“Do krijojmë Akademinë për barinjtë”/ Ministrja e Bujqësisë prezanton planin: Është një profesion i vështirë, por ne do ta ruajmë! Ja si do t’i motivojmë të rinjtë

Nov 5, 2021 | 19:37

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka raportuar sot për buxhetin në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Gjatë fjalës së saj, ministrja foli për investime të shumta në bujqësi dhe blegtori, por dha edhe lajmin se do të bëjnë Akademinë për barinjtë, në mënyrë që të ruhet ky profesion i vështirë.

Sipas saj, blegtoria ka pësuar rënie dhe për këtë janë në dijeni, por siç u shpreh ajo profesionin e bariut nuk e preferojnë pasi është një nga më të vështirët.

Po ashtu ajo tha se do të financojnë fermat blegtoralë të mëdha që japin produktivitet, duke i bëri thirrje blegtor që të bashkohen dhe mos mbajnë nga një lopë në oborr.

“Bashkë me 7.2 miliardshin që ju thashë që do shkojnë në mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët do të shkojnë për blegtoret.

E dimë që blegtoria ka një rënie, sepse është e vështirë. Nuk duan njerëzit të shkojnë në mal të jenë barinj, është e vështirë. Duan të bëjnë një profesion tjetër që është më i lehtë për ta. Pse nuk shkon ti të bëhesh bari?! (iu drejtua ministrja njëri prej deputetëve). Është e vështirë. Nuk është vetëm çështje shkolle. Është një profesion i trashëguar, të cilin duam ta ruajmë dhe çfarë do bëjmë ne që ta ruajmë? Do incetivojmë të rinj, do shkojmë ti gjejmë, do bëjmë një Akademi për ta. Do bëjmë një grup njerëzish, do t’i themi ‘ti futu në këtë profesion, ti mbaje dhe ne do të subvencionojmë për këtë gjë’. Jo për krerë thjesht për faktin që ti e mban tufën. Jemi të vetëdijshëm edhe për këtë problem.

Duam të financojmë fermat blegtoralë të mëdha që japin produktivitet. Të mos mbajnë nga një lopë në oborrin e vetë fermerët, por të bashkohen“, tha sot ministrja e Bujqesise.

© Panorama.al

Te lidhura