhe…

Jan 31, 2020 | 8:56
SHPËRNDAJE

Detaje te reja nga plagosja me armë e regjistruar mëngjesin e djeshëm rreth orës 04:00 në fshatin Kopaçëz, Bashkia Delvinë.

Policia e Sarandës
Policia e Sarandës

Burime zyrtare nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa shtetasi Kadri Nora, 73 vjeç, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Martin Doda, 48 vjeç, nga Mirdita.

Ky i fundit mësohet se prej 12 vitesh ishte banor në fshatin Kopaçëz. Menjëherë pas ngjarjes, 48-vjeçari është transportuar për në Spitalin e Sarandës, nga ku mori ndihmën e parë mjekësore, por më pas u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për të marrë një mjekim më të specializuar.

Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë dhe specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku falë veprimeve të shpejta e profesionale kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Kadri Nora, 73 vjeç, banues në fshatin Kopaçëz, si dhe bllokimin e armës së zjarrit tip kallashnikov që ka kryer plagosjen. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale ‘Vrasje me dashje e mbetur në tentativë’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë Sarandë.

NGJARJA

Sipas burimeve të gazetës “Panorama”, mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, për një ngjarje tjetër të ndodhur në vitin 2005. Mësohet se më datë 8 shtator të atij viti, në vendin e quajtur “Pigadhe”, Kopaçëz, është gjetur i plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi Eduard Nora, 35 vjeç.

Atë kohë, i plagosuri është transportuar rreth 1 kilometër drejt një stani, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe në pritje të asistencës policore dhe spitalore nga Saranda dhe Delvina, ka ndërruar jetë.

Ekspertiza mjeko-ligjore e atij viti zbuloi se ai ishte qëlluar me armë zjarri pistoletë, poshtë gjurit. Ngjarja u hetua edhe si vrasje, edhe si vetëvrasje, por nuk u arrit të gjendej as arma e as gëzhoja në vendin e ngjarjes. Kjo ngjarje atëherë u dyshua se ndodhi për parcelat e kanabisit në zonë, por që nuk u zbulua.

Policia e Delvinës nuk e zbardhi dot ngjarjen, duke e lënë pa autor dhe pa një motiv. Dhe ditën e djeshme, i ati i 35-vjeçarit plagos një person. Zanafillë e ngjarjes dyshohet konflikti lidhur me ngjarjen e pesë viteve të kaluara. Vendi ku ndodhi krimi atë kohë, pra “Pigadhe” në Kopaçëz, përdorej më së shumti për kultivim kanabisi.

Autorit të ngjarjes së djeshme në fshatin Kopaçëz, Kadri Nora, mësohet se i kanë vdekur pesë djem. 4 dyshohet se kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale dhe një që ia vranë në vitin 2005. Gjithashtu, mësohet se mes shtetasit Kadri Nora ka pasur debate ndër vite me të plagosurin Martin Doda, të cilin ai e ka akuzuar gjithmonë për vdekjen e të birit. Martin Doda dhe Eduard Nora punonin si barinj në të njëjtin vend kur ka ndodhur ngjarja. / Sh.D

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura