Drejtësia e re në rrezikun e minimalizmit

Sep 25, 2021 | 9:23
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

Prec-Zogaj1Përtej mbështetjes konstante dhe takimeve të vazhdueshme të përfaqësuesve të SHBA dhe BE-së me trupat e drejtësisë së re, duket se ka një shqetësim për efikasitetin e tyre të deritanishëm. Thënë ndryshe: produkti i pritshëm apo i përafërt me pritshmëritë po vonon, edhe pse SPAK mbush këtë dhjetor dy vjet. nga dita kur ka nisur nga puna zyrtarisht.Është e vërtetë se deri para pak javësh i ka munguar Byroja Kombëtare e Hetimit. Ky fakt mund të përdoret e madje edhe të shërbejë si justifikim. Por ndërkohë dihet se kanë ekzistuar e ekzistojnë çështje të bartura apo padi penale të forta ku akuzohen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të sferave të larta, për të cilat SPAK mund të kishte thënë fjalën e vet pa pritur BKH-në. Sidoqoftë, tani që BKH është në punë, justifikimet dhe alibitë e kanë kohën më të shkurtër se kurrë.

Për momentin, “makina” tashmë e kompletuar e drejtësisë së re po xhiron ngadalë, me çështje të zakonshme apo të vogla për hedrin e saj të madh.Në një prej takimeve të fundit në rendin e takimeve të shpeshta me kreun e SPAK, Arben Kraja, ambasadorja e SHBA, Juri Kim nënvizoi sërish, sipas njoftimit të publikuar prej saj, “pritshmëritë e SHBA-së që SPAK-u do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar, pavarësisht sa i fortë dhe i pasur është, pavarësisht se cilës parti i përket”.

Fraza është inkurajuese, por e përsëritur disa herë, dëshmon edhe një dozë zhgënjimi. Tani që ngrehina është ngritur mes pengesash e vonesash të ndryshme, “armiqtë” i rinj të drejtësisë kandidojnë të jenë shterpësia, minimalizmi, “peshqit e vegjël dhe shumë të vegjël” që kontrastojnë deri në ironi dhe diskreditim projektin sui generis.Për çfarë u nis dhe ku përfundoi, do të ishte epitafi i një fuqie që është kolauduar të mbërthejnë bajlozët e korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar, por që ngushëllohet apo kënaqet me thërrime. Uroj që zhvillimet nga fronti i drejtësisë t’i përgënjeshtrojnë sa më shpejt këto pohime, që nuk janë më vetëm të mijat, por të shumë e shumë njerëzve si unë që kanë mbështetur e vijojnë të mbështesin një drejtësi të pavarur e të pastër që guxon, që bën drejtësi në çdo hallkë të piramidës shtetërore dhe shoqërorë nga baza në majë.

Aktualisht, në pikëpamje të kurajës për të hetuar “peshq të mëdhenj”, SPAK duhet të matet me “majat” e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda të periudhës së para Reformës në Drejtësi, të cilat kanë hetuar ministra të qeverive në fuqi, si për shembull Bashën dhe Mediun në qeverinë “Berisha 1”, Metën në qeverinë “Berisha 2”, Tahirin në qeverinë “Rama”, një listë të gjatë zëvendësministrash dhe drejtorësh me peshë, disa prej të cilëve kanë marrë dënime të formës së prerë në gjykata, një listë bandash të fuqishme e shumë të rrezikshme gjithashtu që kanë përfunduar prapa hekurave.Për të përligjur reformën sui generis, SPAK, Gjykata e Posaçme, prokuroritë autonome të rretheve, gjithë sistemi i ri gjyqësor duhet të shënojnë “rekordet” e tyre ku e ku më të larta e më të shumta se ato të trashëguarat.

Çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodh? Ajo që shihet me sy të lirë është se mekanizmi i vetingut në të dyja shkallët e tij, siç ia ka dalë të largojë nga sistemi një numër të madh prokurorësh e gjyqtarësh të korruptuar, që e degraduan drejtësinë në biznes të pistë, ka lënë jashtë sistemit prokurorë e gjyqtarë me rekorde të kurajës, paanësisë, profesionalizmit. Dhe ka kaluar ndërkaq prokurorë që nuk janë shquar gjëkundi, nuk kanë rekorde të kurajës profesionale, përkundrazi ka prej tyre që kanë rekorde të oportunizmit, frikës, e nënshtrimit deri në kapitullim ndaj politikës dhe krimit, pavarësisht se me letra dalin mirë, dalin të ndershëm. Por sa para bën e gjithë kjo kur nuk bën dot punën, kur nuk nderon dot figurën e njeriut të drejtësisë që di dhe guxon të bëjë drejtësi pa bota le të shembet.

Kush ka dashur një drejtësi të dobët apo të ngordhur përballë pushtetit politik dhe krimit të organizuar, kush ka dashur të nxjerrë inate a mllefe të ndryshme, kush ka dashur të lërë jashtë të pavarur, të papëlqyer, të pakontrollueshëm nga pushteti, të paragjykuar nga pikëpamja krahinore apo edhe fetare, e ka pasur të mundur t’ia arrijë qëllimit edhe falë kritereve të hapura të vetingut, që janë bërë akoma më të hapura gjatë zbatimit tek janë shfrytëzuar për t’i gjykuar me tendenciozitet dhe me ashpërsi të skajshme të padëshiruarit. Deri për vogëlsira, për veprime financiare dhe transaksione të justifikuara, që kanë qenë të zakonshme në kohën e kur janë kryer, por që janë konsideruar shkelje tani, a thua se Shqipëria e hapur e tri dekadave të fundit nuk ka ecur nëpër një rrugë të gjatë nga informaliteti drejt formalitetit, por ka qenë Danimarkë që ditën e parë që doli nga izolimi dhe varfëria e komunizmit.

Një shembull tipik i këtij tendencioziteti mbetet pengimi për t’u bërë anëtar i SPAK-ut dhe përjashtimi nga sistemi i ish-prokurorit Anton Martini, i medaljuar pesë herë si pjesëmarrës në operacione ndërkombëtare kundër grupeve të fuqishme kriminale, me mbrojtje policore për shumë vite. Kam shkruar për këtë rast. Bashkë me disa kolegë të medias kemi qenë të mendimit se nëse nuk kalon Anton Martini, duhet ta mbyllin fare vetingun, në kuptimin që me standardet e puritanizmit dhe gjykimit të tipit inkuziocional, të gjithë prokurorët e gjyqtarët e Shqipërisë, edhe ata që ndëshkuan Martinin dhe të ngjashmit e Martinit, mund të ndëshkohen. Ndëshkimi i Anton Martinit është një rast për t’u studiuar si shembull i papërgjeshmërisë ekstreme maskuar me rigorozitet fals të një shteti që ua hedh bandave hetuesin dhe ndëshkuesin e bandave, që konsideron se një prokuror dhe e shoqja me njëzet vjet punë secili nuk mund të kenë një apartament 97 metra katrorë edhe pasi kanë marrë për ta blerë dy kredi në vlerë njëqind milionë lekë që vazhdojnë t’i paguajnë.Shembuj të ngjashëm me specifikat përkatëse ka disa.

Ligjvënësi, që në krye të herës, duke pasur parasysh informalitetin, nëpër të cilin ka ecur Shqipëria dhe emigracionin masiv pas viteve nëntëdhjetë, ka sanksionuar në dokumentin e aneksit të Kushtetutës për Reformën në Drejtësi nenin 4, pika b, që thotë: “Nëse subjekti i rivlerësimit ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai prezumohet fajtor për shkelje disiplinore, përveçse kur ai paraqet prova që vërtetojë të kundërtën”. Janë të shumtë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që janë prezumuar të fajshëm pikërisht ngaqë pasuria e tyre ka rezultuar të jetë shumëfishi i pasurisë së ligjshme dhe ata nuk kanë mundur të vërtetojnë me prova të kundërtën. Por ky nen duket se është harruar të zbatohet për prokurorë e gjyqtarë që janë xhiruar për muaj me radhë dhe janë penalizuar për shuma të vogla dhe tepër të vogla në raport me pasurinë e ligjshme.

Sikur produkti i drejtësisë të re të na siguronte se gjithçka po shkon drejt objektivave, për të cilët është bërë reforma sui generis, pra, sikur ata që kanë kaluar vetingun të kishin dhënë apo të kishin filluar të jepnin prova evidente guximi, pavarësie dhe profesionalizimi, unë do të kujtoja me keqardhje shprehjen popullore “digjet bari i njomë më të thatin”, do të uroja që e drejta t’i kthehet një ditë secilit që i është shkelur, por nuk do ta shkruaja këtë shkrim.

Por është produkti që padit një problematikë serioze që duhet trajtuar me seriozitet mak simal nga Parlamenti, nga partnerët amerikanë dhe europianë gjithashtu. Shembull shumë domethënës për sa po themi është ajo që ka ndodhur në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda kur erdhi momenti për të paraqitur në Gjykatë akuzën kundër Shullazit dhe bandës së tij. Prokurori i çështjes, Eneid Nakuci, la detyrën dhe u largua në Itali pa lajmëruar zyrtarisht eprorët. Ikja e tij u pasua me një situatë kaotike në atë Prokurori. Disa prokurorë refuzuan ose i bënë bisht marrjes përsipër të paraqitjes së akuzës. Prokuroria po rrezikonte kapitullimin, turpin. Atëherë i dolën zot kryetarja e atëhershme e asaj Prokurorie, Donika Prela, prokurorët Anton Martini, Bensik Muçi dhe Gentian Osmani, që kërkuan në total 64 vite heqje lirie për Shullazin me shokë.

Sot, të katër këta prokurorë janë shkarkuar nga Kolegji i Pavarur i Apelit, pasi kishin kaluar vetingun në Shkallën e Parë në KPK. Kurse Eneid Nakuci që iku pa njoftuar, duke kryer një shkelje të rëndë profesionale siç ka vlerësuar për të, ndër të tjera, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është anëtar i SPAK. Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelit ku kanë humbur punën e karrierën prokurorët e lartpërmendur është Albana Shtylla, kushërira e tij.
A ka hipotekë vlerash ky vend? A mban kush shënime kush përballet e kush fut bishtin në shalë?
A ka institucione që vëzhgojnë lidhjet nepotike në një sektor kaq delikat dhe qëndrimet që burojnë nga këto lidhje?
Për çfarë janë ministri i Drejtësisë, kryetari i Kuvendit, Komisioni i Ligjeve? Drejtësi e kapur në Shqipëri nuk është një drejtësi që kapet nga një palë për t’ia ndërsyer palës tjetër.
Drejtësia e kapur në Shqipëri ka prej vitesh kuptimin e një drejtësie sterile, që nuk shkel e nuk funksionon në sferat e larta, për rrjedhim është vulnerabël dhe e korruptueshme edhe në sferat e tjera. Nga kjo pikëpamje deri në momentin që po flasim, nisur nga produkti i pritshëm, mund të themi se drejtësia, edhe e reja, është në vazhdën e së vjetrës. Ajo mund ta përmbysë e duhet ta përmbysë me vepra këtë perceptim në përhapje. Unë e kuptoj dhe e madje e inkurajoj maturinë, sigurinë. Jam kundër një drejtësie për drejtësi, që nuk mund të jetë drejtësi. Por nga ana tjetër, kohë për të humbur ka pak ose aspak. Do të ishte fatale që qytetarët, partnerët amerikanë dhe europianë të gjendeshin papritur para një hileje shumë të madhe, që dikush ua ka shkarë duke u mburrur si kalorës i Reformës në Drejtësi dhe duke akuzuar opozitën si vonuese të saj. Cila është kjo hile? Ngrehinës nuk i mungon më asnjë pjesë, por i mungon prokurori që guxon të hetojë e akuzojë dhe gjyqtari që guxon të dënojë deri Kryeministrin e Presidentin. Kalorësit e fasadës e kanë marrë kalanë nga brenda. Mos qoftë e bërë!

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/